Surja Teube (medinase) 129 ajete
- Deklarim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij për distancim nga çdo detyrim e marrëveshje e lidhur me idhujtarët.
- “Lëvizni mbi tokë edhe katër muaj, por dijeni se ju nuk mund t’i shpëtoni Allahut dhe se, pa dyshim, Allahu ka për t’i poshtëruar mohuesit.”
- Ky është një kumtim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij drejtuar të gjithë njerëzve ditën e Haxhit të Madh: “Allahu shkëput çdo marrëveshje me idhujtarët, e po kështu edhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, do të jetë më mirë për ju! Por nëse i ktheni shpinën, ta dini se kurrë nuk mund t’i shpëtoni Allahut!” Kërcënoji ata që mohojnë me një dënim të dhimbshëm.
- Përjashtim bëjnë vetëm ata idhujtarë me të cilët kishit lidhur marrëveshje, që nuk e kanë shkelur atë dhe nuk kanë ndihmuar asnjë kundër jush. Përmbusheni edhe ju marrëveshjen me ta deri në afatin e caktuar. Vërtet, Allahu i do të devotshmit.
- Pasi të kalojnë muajt e shenjtë, luftojini idhujtarët kudo që t’i gjeni, robërojini, rrethojini dhe u zini pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë u hapni rrugë. Me të vërtetë, Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
- Nëse ndonjë idhujtar të kërkon mbrojtje, ti strehoje atë, në mënyrë që të mund të dëgjojë fjalët e Allahut, e më pas përcille deri në vendin e tij të sigurt. Kështu vepro, sepse ata janë popull që nuk dinë.
- Si mund të kenë idhujtarët besëlidhje me Allahun dhe të Dërguarin e Tij?! Përjashtim bëjnë vetëm ata me të cilët ju keni lidhur marrëveshje pranë Xhamisë së Shenjtë. Përderisa ata i përmbahen marrëveshjeve, përmbajuni edhe ju! Allahu i do të devotshmit.
- Si mund të kenë besë ata të cilët, nëse ju mundin, nuk përfillin as farefisni e as marrëveshje me ju?! Ata ju bëjnë lajka me fjalë, kurse me zemër ju kundërshtojnë fort. Shumica e tyre janë të ligj.
- Ata i shkëmbejnë ajetet e Allahut për një vlerë të vogël dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Tij. Të shëmtuara janë veprat e tyre.
- Ndaj besimtarëve ata nuk respektojnë as farefisni e as marrëveshje. Pikërisht ata janë të shfrenuarit.
- Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe. Kështu i sqarojmë Ne argumentet për njerëzit e ditur.
- Por nëse pas lidhjes së marrëveshjes, ata e shkelin zotimin e tyre dhe sulmojnë fenë tuaj, atëherë luftoni kundër krerëve të mohimit, – sepse ata vërtet nuk kanë besë, – me qëllim që të frenohen.
- A mos ngurroni të luftoni një popull që i shkel zotimet e veta dhe që tenton të dëbojë të Dërguarin, dhe kur, në fakt, ishin ata që ju sulmuan të parët?! Mos vallë keni frikë prej tyre?! Allahu e meriton më tepër që ju t’i frikësoheni, nëse jeni besimtarë.
- Luftojini ata, që Allahu t’i ndëshkojë ashpër me duart tuaja, t’i poshtërojë, t’ju dhurojë fitoren ndaj tyre, të shërojë shpirtrat e besimtarëve
- dhe ta largojë hidhërimin nga zemrat e tyre! Allahu ia pranon pendimin atij që do. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
- A mos mendoni se do të liheni të qetë dhe se Allahu nuk do t’i njohë ata ndër ju që luftojnë e që nuk kanë zgjedhur për mik të dashur asnjë tjetër, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve?! Allahu e di hollësisht atë që ju veproni.
- Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e Allahut, duke qenë se vetë ata dëshmojnë për vetveten se janë mohues. Atyre u shkojnë kot veprat e tyre dhe do të jenë përgjithmonë në Zjarr.
- Për xhamitë e Allahut kujdesen veçse ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Gjykimit, falin namazin e japin zekatin dhe nuk i frikësohen askujt tjetër veç Allahut. Shpresohet që këta të jenë të udhëzuar.
- Vërtet e konsideroni dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj Xhamisë së Shenjtë, të njëjtë me besimin tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe luftën në rrugën e Allahut?! Jo, këto nuk janë të barabarta për Allahun. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin zullumqar.
- Ata të cilët kanë besuar, emigruar dhe luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut, kanë pozitë më të lartë tek Allahu, dhe pikërisht ata janë fitimtarët.
- Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë, me pëlqimin e Tij dhe me kopshte, ku do të kenë mirësi të pandërprera.
- Ata do të jenë të përjetshëm në to. Me të vërtetë, tek Allahu ka shpërblim të madh.
- O ju besimtarë, mos i mbani për miq prindërit dhe vëllezërit tuaj, nëse ata parapëlqejnë mosbesimin kundrejt besimit. Çdokush prej jush që miqësohet me ta, është vërtet zullumqar.
- Thuaj: “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që keni fituar, tregtia për të cilën frikësoheni se do të dështojë apo banesat që ju kënaqin, janë më të dashura për ju sesa Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë prisni dhe të jeni të sigurt se Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë të shfrenuarit.
- Sigurisht që Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe ditën e Hunejnit, kur ju u mahnitët nga numri juaj i madh, i cili nuk ju vlejti aspak. Toka ju duk e ngushtë, megjithëse është e gjerë, dhe më pas ju u tërhoqët.
- Pastaj Allahun zbriti qetësinë Tij mbi të Dërguarin e vet dhe mbi besimtarët. Ai zbriti një ushtri, që ju nuk e patë, dhe i dënoi jobesimtarët. Ky qe “shpërblimi” i mohuesve.
- Pas kësaj, Allahu ia pranon pendimin atij që do. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
- O besimtarë, idhujtarët janë vërtet të papastër, prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti. Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij. Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
- Luftojini ata që nuk e besojnë Allahun dhe botën tjetër, që nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe që nuk e besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libër, derisa të japin xhizjen me dorën e tyre, duke qenë të përulur.
- Jehudët thanë: “Uzejri është biri i Allahut”, ndërsa të krishterët thanë: “Mesihu është biri i Allahut”. Këto ishin fjalët që dilnin nga goja e tyre, duke imituar thëniet e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si largohen!
- Ata i konsideruan ahbar-ët, ruhban-ët dhe Mesihun – të birin e Merjemes, si zota veç Allahut, ndërkohë që ishin urdhëruar të adhuronin veç Allahun. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. I Lartësuar është Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë!
- Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre. Por Allahu do veçse ta përkryejë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë këtë gjë.
- Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse këtë e urrejnë idhujtarët.
- O besimtarë, vërtet, shumë ahbarë dhe ruhbanë hanë pasurinë e njerëzve në mënyrë të paligjshme dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin dhe nuk e shpenzojnë atë në rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhimbshëm,
- ditën kur ajo do të fërgohet në zjarrin e Xhehenemit, e me të do t’u lyhet balli, anët dhe shpinat. Kjo është ajo që ju keni grumbulluar për veten! Shijojeni tani, atë që keni grumbulluar!”
- Tek Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën; prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre. Luftojini të gjithë idhujtarët tërësisht, siç ju luftojnë ata juve tërësisht, e dijeni se Allahu është me ata që ruhen.
- Shtyrja e tyre është veçse shtim i mosbesimit, nëpërmjet të cilit mohuesit humbin larg. Në një vit, ata e konsiderojnë atë jo të shenjtë, e një vit e konsiderojnë të shenjtë, për të arritur një përputhje me numrin e muajve që Allahu i bëri të shenjtë, e duke bërë kështu të lejuar atë që Allahu e ka ndaluar. Atyre u janë hijeshuar veprat e këqija. Por Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.
- O besimtarë, ç’është me ju, që, kur ju thuhet: “Dilni në rrugë të Allahut!”, juve ju rëndon vendi?! A mos jeni, vallë, më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me ahiretin?! Jeta e kësaj bote, përkundër ahiretit, është diçka shumë e vogël.
- Nëse nuk dilni, Ai ju ndëshkon me një dënim të rëndë dhe ju zëvendëson me një popull tjetër, dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka.
- Edhe nëse ju nuk e ndihmoni, atë e ndihmon Allahu, si ditën kur mohuesit e dëbuan atë bashkë me një tjetër. Të dy ata ishin në guvë, kur ai i tha shokut: “Mos u trishto, se Allahu është me ne!” Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të dhe e mbështeti me një ushtri, që ju nuk e patë. Fjalën e mohuesve ai e poshtëroi, kurse fjala e Allahut është më e larta. Allahu është Krenar dhe i Urtë.
- Dilni në luftë, le t’ju duket e lehtë apo e rëndë! Luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe me veten tuaj! Kjo është gjëja më e dobishme për ju, nëse e kuptoni.
- Sikur të ishte ndonjë fitim i shpejtë ose udhë jo e gjatë, ata do të vinin pas teje, por për ta ajo ishte rrugë e vështirë. Ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim mundësi, do të dilnim me ju”. Ata kështu shkatërrojnë veten e tyre. Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.
- Allahu të faltë! Përse i lejove ata të iknin para se të mësohej se cilët ishin të sinqertë dhe cilët ishin gënjeshtarë?!
- Ata që besojnë Allahun dhe botën tjetër, nuk kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe veten e tyre. Allahu i di të sinqertit.
- Leje kërkojnë vetëm ata që nuk besojnë Allahun dhe botën tjetër, ata të cilët në zemrat e tyre kanë dyshime dhe enden në dyshimet e tyre.
- Nëse vërtet do të donin të shkonin, do të bënin ndonjë përgatitje. Por Allahu nuk e pëlqeu pjesëmarrjen e tyre, prandaj i sprapsi duke u thënë: “Rrini aty me të paaftit!”
- Edhe sikur të vinin me ju, ata nuk do t’ju shtonin asgjë tjetër, veç ngatërresave, dhe shumë shpejt do t’ju përçanin dhe hutonin. Mes jush ka që i dëgjojnë ata. Allahu është i Gjithëdijshëm për zullumqarët.
- Ata edhe më parë kanë tentuar përçarjen tuaj dhe t’i kanë ngatërruar çështjet, derisa ty të erdhi e vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i Allahut, edhe pse ata e urrenin këtë gjë.
- Prej tyre ka edhe të atillë që thonë: “Më jep leje e mos më sprovo!” Por ata tashmë kanë rënë në sprovë! Sigurisht, Xhehenemi i përfshin totalisht mohuesit.
- Nëse ty të vjen ndonjë e mirë, ata trishtohen, e nëse të godet ndonjë e fatkeqësi, ata thonë: “Ne kemi qenë të kujdesshëm për çështjen tonë edhe më parë”, dhe kthehen të gëzuar.
- Thuaj: “Ne nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj që na është caktuar nga Allahu; Ai është ndihmëtari ynë”. Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët!
- Thuaj: “E çfarë prisni për ne, përveçse njërës nga dy të mirat? Ndërsa ne presim për ju që Allahu t’ju godasë me një dënim prej Tij, ose nëpërmjet duarve tona. Prisni atëherë, se edhe ne së bashku me ju po presim.”
- Thuaju: “Sido që të jepni diçka, me dëshirë a të detyruar, ajo nuk ka për t’u pranuar prej jush. Ju jeni vërtet njerëz të pabindur!”
- Sadakaja e tyre nuk pranohet vetëm sepse ata mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e falin namazin vetëm me përtaci, ndërsa sadakanë e japin veçse me pakënaqësi.
- Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata nëpërmjet tyre në jetën e kësaj bote, dhe pastaj t’u dalë shpirti si mohues.
- Ata betohen në Allahun se vërtet janë me ju, por ata nuk janë me ju. Ata janë njerëz frikacakë.
- Sikur të gjenin ndonjë strehë, shpellë ose vrimë, ata do të futeshin me vrap.
- Disa prej tyre të bëjnë vërejtje për ndarjen e lëmoshës. Nëse u jep atyre, ata mbesin të kënaqur, e nëse nuk u jep, ata zemërohen.
- Le të kënaqen me atë që u jep Allahu dhe i Dërguari i Tij, duke thënë: “Neve na mjafton Allahu! Do të na furnizojë Allahu nga të mirat e Tij, e po kështu edhe i Dërguari i Tij. Vetëm tek Allahu i varim shpresat tona”.
- Sadakaja u takon veçse: fukarenjve, nevojtarëve, zekat-mbledhësve, atyre që u duhen përfituar zemrat, për lirim nga robëria, të zhyturve në borxhe, në rrugën e Allahut dhe atyre që kanë mbetur në rrugë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
- Ka prej tyre që e shqetësojnë Pejgamberin e thonë: “Ai dëgjon gjithçka që i thuhet”. Thuaj: “Ai dëgjon atë që është e mirë për ju, beson në Allahun dhe u beson besimtarëve. Ai është mëshirë për ata që besojnë nga mesi juaj. Ata që e lëndojnë të Dërguarin e Allahut i pret një dënim i dhembshëm.
- Ata ju betohen në Allahun për t’ju kënaqur, por është më e drejtë që të kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nëse janë besimtarë të vërtetë.
- A nuk e dinë ata se kush kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e pret zjarri i Xhehenemit, ku do të jetë përjetësisht. Ky është poshtërimi i madh.
- Hipokritët tremben se mos shpallet ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemër. Thuaju: “Talluni, por të jeni të sigurt se Allahu do ta zbulojë atë për të cilën keni frikë!”
- E nëse i pyet, ata do të thonë: “Ne thjesht ishim duke luajtur e dëfryer”. Thuaju: “Vallë, me Allahun, Librin dhe të Dërguarin e Tij talleni?!”
- Mos nxirrni justifikime! Dijeni se me këtë vepër keni mohuar, pasi kishit besuar. Edhen nëse disa nga ju i falim, të tjerët i dënojmë, sepse janë zullumqarë.
- Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri: urdhërojnë për ligësi, ndalojnë nga e mira dhe janë dorështrënguar. Ata e kanë harruar Allahun, prandaj Ai i ka harruar ata. Nuk ka dyshim se hipokritët janë të prishur.
- Allahu ka përgatitur për hipokritët, hipokritet dhe jobesimtarët zjarrin e Xhehenemit. Atje do të jenë përgjithmonë dhe ai mjafton për ta. Ata i ka mallkuar Allahu dhe kanë dënim të pandërprerë.
- Ashtu si ata para jush, – që ishin më të fuqishëm se ju, kishin më shumë pasuri e fëmijë dhe u kënaqën me çfarë u takoi, – edhe ju kaluat pjesën tuaj dhe u zhytët siç u zhytën ata. Kështu janë ata që asgjësuan veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër, dhe pikërisht këta janë të dëshpëruarit.
- A nuk të kanë mësuar për ata që ishin më herët, si populli i Nuhut, Adit, Themudit, populli i Ibrahimit, i Medjenit dhe i të përmbysurve? Atyre u erdhën të dërguarit me argumente të qarta. Allahu nuk u bëri asnjë padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetes.
- Besimtarët dhe besimtaret janë miq të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, falin namazin dhe japin zekatin, i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është Ngadhënjyes e i Urtë.
- Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u premton kopshte nën të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, dhe vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit. Kënaqësia e Allahut është më e madhja. Kjo është fitorja e madhe.
- O Pejgamber, luftoji jobesimtarët dhe hipokritët dhe sillu ashpër me ta! Vendi i tyre është Xhehenemi, që është përfundimi më i keq.
- Ata betohen në Allah se nuk kanë thënë asgjë të keqe. Në të vërtetë, ata thanë fjalë kufri, mohuan pas pranimit të Islamit dhe tentuan diçka të paarritshme. Ata u bënë keqdashës, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij i begatoi besimtarët me mirësitë e Tij. Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta. Por nëse refuzojnë, Allahu do t’i ndëshkojë me një dënim të dhembshëm në këtë jetë dhe në tjetrën, dhe për ta nuk nuk do të ketë asnjë mbrojtës e ndihmëtar në tokë.
- Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë!”
- Por kur Ai u jep nga mirësitë e Veta, ata bëhen koprracë dhe kthejnë shpinën, duke u larguar.
- Prandaj, Ai ua lidh hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelin premtimin e dhënë Allahut. Ata e kanë zakon gënjeshtrën.
- Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë?! Në të vërtetë, Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat.
- Sa për ata të cilët përqeshin besimtarët, që japin sadaka me vullnet, dhe tallen me ata të cilët nuk kanë ç’të japin gjë tjetër veç mundit të tyre, Allahu do t’i përgjigjet talljes së tyre. Ata do të kenë dënim të dhembshëm.
- Kërko falje për ta ose mos kërko, por edhe nëse kërkon falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t’i falë, sepse ata kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që shkelin kufijtë.
- Ata që qëndruan pas dhe u gëzuan për qëndrimin e tyre pas të Dërguarit të Allahut, ata nuk dëshironin që të luftonin me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e Allahut dhe thanë: “Mos dilni në vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit e ka vapën edhe më të fortë!”, nëse kuptojnë.
- Le të qeshin pak e le të qajnë shumë. Ky është shpërblimi për atë që fituan.
- Nëse Allahu të kthen ty te ndonjë grup i tyre, e ata të kërkojnë leje për të ardhur me ty, thuaju: “Ju nuk do të dilni kurrë me mua dhe kurrë nuk do të luftoni ndonjë armik së bashku me mua! Ju u kënaqët herën e parë që nuk luftuat, prandaj rrini me ata që mbetën pas!”
- Asnjërit prej tyre mos ia fal namazin, kur të vdesin, e as mos u qëndro pranë varrit, sepse ata kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe kanë vdekur si mohues.
- Mos u josh nga pasuria dhe fëmijët e tyre. Nëpërmjet tyre, Allahu dëshiron që t’i ndëshkojë ata në këtë botë dhe t’u dalë shpirti duke qenë mohues.
- Kur zbriti surja që thotë: “Besoni Allahun dhe luftoni së bashku me të Dërguarin e Tij!”, pasanikët kërkuan leje prej teje, duke thënë: “Na lejo të rrimë me ata që nuk shkojnë në luftë!”
- Ata qëndruan me ata që nuk shkojnë në luftë, prandaj zemrat e tyre u vulosën dhe tashmë ata nuk kuptojnë.
- Por, i Dërguari, e së bashku me të edhe besimtarët, luftuan me pasurinë dhe veten e tyre. Atyre u takojnë të gjitha të mirat dhe ata janë të shpëtuarit.
- Allahu u ka përgatitur atyre kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.
- Disa beduinë paraqitën justifikime, për t’iu dhënë leje që të mos shkonin në luftë. Edhe ata që donin të gënjenin Allahun dhe të Dërguarin e Tij munguan në luftë. Ata që mohuan nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i ashpër.
- Nuk është gjynah për të dobëtit, as për të sëmurët e as për ata që nuk kanë ç’të përgatisin, kur janë të sinqertë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Për të mirët nuk ka qortim. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
- As për ata që kur erdhën tek ti për t’i bartur me kafshë, ti u the: “Nuk kam me çfarë t’ju mbaj…” Ata u kthyen me sytë që u rridhnin lot prej pikëllimit, se nuk kishin ç’të përgatisnin.
- E keqja është për ata që, duke qenë pasanikë, kërkuan leje dhe u pajtuan të mbeteshin me ata që nuk shkonin në luftë. Allahu i ka vulosur zemrat e tyre dhe ata nuk e dinë këtë.
- Kur të ktheheni, ata do t’ju paraqesin justifikime. Thuaju: “Mos u arsyetoni, se ne nuk kemi për t’ju besuar. Tashmë, na ka njoftuar Allahu për gjendjen tuaj. Veprën tuaj do ta shohë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Pastaj ju do të ktheheni tek Ai që i di të fshehtat dhe të dukshmet, e Ai do t’ju tregojë se çfarë keni bërë”.
- Kur të ktheheni, ata do t’ju betohen në Allahun për të mos i qortuar. Kthejuni shpinën atyre! Ata, me të vërtetë janë të ndyrë dhe vendi i tyre do të jetë Xhehenemi, si shpërblim për atë që fituan.
- Ata ju betohen juve që të jeni të kënaqur ndaj tyre. Por edhe nëse ju shprehni kënaqësi, Allahu nuk është i kënaqur me popullin që i shkel kufijtë e Tij.
- Beduinët janë më të zhyturit në mohim e hipokrizi dhe janë më të prirurit për të mos i njohur dispozitat që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm e i Urtë.
- Ka beduinë të cilët, shpenzimin në rrugën e Allahut e konsiderojnë si gjobë dhe presin fatkeqësira për ju. Atyre u rëntë fatkeqësia! Allahu është Gjithëdëgjues e i Gjithëdijshëm.
- Por ka edhe beduinë të cilët besojnë Allahun dhe botën tjetër dhe, atë që e japin e konsiderojnë si mirësi që të afron tek Allahu dhe që bën të meritosh bekimet e të Dërguarit. Dijeni se patjetër ato do t’i afrojnë tek Allahu. Allahu do t’i përfshijë ata në mëshirën e Tij. Allahu është Falës i madh e Mëshirëplotë.
- Allahu është i kënaqur me besimtarët e hershëm muhaxhirë e ensarë dhe me ata që i pasuan me vepra të mira. Edhe ata janë të kënaqur prej Tij. Ai u ka përgatitur kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetësisht. Ky është fitimi i madh.
- Rreth jush ka beduinë që janë hipokritë. Edhe prej banorëve të Medinës ka nga ata që janë përcaktuar si hipokritë. Ti nuk i njeh ata, por Ne i dimë mirë. Kemi për t’i dënuar ata dy herë, e pastaj do të flaken në dënimin e madh.
- Ka edhe të tjerë, që janë të vetëdijshëm për gjynahet e veta. Ata kanë si vepra të mira, edhe vepra të këqija. Ata do t’i falë Allahu, se Ai është Pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë.
- Merr prej pasurisë së tyre sadaka, që t’i pastrosh dhe t’ua shtosh, dhe lutu për ta, se me të vërtetë lutja jote është qetësim për ta. Allahu është Gjithëdëgjues e i Gjithëditur.
- A nuk e dinin ata se Allahu e pranon pendimin e robërve të Vet dhe i pranon sadakatë e tyre, dhe se vetëm Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë?!
- Dhe thuaj: “Punoni, se Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i Dërguari i Tij e besimtarët. Më pas, ju do të ktheheni te Njohësi i të fshehtës dhe i të dukshmes, e Ai do t’ju tregojë se ç’keni bërë”.
- Ka edhe të tjerë, që janë lënë në pritje të vendimit të Allahut: a do t’i dënojë apo do t’i falë pasi të pendohen. Allahu e di mirë gjendjen e tyre dhe e di ç’bën me ta.
- Edhe ata që ndërtuan xhami sherri e mosbesimi, për përçarje mes besimtarëve dhe si pritje për atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të betohen: “Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, veç të mirës!” Po Allahu dëshmon se ata vërtet janë mashtrues.
- Ti mos u fal aty kurrë! Është më e drejtë të falesh në atë xhami, e cila, prej ditës së parë, është ngritur si devotshmëri ndaj Allahut. Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen. Allahu i do ata që dëlirësohen.
- A është më i mirë ai që e ka ngritur ndërtesën për devotshmëri dhe për kënaqësi të Allahut, apo ai që ka ngritur një ndërtesë rrëzë një bregoreje të shembur, e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë.
- Ndërtesa që kanë ndërtuar ata do të jetë brejtje e vazhdueshme në gjoksin e tyre, derisa t’u shkatërrohet zemra. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.
- Allahu blen prej besimtarëve shpirtin dhe pasurinë e tyre, për t’u dhënë në këmbim Xhenetin. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. Ky është një premtim i vërtetë i përmendur në Teurat, Ungjill e Kuran. E kush është mbajtës më i sigurt i premtimit sesa Allahu?! Atëherë, gëzojuni tregtisë që e bëni me Të! Ky është suksesi i madh.
- Të penduarit, adhuruesit, lavdëruesit, agjëruesit, ata që bëjnë ruku dhe sexhde, ata që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat dhe i ruajnë kufijtë e Allahut, pra, përgëzoji besimtarët!
- Nuk është e drejtë për Pejgamberin e as për besimtarët që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë nga të afërmit të tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se me të vërtetë ata janë banorë të Xhehenemit.
- Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet u bë veçse për shkak të një premtimi, që i ishte bërë më parë. Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. S’ka dyshim se Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë.
- Allahu nuk e humb një popull pasi ta ketë udhëzuar atë dhe para se t’u sqarojë atyre se nga çfarë duhet të ruhen. Të jeni të sigurt se Allahu di për gjithçka.
- Nuk ka dyshim se sundimi i qiejve e i tokës i takon vetëm Allahut. Ai jep jetë dhe vdekje. Ju nuk keni përkrahës apo ndihmës tjetër, veç Allahut.
- Allahu e fali Profetin, si edhe muhaxhirët dhe ensarët që e ndoqën pas në ato çaste të vështira, kur zemrat e disave prej tyre lëvizën nga vendi. Ata u falën prej Tij. Ai është vërtet i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.
- Edhe ata të tre, që mbetën mbrapa, aq sa edhe toka iu ngushtua, me gjithë gjerësinë e saj. Edhe shpirtrat e tyre u ngushtuan, derisa u bindën se nuk mund të gjesh strehim gjetkë, veçse tek Allahu. Ai i mëshiroi, që edhe ata të pendoheshin. Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirues.
- O ju besimtarë! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe gjithmonë jini me të drejtit!
- Nuk do të ishte me vend për banorët e Medinës e as për beduinët përreth, që të ngelen pas të Dërguarit të Allahut dhe të kursejnë veten, në vend të atij. Nuk do të ishte me vend, sepse sa herë që ata i kap etja, lodhja dhe uria, kur janë në rrugën e Allahut; sa herë që shkelin ndonjë vend që i hidhëron jobesimtarët, sa herë që arrijnë kundër armikut çfarëdo lloj fitoreje qoftë; të gjitha këto do t’u shkruhen si vepra të mira. Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve.
- Çdo herë që ata bëjnë ndonjë shpenzim, të vogël ose të madh, dhe sa herë që kapërcejnë ndonjë luginë, atyre do t’u regjistrohet, që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprën e tyre.
- Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse të mos shkojë një pjesë nga çdo grup i tyre, për të marrë diturinë fetare dhe për t’ia mësuar atë popullit të vet kur të kthehen, në mënyrë që të kuptojnë.
- O ju që keni besuar! Luftojini jobesimtarët që keni afër jush! Le ta ndiejnë ata ashpërsinë tuaj. Dijeni mirë se Allahu është me të devotshmit.
- Kur shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?!” Për sa u përket besimtarëve, ajo ua shton besimin dhe ata gëzohen.
- E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, derisa të vdesin si mohues.
- Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e, megjithatë, ata as nuk pendohen, as nuk reflektojnë?!”
- E kur zbret ndonjë sure, ata shikojnë njëri-tjetrin në sy: “A ju pa ndokush?”, e pastaj largohen. Allahu ua largoi zemrat atyre, sepse ata ishin njerëz që nuk kuptonin.
- Juve ju erdhi një profet nga lloji juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse lakmon rrugën e drejtë për ju. Për besimtarët, ai është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm.
- Po nëse ata refuzojnë, atëherë thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veçTij. Unë i mbështetem vetëm Atij dhe Ai është Zoti i Fronit të madh!”