El Gafir (mekase) 85 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Ha, Mim!
- Shpallja e Librit është prej Allahut, Krenarit, të Gjithëdijshmit,
- Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që ndëshkon ashpër, si dhe prej Dhuruesit e Bamirësit të madh. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.
- Argumentet e Allahut nuk i kundërshton kush, veç atyre që nuk besojnë, prandaj mos u mashtro nga bredhja e tyre nëpër botë.
- Përpara tyre, mohuan populli i Nuhut dhe ata që erdhën pas. Të gjithë këta u përpoqën ta asgjësonin të Dërguarin e vet dhe polemizonin me të me kotësira, nëpërmjet të cilave synonin të zhduknin të Vërtetën, prandaj Unë i ndëshkova ata. Sikur ta dinit ju si ishte ai ndëshkim!
- Kështu, Fjala e Zotit tënd kundër atyre që nuk besojnë do të përmbushet: ata do të jenë banorë të Zjarrit.
- Ata që mbajnë Fronin dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë me lavde Zotin e tyre dhe i besojnë Atij. Ata kërkojnë falje për besimtarët: “Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo gjë, prandaj fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde, dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit flakërues!
- Zoti ynë, futi ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjyesi e i Urti!
- Ruaji ata prej të këqijave, sepse atë që Ti e mbron atë ditë prej të këqijave, vërtet e ke mëshiruar! Ky është vërtet shpëtimi i madh”.
- Nuk ka dyshim se mohuesve do t’u thuhet: “Urrejtja e Allahut ndaj jush, kur ju ftoheshit të besonit e ju refuzonit, ishte më e madhe se urrejtja juaj sot ndaj vetvetes”.
- Ata do të thonë:“O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Ne i pranojmë gjynahet tona tani, prandaj, a ka për ne ndonjë rrugëdalje?”
- Atyre do tu thuhet: “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si Një të vetëm, ju e refuzonit, e nëse ishte për të adhuruar ndonjë tjetër veç Tij, ju e pranonit. Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhërishmit!
- Është Ai që ju tregon shenjat e Tij dhe ju zbret rizkun prej qiellit, por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.
- Pra, drejtojuni Allahut me lutje të sinqertë ndaj Tij, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!
- Ai është Zotëruesi i pozitës më të lartë, Zotëruesi i Fronit. Ai, me urdhrin e Vet, ia jep Shpirtin atij që Ai do nga robërit e Vet, për t’i paralajmëruar për Ditën e Takimit,
- për Ditën kur ata do të dalin në shesh, e kur Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre. I kujt është pushteti sot? I Allahut, të Vetmit, Ngadhnjimtarit!
- Sot çdokush shpërblehet për atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi. Allahu është Llogaritës i shpejtë.
- Paralajmëroji ata për Ditën e Afërt, kur zemrat do të arrijnë në fyt nga tmerri. Për zullumqarët nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues që i shkon fjala.
- Ai e di për shikimin vjedhurazi dhe për atë që fshihet në zemra.
- Allahu gjykon me drejtësi, ndërsa ata që adhurohen veç Tij nuk kanë në dorë të gjykojnë për asgjë. Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.
- A nuk shëtisin ata nëpër botë e të shohin se si ka qenë përfundimi i popujve pararendës? Ata ishin edhe më të fuqishëm dhe lanë më shumë gjurmë në tokë, por përsëri Allahu i dënoi për shkak të gjynaheve të tyre, ndërkohë që ata nuk patën ndonjë që t’i mbronte prej dënimit të Allahut.
- Kjo ndodhi sepse, kur profetët u shkonin atyre me argumente të qarta, ata i mohonin ato, e kështu Allahu i ndëshkoi. Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm dhe ndëshkon ashpër.
- Ne e dërguam Musain me argumentet Tona e me fakte të qarta
- te Faraoni, te Hamani dhe te Karuni, por ata i thanë: “Magjistar e gënjeshtar!”
- Kur ai ua solli të vërtetën nga ana Jonë, ata thanë: “Vritini djemtë e atyre që besojnë si ai dhe lërini të jetojnë vajzat e tyre!” Por kurthet e mohuesve janë të destinuara të dështojnë.
- Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain, dhe le ta thërrasë ai Zotin e vet!” Unë në të vërtetë druhem se ai po ndryshon fenë tuaj e po nxit shkatërrimin në tokë!”
- Musai tha: “Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që të më mbrojë prej çdo kryeneçi, që nuk i beson Ditës së Përgjegjësisë!”
- Një besimtar nga familja e Faraonit, që e fshihte besimin e vet, tha: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: “Zoti im është Allahu”, ndërkohë që ju ka sjellë argumente të qarta prej Zotit tuaj? Nëse ai është gënjeshtar, dënimi për gënjeshtrën e vet do të godasë mbi të, por nëse është i drejtë, juve do t’ju godasë diçka nga ajo me të cilën ai ju kërcënon. Nuk ka dyshim se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron dhe është gënjeshtar.
- O populli im, sot juve keni sundimin në tokë, por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut kur ai të godasë mbi ne?” Faraoni tha: “Unë po ju tregoj veçse atë që shoh dhe po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!”
- Ndërkaq, ai që kishte besuar tha: “O populli im! Unë kam frikë se do t’ju godasë ndonjë dënim ashtu si popujt e mëparshëm,
- si dënimi i popullit të Nuhut, të Adit, të Themudit dhe brezave pas tyre. Allahu nuk dëshiron padrejtësi ndaj robërve.
- O populli im! Unë kam frikë për ju Ditën e Britmës,
- ditën kur, nga frika, do të sprapseni për të gjetur shpëtim, por nuk do të gjeni ndonjë që t’ju mbrojë prej Allahut. Atë që Allahu e lë në humbje, për të nuk do të gjesh udhëzues.
- Edhe më parë ju erdhi Jusufi me argumente të qarta, por ju vazhduat të kishit dyshime ndaj mesazhit që ju solli ai. Ndërsa kur ai vdiq, ju thatë: “Allahu kurrë nuk do të dërgojë më pejgamber pas tij!” Kështu, Allahu e lë në humbje këdo që e tepron dhe ka dyshime.
- Ata që polemizojnë rreth argumenteve të Allahut duke mos pasur asnjë fakt, ata janë shumë të urryer për Allahun dhe për besimtarët. Kështu e vulos Allahu çdo zemër arroganti e tirani.
- Faraoni tha: “O Haman, më ndërto një kullë, ndoshta do t’i arrij rrugët,
- rrugët e qiejve, e të shoh Zotin e Musait, sepse unë mendoj se ai është gënjeshtar”. Kështu, Faraonit iu duk e mirë vepra e tij e keqe dhe u shmang prej rrugës së drejtë. Sigurisht që kurthet e Faraonit përfunduan të dështuara.
- Ai që kishte besuar tha: “O populli im, më pasoni mua, që t’ju udhëzoj në rrugën e drejtë!
- O populli im, jeta e kësaj bote është veçse një përjetim i shkurtër, ndërsa jeta tjetër është e pasosur.
- Kush bën ndonjë vepër të keqe, do të ndëshkohet vetëm për aq sa meriton, e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet, ku do të shpërblehet pa masë.
- O populli im! Ç’është kështu, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni për në Zjarr?
- Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe të adhuroj veç Tij zota të tjerë, për të cilët nuk kam dituri, ndërsa unë ju ftoj të adhurojmë të Gjithëfuqishmin, Mëkatfalë-sin!
- Është e vërtetë se ata zota, tek të cilët ju më ftoni, nuk meritojnë t’u lutesh as në dynja e as në botën tjetër. Kthimi ynë është tek Allahu. Nuk ka dyshim se ata që e teprojnë me të këqija do të jenë banorë të Zjarrit.
- Ju do t’i kujtoni shumë shpejt këto që po ju them! Unë çështjen time ia besoj Allahut, se Allahu i sheh robërit e Vet!”
- Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave e kurtheve që i kurdisën, ndërsa ithtarët e Faraonit i përfshiu dënimi më i rëndë.
- Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të arrijë Ora, do të thuhet: “Futini pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë!”
- Kur të grinden mes njëri-tjetrit në Zjarr, të dobëtit do t’u thonë parisë që mbahej me të madh: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj, ndaj a mund të na e lehtësoni disi dënimin e Zjarrit?”
- Ata që krekoseshin do të thonë: “Ne jemi të gjithë këtu! Tashmë, Allahu e ka përfunduar gjykimin mes robërve”.
- Ata që gjenden në Zjarr do t’u thonë rojtarëve të Xhehenemit: “Luteni Zotin tuaj të na e lehtësojë, qoftë edhe një ditë, dënimin!”
- Ata do t’u thonë: “A nuk ju erdhën të dërguarit tuaj me argumente të qarta?” Ata përgjigjen: “Po!”. – “Atëherë – do u thonë – lutuni vetë tani!” Por lutjet e jobesimtarëve do të jenë të kota!
- Ne patjetër që do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan, në jetën e kësaj bote dhe në ditën kur të paraqiten dëshmitë.
- Atë ditë, zullumqarëve nuk do t’u bëjnë dobi shfajësimet. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i keq.
- Ne i dhamë Musait udhëzimin, ndërsa bijve të Israilit u lamë në trashëgim Librin,
- si udhërrëfyes e përkujtues për mendarët.
- Ti bëj durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë. Kërko falje për gjynahet e tua dhe lartësoje me lavde Zotin tënd, mbrëmje e mëngjes!
- Ata që kundërshtojnë Shpalljen e Allahut pa pasur argument, kanë në zemrat e tyre veçse mendjemadhësi, me të cilën nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Kërko mbrojtje tek Allahu, se Ai është vërtet Gjithëdëgju-es dhe Gjithëshikues.
- S’ka dyshim se krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
- Nuk është i barabartë i verbëri dhe ai që sheh; as ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira nuk janë të barabartë me të këqijtë. Sa pak që përkujtoni!
- Sigurisht që Ora do të vijë! Për këtë s’ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
- Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Ata që, nga mendje-madhësia, i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.
- Është Allahu Ai që natën e bëri për të pushuar, ndërsa ditën e bëri të ndritshme. Allahu është dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.
- Ky është Allahu, Zoti juaj, Krijuesi i çdo gjëje. Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij. Atëherë, si i largoheni?
- Kështu sprapsen ata të cilët i mohojnë argumentet e Allahut.
- Është Allahu Ai që Tokën jua bëri vendbanim e qiellin çati. Ai ju dha formë, duke e përkryer atë dhe ju begatoi me të mira. Ky është Allahu, Zoti juaj. I Lartësuar e plot begati është Allahu, Zoti i botëve!
- Ai është i Përjetshmi. S’ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, prandaj vetëm Atij lutjuni, duke iu përkushtuar me adhurime të sinqerta! Lavdia e plotë i qoftë vetëm Allahut, Zotit të Gjithësisë!
- huaj: “Mua më është ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni veç Allahut, pasi më kanë ardhur argumente të qarta nga Zoti im, dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem e nënshtrohem vetëm Zotit të botëve”.
- Është Allahu Ai që ju ka krijuar fillimisht prej dheu, pastaj prej një pikë fare, e pastaj prej gjaku të ngjizur. Mandej, Ai ju bën të lindni si foshnje, e më vonë të arrini pjekurinë, e pastaj të plakeni; disa prej jush vdesin më herët, në mënyrë që të gjithë të arrini afatin e caktuar dhe që të arrini të kuptoni.
- Është Allahu Ai që jep jetë dhe sjell vdekje. Kur dëshiron diçka, Ai vetëm thotë: “Bëhu”, e ajo menjëherë bëhet.
- A nuk i sheh ata që kundërshtojnë argumentet e Allahut se si largohen nga e vërteta?
- Ata që mohojnë Librin dhe mesazhet që u kemi dhënë të dërguarve Tanë, më vonë do ta kuptojnë të vërtetën:
- atëherë, kur zinxhirët t’u shtrëngohen në qafa e të tërhiqen zvarrë,
- me ujë të valë dhe kur të hidhen në Zjarr.
- Pastaj do të pyeten: “Ku janë ata që i adhuronit
- në vend të Allahut? Ata do të thonë: “Na kanë humbur sysh! Ne nuk kemi adhuruar asgjë më parë!” Ja, kështu i shpie Allahu në humbje jobesimtarët.
- Këtë e keni për shkak se gëzoheshit në tokë pa kurrfarë të drejte dhe për shkak se mburreshit shumë.
- Hyni tani në dyert e Xhehenemit! Aty do të jeni përgjithmonë. Sa i shëmtuar është vendi i kryeneçëve!
- Bëhu i durueshëm se, pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë! Ne ose do të bëjmë të shohësh diçka nga dënimi që u kemi premtuar atyre, ose do të ta marrim jetën . Por, pa dyshim, ata tek Ne do të kthehen.
- Ne, edhe para teje kemi dërguar pejgamberë. Për disa prej tyre të kemi njoftuar me rrëfimet Tona, e për disa prej tyre nuk të kemi njoftuar. Asnjë pejgamber nuk mundi të sjellë ndonjë mrekulli ndryshe, por veçse me lejen e Allahut. Kur të vijë urdhri i Allahut, gjykimi do të zbatohet me drejtësi e, atëherë, ithtarët e të kotës do të dëshpërohen.
- Është Allahu Ai që i krijoi kafshët për ju, që disa t’i shaloni e disa të tjera t’i përdorni për ushqim.
- Ju prej tyre keni dobi të shumta dhe përmes tyre plotësoni nevojat tuaja. Nëpërmjet tyre dhe mbi anije ju mbartni e udhëtoni.
- Ai ju mundëson t’i shihni shenjat e Tij. Cilën shenjë të Allahut mohoni ju?
- A nuk lëvizin ata nëpër botë, për të parë se si qe fundi i atyre që jetuan më herët? Ata ishin më të shumtë dhe më të fortë për nga forca e gjurmët që lanë në tokë, por atyre nuk u bënë aspak dobi ato që kishin fituar.
- Kur u erdhën të dërguarit me shenja të qarta, ata iu gëzuan diturisë së vet, dhe atëherë i përfshiu ai me të cilin talleshin.
- E kur e panë dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë vetëm Allahut dhe i mohojmë ata që adhuronim veç Tij”.
- Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i Allahut ndaj robërve të Tij. Ai çast do të jetë dëshpërim për jobesimtarët.”