Surja Jusuf (medinase) 111 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Elif, Lam, Ra. Këto janë ajete të Librit të qartë!
- Ne e zbritëm Kuranin në arabisht, që ju të mendoni.
- Ne po të përcjellim më të bukurin rrëfim, ndërkohë që më parë ti nuk kishe marrë të tilla njohuri.
- Përkujto kur Jusufi, i tha babait të vet (Jakubit): “O babai im! Unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje, diellin dhe hënën. Unë i pashë ato duke më bërë mua sexhde!”
- Ai i tha: “O biri im, mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve tu, se ndoshta të bëjnë ndonjë dredhi. Shejtani është vërtet armik i shpallur për njeriun.
- Kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty që të mësosh interpretimin e ëndrrave. Ai do ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe familjes së Jakubit, sikurse bëri më parë ndaj etërve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Vërtet, Zoti yt është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë!”
- Në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij ka vërtet shumë mësime për të gjithë ata që pyesin.
- Vëllezërit e tij thanë: “Babai ynë do më tepër Jusufin dhe vëllanë e tij sesa ne, ndërkohë që ne bëhemi një grup i fortë. Babai ynë po gabon qartë.
- Vriteni Jusufin ose hidheni diku, në ndonjë vend të largët, që babai juaj t’ju dojë vetëm juve, dhe më pas bëhuni njerëz të mirë”.
- Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin por, nëse doni të bëni diçka me të, hidheni në pus, që ta gjejë e ta marrë ndonjë karvan udhëtarësh”.
- Ata thanë: “O baba, përse nuk na e beson neve Jusufin? Ne veç i duam të mirën atij.
- Lëre nesër të vijë me ne, të hajë pemë dhe të luajë. Të sigurojmë se do ta ruajmë e do kemi kujdes për të!”
- Ai tha: “Do të më marrë malli, po të largohet prej meje. Gjithashtu, kam frikë se mos e ha ndonjë ujk, kur ju të mos e keni mendjen”.
- Ata thanë: “Për Zotin, ne bëhemi grup i fortë, prandaj nëse atë e ha ujku, atëherë ne mos qofshim fare!”
- E kështu, ata e morën dhe e lanë brenda një pusi, ndërsa Ne i shpallëm: “Ti do t’ua tregosh të gjitha këto që ata po bëjnë tani dhe ata nuk do të të njohin.”
- Në mbrëmje ata u kthyen te babai i tyre duke qarë.
- Dhe thanë: “O baba, ne shkuam të bënim gara, kurse Jusufin e lamë te rrobat tona, e në këtë kohë atë e hëngri një ujk. E dimë që ti nuk do të na besosh, edhe pse po të themi të vërtetën!”
- Dhe i sollën këmishën e tij të lyer me gjak të rrejshëm. Ai tha: “Jo, nuk është kështu. Egoja jua hijeshoi veprën tuaj. Megjithatë, durimi është gjëja më e mirë. Allahu është i vetmi që mund të më ndihmojë në këtë që ju po trilloni!”.
- Aty kaloi një karvan, të cilët dërguan dikë për të marrë ujë. Ai e lëshoi kovën brenda dhe, befas, tha: “Oh, sa gëzim! Këtu qenka një djalë!” Ata e morën dhe e fshehën djalin si mall tregtie, por Allahu e dinte shumë mirë se çfarë po vepronin.
- Pastaj e shitën atë shumë lirë, vetëm për pak monedha. Ata dukeshin që nuk lakmonin më tepër.
- Atë e bleu dikush nga Misiri, i cili i tha së shoqes: “Le të kënaqet sa të jetë këtu tek ne! Ai do të na shërbejë ose do ta kemi si fëmijë!” Kështu i bëmë vend Jusufit në tokë dhe i mësuam interpretimin e ëndrrave. Allahu është mbizotërues i të gjitha çështjeve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
- Kur arriti pjekurinë, Ne e bëmë gjykues të aftë dhe i falëm dituri. Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët.
- Zonja e shtëpisë ku ndodhej Jusufi nisi ta joshte, kundër dëshirës së tij. Pastaj, ajo mbylli të gjitha dyert dhe i tha: “Eja, jam e gatshme për ty!”. Por ai tha: “Allahu më ruajtë! Zotëriu im, me plot bujari, më nderoi e më strehoi mua! S’ka dyshim se tradhtarët nuk shpëtojnë kurrë!”
- Ajo e dëshiroi fort atë, aq sa edhe ai do të tërhiqej prej saj, sikur të mos shihte argumentin e Zotit të vet! Kështu, Ne vendosëm që të largonim prej tij të keqen dhe poshtërsinë. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë!
- Që të dy vrapuan drejt derës dhe, në këtë kohë, ajo ia grisi këmishën atij nga mbrapa. Tek dera, ata hasën burrin e saj. Ajo tha: “Çfarë ndëshkimi meriton ai që tenton të bëjë keq në familjen tënde, përveçse burgosje ose diçka tjetër më të dhimbshme?!”
- Jusufi tha: “Ajo provoi të më joshte mua, kundër dëshirës sime!” Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: “Nëse këmisha e tij është grisur përpara, ajo ka thënë të drejtën, kurse ai gënjen.
- E nëse këmisha e tij është grisur prapa, atëherë gënjen ajo, kurse ai thotë të drejtën”.
- Por, kur ai (burri i saj) e pa këmishën që ishte grisur nga prapa, tha: “Kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Me të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha!”
- “Jusuf, qëndro larg kësaj! Kurse ti tjetra kërko falje për gjynahun tënd, se vërtet ti je fajtorja!”
- Disa nga gratë e qytetit thanë: “Gruaja e zotërisë i është vërsulur marrëzisht shërbëtorit të vet! Asaj i ka hyrë në loçkë të zemrës dashuria për të. Me siguri që ajo e ka humbur fare!”
- Kur dëgjoi për këto thashetheme, ajo u çoi lajm për t’i ftuar dhe u përgatiti një gosti. Çdonjërës prej tyre i dha nga një thikë dhe i tha atij: “Hajde, dil para tyre!” Kur e panë, ato ngelën të shtangura, aq sa prenë edhe duart e tyre, dhe pastaj thanë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri! Ky duhet të jetë ndonjë engjëll fisnik!”
- Atëherë, ajo tha: “Ja, ky është ai, për të cilin ju më shatë! Unë u përpoqa ta joshja atë, po ai u përmbajt. Megjithatë, nëse nuk bën atë që e urdhëroj unë, ai do të burgoset dhe do të poshtërohet!”.
- Ai tha: “O Zoti im! Parapëlqej më tepër burgun, sesa atë ku më thërrasin ato. Nëse Ti nuk e largon kurthin e tyre prej meje, unë mund të tërhiqem prej tyre e të bëhem injorant!”.
- Zoti e pranoi lutjen e tij dhe ia largoi kurthin e tyre. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdituri.
- Më pas, edhe pasi verifikuan argumentet, ata e panë të arsyeshme që ta burgosnin atë për njëfarë kohe.
- Së bashku me të, hynë në burg dy të rinj. Njëri prej tyre tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po shtrydhja për verë”. Ndërsa tjetri tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po mbaja mbi kokë një bukë, që po hanin ca shpendë. A mund të na i shpjegosh këto ëndrra, se dukesh vërtet që je njeri i mirë?”
- Ai tha: “Sigurisht që do t’jua shpjegoj përpara se të vijë ushqimi që hani. Këtë gjë ma ka mësuar Zoti im. Unë i kam braktisur ata njerëz që nuk besojnë Allahun dhe që mohojnë jetën tjetër.
- Unë ndjek fenë e etërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Ne nuk kemi adhuruar asgjë tjetër veç Allahut. Kjo është prej mirësive të shumta të Allahut ndaj nesh dhe ndaj njerëzve në tërësi, por shumica nuk tregojnë mirënjohje për këtë.
- O shokë të burgut! Si mendoni ju, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo veç Allahu, që është Një e Ngadhënjimtar?
- Ata që ju adhuroni përveç Allahut, nuk janë gjë tjetër, por vetëm emra, që i keni vendosur vetë ju dhe paraardhësit tuaj, sepse Allahu nuk ka sjellë asnjë fakt për ta. Vendimet nuk i merr askush tjetër, por veç Allahu. Ai ka urdhëruar që të mos adhuroni asgjë tjetër veç Tij. Kjo është feja e drejtë, megjithëse shumica e njerëzve nuk e dinë këtë gjë.
- O shokë të burgut! Njëri prej jush do t’i shërbejë verë zotërisë të vet, kurse tjetri do të gozhdohet dhe shpendët do t’i hanë kokën. Kështu është përcaktuar çështja, për të cilën kërkuat shpjegim.
- Atij, për të cilin besonte se do të shpëtonte, i tha: “Më përkujto mua te zotëria yt!”. Por shejtani e bëri të harronte e ta përkujtonte te zotëria i tij, e kështu ai mbeti në burg edhe për disa vjet.
- Mbreti tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme, që haheshin nga shtatë lopë të dobëta, si dhe shtatë kallinj të gjelbër e të tjerë të tharë. Më tregoni, o njerëz të ngritur, për ëndrrën time, nëse dini të interpretoni ëndrrat!”
- Ata thanë: “Janë ëndrra të përziera. Ne nuk dimë të komentojmë ëndrra të tilla”.
- Ai që shpëtoi prej atyre të dyve u kujtua pas një periudhe, e tha: “Do t’jua tregoj kuptimin e saj. Më lejoni të shkoj!”
- Jusuf, o njeri i sinqertë! Si e shpjegon që shtatë lopë të majme haheshin nga shtatë lopë të dobëta, dhe shtatë kallinj të gjelbër e të tjerë të tharë? Ndoshta kur të kthehem tek njerëzit, ata do të kuptojnë!”
- Ai tha: “Mbillni shtatë vjet rresht! Prodhimin e korrur lëreni në kallinj, përveç një pakice, që do ta konsumoni.
- Pastaj do të vijnë shtatë vite të vështira, që do të harxhojnë çfarë keni ruajtur për to, përveç një pakice nga ajo që ju do ta ruani.
- Më pas do të vijë një vit plot reshje për njerëzit dhe plot të vjela”.
- Mbreti tha: “Ma sillni këtu atë!” Kur i dërguari shkoi tek Jusufi, ai i tha: “Kthehu te zotëriu yt dhe pyete atë: “Si është çështja e atyre grave që prenë duart e veta? Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre”.
- Ai tha: “Si qe puna juaj, kur deshët të joshnit Jusufin?” Ato thanë: “Zoti na ruajt! Nuk dimë që ai të ketë bërë ndonjë të keqe!” Gruaja e Ministrit tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta! Unë ngulmova ta josh atë, kundër dëshirës së tij. Ai është vërtet njeri i drejtë!
- Këtë e them për ta ditur se unë nuk e kam tradhtuar asnjëherë atë dhe se Allahu nuk i jep sukses dredhive të tradhtarëve.
- Unë kurrsesi nuk e shfajësoj veten time. Nuk ka dyshim se epshi është një nxitës i fortë për ligësi, përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës i madh e Mëshirëplotë.”
- Atëherë, Mbreti tha: “Ma sillni këtu atë, ta mbaj veçmas pranë vetes!” Pasi bisedoi me të, tha: “Tashmë ti ke një pozitë të lartë dhe je i besueshëm për ne”.
- Ai tha: “Më cakto mua si përgjegjës të depove të vendit! Unë të ofroj besnikërinë dhe diturinë time”.
- Kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë të lartë në tokë, që ai të bënte vend ku të dëshironte. Ne e begatojmë me mëshirën Tonë atë që duam dhe kurrë nuk ua humbim shpërblimin vepërmirëve.
- Pa dyshim, shpërblimi i botës tjetër është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe janë të devotshëm.
- Vëllezërit e Jusufit erdhën dhe u futën tek ai. Ai i njohu, ndërsa ata nuk e njohën.
- Pasi i furnizoi me të gjithë artikujt e nevojshëm, u tha: “Më sillni këtu edhe vëllain tuaj nga babai. A nuk e shikoni se unë jua jap ngarkesën të plotë dhe ju pres mirë?!”
- Nëse nuk ma sillni atë, nuk keni për të marrë furnizime tek unë e as mos u afroni këtej.”
- Ata thanë: “Ne do të përpiqemi ta bindim babain e tij për ta marrë. Sido që të jetë, ne do ta bëjmë këtë!”
- Ai u tha djemve të tij shërbëtorë: “Vendoseni mallin e tyre përsëri në ngarkesën e tyre, që, kur të kthehen te familja e tyre, ta gjejnë aty. Ndoshta kështu do të kthehen sërish te ne”.
- Kur shkuan te babai i tyre, ata i thanë “O baba! Nuk na japin furnizime, prandaj dërgoje me ne vëllain tonë, që të mund të marrim ushqime! Të sigurojmë se do ta ruajmë atë”.
- Ai tha: “T’jua besoj juve, sikurse bëra më parë me vëllain e tij?! Allahu është mbrojtësi më i mirë dhe Ai është më Mëshiruesi i mëshiruesve.”.
- Kur hapën ngarkesën, gjetën aty mallin e tyre, që u ishte kthyer, dhe thanë: “O baba! Ç’duam më tepër?! Ky është malli ynë. Na qenka kthyer! Ne do ta kemi drithë për familjen tonë, do ta ruajmë vëllain tonë dhe do ta shtojmë edhe një ngarkesë deveje. Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe”.
- Ai tha: “Nuk kam për ta dërguar atë me ju, derisa të më jepni besën në Allah, se do të ma ktheni pas, përveç nëse ju diktojnë rrethanat e vërtet nuk mundeni”. Kur ata i dhanë besën, ai tha: “Allahu është garantues për këtë që thamë!”.
- Ai tha: “O bijtë e mi! Mos hyni atje nga e njëjta portë, por nga porta të ndryshme. Megjithatë, unë nuk mund të largoj prej jush asgjë prej caktimit të Allahut. I gjithë pushteti i përket vetëm Allahut. Unë vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm Atij le t’i mbështeten besimtarët!”
- Ata hynë atje ashtu si i porositi babai i tyre. Megjithatë, kjo nuk ishte diçka që do të mund t’i ndihmonte nga caktimi i Allahut. Ajo ishte veçse një dëshirë e Jakubit në veten e tij, të cilën e kreu. Ai i dinte mirë ato që Ne i kishim mësuar, ndërsa shumica e njerëzve nuk i dinë.
- Kur u futën te Jusufi, ai e afroi pranë vetes vëllain e vet dhe i tha: “Unë jam yt vëlla, por ti mos u mërzit për veprën e tyre!”
- Pasi u dha furnizimet, ai e la enën brenda ngarkesës së vëllait të vet. Pastaj një zë thirri: “Devexhinj, ju jeni hajdutë!”
- Ata u kthyen dhe thanë: “Çfarë keni humbur?!”
- Ata i thanë: “Ka humbur ena e sunduesit. Kush e gjen atë, fiton një ngarkesë deveje me ushqime. Ju garantojmë për këtë!”
- Ata thanë: “Betohemi në Allahun, – dhe ju e dini mirë, – se ne nuk kemi ardhur për të bërë krime në tokë dhe nuk jemi vjedhës!”
- Ata thanë: “Po nëse gënjeni, atëherë çfarë ndëshkimi meriton ai?”
- Ata thanë: “Dënimi është që, ai të cilit i gjendet malli tek ngarkesa e vet, të robërohet. Kështu i dënojmë ne të padrejtët!”
- Atëherë, ai filloi me ngarkesat e tyre, përpara ngarkesës së vëllait të vet. Pastaj e nxori atë nga ngarkesa e të vëllait. Kështu, Ne e mësuam Jusufin të vepronte me plan. Sipas ligjit të Mbretit, atij nuk i takonte ta mbante vëllain e vet, veç nëse do të ishte dëshira e Allahut! Ne e lartësojmë në dituri atë që duam. Por, mbi çdo të dijshëm, ka të tjerë edhe më të ditur.
- Ata thanë: “Në pastë vjedhur ky, të dihet se ka vjedhur më parë edhe një vëlla i tij.” Jusufi, duke e mbajtur të fshehtë në vete dhe pa ua zbuluar atyre, tha: “Ju jeni në pozitë shumë më të keqe dhe Allahu e di më së miri atë që ju po trilloni.”
- Ata thanë: “O zotëri! Ai ka një babë të shtyrë në moshë, ndaj, në vend të tij, merr njërin prej nesh. Ne të shohim se qenke vërtet bamirës i madh!”
- Ai tha: “Allahu na ruajt! E si të marrim dikë tjetër, dhe jo atë tek i cili u gjet sendi ynë?! Ne atëherë do të bënim!”
- Kur e humbën shpresën tek ai, u veçuan për t’u konsultuar. Më i madhi i tyre tha: “A mos harruat që babai ka marrë prej jush betimin në Allah?! Ju e keni shkelur edhe një herë tjetër besën, kur ishte fjala për Jusufin. Unë nuk largohem prej këtij vendi, derisa të më lejojë im atë ose të gjykojë Allahu për mua. Ai është Gjykatësi më i drejtë!
- Ju kthehuni te babai juaj dhe i thoni: “O baba! Djali yt ka vjedhur. Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë. Ne nuk mund ta parashikonim atë që ndodhi!
- Ti dërgo njerëz e pyet në qytetin ku ishim dhe karvanin me të cilin kemi ardhur! Ne po të themi të vërtetën.”
- Ai tha: Ai tha: “Jo, nuk është kështu, por egoja jua zbukuroi veprimet tuaja. Durimi është gjëja më e mirë. Unë shpresoj që Allahu të m’i sjellë të gjithë; Ai është më i Dijshmi, më i Urti!”
- Pastaj, u ktheu shpinën atyre dhe tha: “Oh, i mjeri unë për Jusufin!” Sytë iu zbardhën nga pikëllimi. E pushtoi trishtimi të tërin.
- Ata thanë: “Për Allahun, ti po e përmend Jusufin pa pushim, saqë do të sëmuresh rëndë e do të vdesësh kështu”.
- Ai tha: “Unë hidhërimin tim ia parashtroj vetëm Allahut. Unë di për Allahun atë që ju nuk e dini”.
- O bijtë e mi! Shkoni dhe kërkoni për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve!”.
- Kur u futën tek ai, i thanë: “O zotëri, ne dhe familjen tonë na ka goditur skamje e rëndë, prandaj kemi ardhur me pak mall. Na e jep të plotë ngarkesën me furnizime dhe na dhuro diçka më tepër! Allahu i shpërblen ata që dhurojnë.”.
- Ai u tha: “A e mbani mend se çfarë keni bërë me Jusufin dhe vëllain e tij, kur ishit të paditur?”
- Ata thanë: “Vërtet, ti je Jusufi?!” Ai tha: “Unë jam Jusufi, ndërsa ky është im vëlla. Allahu na dhuroi mirësi. Me të vërtetë, ai që ruhet dhe bën durim, të jetë i sigurt se Allahu nuk ua humb shpërblimin punëmirëve”.
- Ata thanë: Betohemi në Allahun se Ai të dalloi ty mbi ne. Ne ishim vërtet gabimtarë.”
- Ai tha: “Sot nuk ka qortim kundër jush. Allahu ju faltë! Ai është më Mëshiruesi i mëshiruesve!
- Shkoni me këmishën time dhe hidhjani babait tim në fytyrë, që t’i kthehet shikimi. Pastaj ejani këtu me të gjithë familjen time”.
- Sapo karvani u largua, babai tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë.”
- Ata thanë: “Për Allah, ti po vazhdon me përhumbjen tënde të hershme”.
- Sapo erdhi lajmëtari, ia vuri atë mbi fytyrë, dhe atij vërtet iu kthye shikimi. Ai tha: “A nuk ju thashë se unë di prej Allahut atë që ju nuk e dini?”
- Ata thanë: “O baba! Lutu për ne, që të na falen gjynahet tona, se ne kemi qenë vërtet fajtorë!”
- Ai tha “Më vonë do t’i kërkoj falje Zotit tim për ju”. Ai është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
- Kur ata u futën te Jusufi, ai afroi pranë vetes të dy prindërit dhe tha: “Me dëshirën e Allahut, hyni në Egjipt të sigurt!”
- Të dy prindërit i mori lart në fron dhe kur ata iu përulën atij, ai tha: “O baba, kjo është domethënia e ëndrrës sime të dikurshme, të cilën Zoti im tashmë e bëri realitet. Ai më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut dhe ju solli këtu nga shkretëtira, pasi shejtani kishte futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im është i butë me atë që do. Ai është vërtet i Gjithëdijshmi dhe i Urti.
- “Zoti im! Ti më dhurove mua pushtet dhe më mësove komentimin e ëndrrave. O Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je kujdestari im në dynja e në ahiret. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!”
- Këto janë nga ato ngjarje të panjohura, që e Ne po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe pranë tyre kur ata vendosën për çështjen e tyre dhe kur thurën intrigën.
- Shumica e njerëzve nuk do të bëhen besimtarë, edhe nëse ti ngul këmbë.
- Ti nuk po kërkon prej tyre ndonjë shpërblim për të. Ajo nuk është gjë tjetër, por veçse këshillë për mbarë botën.
- Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën.
- Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë idhujtari.
- Mos vallë, janë të sigurt prej dënimit të Allahut, që mund t’i përfshijë, apo nga katastrofa e përgjithshme, që do t’u vijë befas, pa e ndier?!
- Thuaj: “Kjo është rruga ime. Unë dhe pasuesit e mi ftojmë në rrugën e Allahut, me dituri të qartë. I Dëlirë është Allahu dhe unë nuk jam idhujtar!”
- Ne dërguam para teje vetëm se burra nga banuesit e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje. Pse nuk udhëtojnënëpër tokë e të shohin se si ishte përfundimi i më të hershmëve? S’ka dyshim se jeta e botës së ardhshme është shumë më e mirë për