El Fussilet (mekase) 54 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Ha, Mim.
- Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Ky është Libër, ajetet e të cilit janë shtjelluar qartë. Ky është Kuran në arabisht, për një popull me dije.
- Ai është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre i kthejnë shpinën dhe nuk e dëgjojnë.
- Ata thonë: “Zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që ti na thërret, kurse veshët tanë janë shurdhuar keq; ndërmjet nesh dhe teje ekziston një perde, prandaj ti vepro sipas tëndes, kurse ne do vazhdojmë me tonën!”
- Thuaj: “Unë jam veçse një njeri, sikurse edhe ju. Mua më shpallet se i adhuruari juaj është vetëm Zoti Një, ndaj përqendrohuni në rrugën drejt Tij dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë për ata që, veç Tij, adhurojnë zota të tjerë,
- e të cilët nuk e japin zekatin dhe mohojnë jetën tjetër.
- Nuk ka dyshim se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira kanë shpërblim të pandërprerë.
- Thuaju: “Ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy ditë dhe i përshkruani Atij shok, kur Ai është Zoti i botëve?!
- Është Ai që në të vuri male të fuqishme, ia shtoi të mirat asaj dhe brenda katër ditëve të plota përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” Ky është shpjegimi për ata që pyesin.
- Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte si tym, dhe i tha atij dhe tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me dëshirë ose me dhunë!” Ata të dy thanë: “Po, i bindemi me dëshirë!”
- Dhe Ai krijoi shtatë qiej brenda dy ditëve, duke i caktuar secilit qiell atë që i nevojitej. Qiellin më të afërt e stolisëm me yje plot shkëlqim dhe e bëmë të mbrojtur. Ky është caktim i të Plotfuqishmit e të Dijshmit.
- Në qoftë se ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj për një rrufe, si rrufeja e Adit dhe Themudit!
- Kur atyre u erdhën të dërguarit nga çdo anë, duke i këshilluar: “Mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut”, ata thanë: “Po të donte, Zoti ynë do të dërgonte engjëj. Prandaj ne nuk i besojmë mesazhit që përcillni ju!”
- Sa i përket popullit Ad, ata u treguan arrogantë në tokë dhe pa kurrfarë të drejte thanë: “Kush është më i fortë se ne?” A nuk e dinin ata se Allahu, i Cili i krijoi, është më i fortë se ata?! Ata i refuzuan padrejtësisht shenjat Tona.
- Për këtë shkak, Ne lëshuam kundër tyre një erë shumë të ftohtë për disa ditë shkatërruese, për t’i bërë që ta vuajnë dënimin nënçmues që në jetën e kësaj bote, ndërsa në botën tjetër dënimi do të jetë edhe më i shëmtuar, ndërkohë që nuk do të kenë asnjë ndihmë.
- Sa i përket Themudit, Ne ua treguam udhën e drejtë, por ata parapëlqyen verbërinë kundrejt udhëzimit. Ata i kapi tmerri i dënimit poshtërues, për shkak të asaj që vepruan.
- Ndërkaq, Ne i shpëtuam ata që kishin besuar dhe që ishin të ruajtur.
- Paralajmëroji ata për ditën kur armiqtë e Allahut të tubohen për në Zjarr dhe të shtyhen me forcë në të.
- Kur ata t’i afrohen atij, kundër tyre do dëshmojnë të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë vepruar.
- Ata do t’u thonë lëkurave të veta: “Përse dëshmoni kundër nesh?” Ato do thonë: “Është Allahu Ai që na bëri të flasim, Ai i Cili çdo gjëje ia ka dhënë të folurit. Është Ai që ju krijoi ju herën e parë, dhe pastaj vetëm tek Ai do të ktheheni”.
- Ju nuk kishit frikë se kundër jush do të dëshmonin të dëgjuarit tuaj, të parit tuaj dhe lëkurat tuaja. Ju menduat se Allahu nuk dinte për shumë gjëra që ju vepronit.
- Pikërisht mendimi i gabuar që ju patët për Zotit tuaj ju shkatërroi, dhe tani jeni më të dëshpëruarit.
- Nëse arrijnë ta durojnë, Zjarri është vend i tyre, e nëse kërkojnë të kthehen atje ku dëshirojnë, nuk kanë për ta arritur.
- Ne u shoqëruam atyre shokë të këqij, që vazhdimisht ua hijeshonin veprat e këqija në jetën e tyre dhe mohimin e asaj që i priste më vonë. Për këtë arsye, dënimi i tyre duhet të bëhet realitet, ashtu si ai i popujve xhindë dhe njerëz, që ishin para tyre. Me të vërtetë, ata ishin të humbur.
- Ata që nuk besojnë thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe, kur të lexohet, llomotitni, se ndoshta ia dilni mbanë!”
- Ne do të bëjmë që mohuesit të shijojnë një dënim të ashpër. Ne do t’i ndëshkojmë ata sipas veprave më të këqija që punuan.
- Ky është ndëshkimi i armiqve të Allahut: Zjarri. Atje është vendi i tyre i përhershëm, si shpërblim për refuzimin e padrejtë të argumenteve Tona.
- Jobesimtarët do të thonë: “O Zoti ynë, na i trego ata xhindë dhe njerëz që na devijuan, që t’i shkelim me këmbët tona; qofshin të poshtëruar!”
- S’ka dyshim se atyre që thonë: “Allahu është Zoti ynë”, dhe pastaj tregohen të palëkundur në këtë, do t’u zbresin engjëjt (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni, mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!
- Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshironi dhe gjithçka që kërkoni.
- Kjo është pritje e nderuar prej Falësit e Mëshiruesit!”
- E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam musliman!”?
- E mira nuk është e barabartë me të keqen, prandaj ktheje atë (të keqen) me mënyrën më të mirë, se atëherë edhe ai me të cilin ke njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.
- Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, përveç atyre që janë të durueshëm; dhe nuk mund ta arrijë kush, përveç atyre që kanë virtyt të lartë.
- E nëse ty të prek ndonjë ngacmim prej Shejtanit, ti kërko mbrojtje prej Allahut, se vërtet Ai është Dëgjuesi e i Dijshmi!
- Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, Dielli e Hëna. Mos i bëni sexhde as Diellit, as Hënës! Sexhde i bëni vetëm Allahut, i Cili i krijoi ato, nëse vërtet e adhuroni vetëm Atë!
- Po nëse ata refuzojnë, atëherë ata që janë pranë Zotit tënd i bëjnë tesbih vetëm Atij, natën e ditën, dhe ata kurrë nuk mërziten me adhurimin.
- Nga shenjat e Tij është edhe toka, që ti e sheh të thatë, e kur Ne i lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e shtohet. E s’ka dyshim se Ai që e gjallëron atë do t’i ngjallë të vdekurit, sepse Ai është i Plotpushtetshëm për çdo gjë.
- Ata që shtrembërojnë ajetet Tona, nuk munden kurrë të na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në Zjarr, apo ai që në Ditën e Kijametit do të vijë i sigurt? Veproni si të dëshironi, por ta dini se Ai është Shikues i gjithçkaje që ju punoni.
- Ata që e mohojnë Përkujtimin, kur ai u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një libër i pacenueshëm.
- Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit e të Lavdishmit.
- Ty nuk po të thuhet gjë tjetër, veç asaj që u është thënë të dërguarve para teje. Vërtet, Zoti yt është Falës i madh, por edhe ndëshkimin e ka të dhimbshëm.
- Sikur ta kishim shpallur Kuranin në një gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë të kuptueshme ajetet e tij? Përse, vallë, ai është në gjuhë të huaj, ndërkohë që ai është arab?!” Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta janë njësoj si të thirren prej një vendi të largët”.
- Ne i dhamë edhe Musait një libër, lidhur me të cilin pati kundërshtime. Sikur të mos ishte vendimi i Zotit tënd i vendosur më parë, gjykimi ndaj tyre do të kryhej menjëherë. Me të vërtetë, ata janë në një dyshim të thellë rreth tij.
- Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve.
- Vetëm tek Ai është dituria për Orën e Kijametit. Asnjë fryt nuk del prej lëvozhgës së vet dhe asnjë femër nuk mbars e as nuk lind pa dijen e Tij. Ditën kur Ai t’i thërrasë njerëzit e t’u thotë: “Ku janë ata që i konsideronit si ortakët e Mi?” Ata do thonë: “Ne të kemi njohur vetëm Ty, e nuk ka ndonjë që dëshmon se ke shok!”
- Kështu zhduken ata që adhuroheshin më parë, e ata binden se nuk kanë më shpëtim.
- Njeriu nuk lodhet së luturi për mirë, por kur atë e godet e keqja, ai ligështohet shumë dhe humb e shpresën.
- Nëse pas të këqijave që e godasin, Ne i dhurojmë mëshirë nga ana Jonë, ai padrejtësisht thotë: “Këtë e kam merituar vetë. Nuk besoj se do të ndodhë ndonjëherë Kijameti. Por edhe sikur të kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë mua më shumë të mira!” Por Ne, patjetër, do t’ua tregojmë mohuesve se çfarë kanë bërë dhe do t’u japim të vuajnë një ndëshkim të rëndë.
- Kur Ne e begatojmë njeriun, ai nuk falënderon, por kthen shpinën. Por kur e godet e keqja, ai përulet dhe lutet shumë.
- Thuaj: “Më tregoni! Nëse ky është vërtet prej Allahut, ndërsa ju e mohoni atë, atëherë kush është në humbje më të madhe se ata që janë në kundërshtim të hapur me të?!”
- Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin shenjat Tona në horizont dhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ai është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmues për çdo gjë?
- Vërtet, ata janë në dyshim për takimin me Zotin e tyre, por le ta dinë se pushteti i Tij përfshin gjithçka.