Ez Zuhruf (mekase) 89 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Ha, Mim.
- Betohem në Librin e qartë!
- Me të vërtetë, Ne e shpallëm Kuranin në arabisht, që të jetë i kuptueshëm për ju.
- Nuk ka dyshim se, në Pllakën e Ruajtur (Levhi Mahfudh) te Ne, ai është i lartë dhe plot urtësi.
- Vallë, a do ta lëmë Ne përkujtimin tuaj e t’ju braktisim, për shkak se jeni popull i shfrenuar?!
- Sa e sa profetë kemi dërguar në popujt e mëparshëm?!
- Por sa herë që u vinte një profet, ata talleshin me të.
- Ne kemi shkatërruar popuj edhe më të fuqishëm se këta, të cilëve jua kemi treguar shembullin e popujve të shkuar.
- Nëse ti i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt e Tokën?” Me siguri do të thonë: “Ato i krijoi i Gjithëfuqishmi e i Dijshmi!”
- Është Ai i Cili e bëri Tokën si shtrat për ju dhe ju mundësoi të keni rrugë e të orientoheni në të.
- Është Ai i Cili lëshon nga qielli shi me masë, me të cilin i japim jetë tokës së shkretuar. Ja, kështu do të ringjalleni edhe ju!
- Është Ai i Cili ka krijuar gjithçka në çift dhe që ju ka mundësuar anije dhe kafshë, që të udhëtoni me to.
- Kur të uleni mbi to, përkujtojeni këtë të mirë që ju ka dhënë Zoti juaj dhe, pasi të qëndroni mbi to, thoni: “I Lavdëruar qoftë Ai, që i nënshtroi këto për ne, sepse përndryshe, vetë ne nuk do të kishim mundësi ta bënim!
- Ne, me siguri, te Zoti ynë do të kthehemi!”
- Ata i konsiderojnë disa krijesa të Tij si pjesë e Tij. Me të vërtetë, njeriu është mohues i hapur.
- Mos vallë, nga ato që krijoi, Ai zgjodhi për vete vajza, kurse juve ju fali djem?!
- Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për lindjen e saj (vajzës), të cilën e pretendon për të Gjithëmëshirshmin, fytyra i nxihet dhe fryma i zihet.
- Vallë, a është ajo që rritet me stoli e që ka argumentim të dobët?
- Edhe engjëjt, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit, ata i konsiderojnë femra. A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.
- Ata thonë gjithashtu: “Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i adhuronim ata!” Por ata nuk kanë ndonjë provë për këtë. Ata, faktikisht, vetëm gënjejnë.
- A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen?
- Jo, por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.
- Në fakt, Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”.
- Ai u thoshte: “Vallë, edhe pse ju kam sjellë një udhëzim më të mirë nga ai që ju keni gjetur tek të parët tuaj?” Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë gjë për të cilën ju jeni dërguar!”
- Atëherë, Ne i goditëm me ndëshkime. Shih tani se si qe përfundimi i mohuesve!
- Kur Ibrahimi i tha babait të vet dhe popullit të tij: “Unë i urrej dhe u qëndroj larg atyre që ju adhuroni,
- përveç Atij që më krijoi, i Cili është Ai që më ka udhëzuar në rrugën e drejtë!”
- Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata gjithmonë të kthehen.
- Unë i lashë këta dhe etërit e tyre të kënaqen, derisa u erdhi e vërteta dhe i Dërguari me fakte.
- Po, kur u erdhi e vërteta, ata thanë: “Kjo është magji, prandaj nuk i besojmë asaj!”
- Pastaj thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kuran një njeriu që gëzon reputacion në dy qytete?!”
- A thua se janë ata që e përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd? Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri-tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.
- E sikur të mos ishte për njerëzit, që priren drejt një besimi, Ne atyre që nuk e besojnë Mëshiruesin do t’ua bënim prej argjendi tavanet e shtëpive edhe shkallët mbi të cilat ata ngjiten,
- madje edhe dyert e shtëpive apo kolltukët mbi të cilët mbështeten,
- e shumë stoli të tjera. Por të jeni të sigurt se të gjitha këto nuk janë gjë tjetër, veçse kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti yt është për të devotshmit.
- Kush i kthen shpinën Përkujtimit të Zotit, Ne i shoqërojmë nga një shejtan, i cili nuk i ndahet kurrë.
- Ai (shejtani) e devijon nga rruga e drejtë, ndërkohë që ai (jobesimtari) mendon se është i udhëzuar mirë.
- E kur të vijë ai (jobesimtari) para Nesh, do të thotë: “Oh, mjerë për mua! Ah, sikur mes meje dhe teje (o shejtan) të kishte një largësi sa lindja prej perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!”
- Ju bënit zullume (do t’u thuhet), prandaj sot nuk do t’ju lehtësojë aspak fakti se nuk jeni të vetmit që po ndëshkoheni!
- Vallë, ti do ta bësh të shurdhërin të dëgjojë, ti do ta drejtosh të verbërin dhe atë që ka humbur keq?
- Edhe sikur të të tërheqim ty, Ne patjetër që do të hakmerremi ndaj tyre.
- Ne mund edhe të bëjmë që ti ta shohësh të realizuar premtimin që u kemi dhënë atyre. Pa dyshim, Ne jemi të Plotfuqishëm mbi ta.
- Atëherë, ti përmbaju fort Shpalljes që po të jepet! S’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë.
- Me të vërtetë, ajo është lëvdatë e madhe për ty dhe për popullin tënd, dhe për këtë do të përgjigjeni.
- Pyeti ata që i dërguam para teje: a kemi lejuar që, në vend të Allahut, të adhurohen zota të tjerë?
- Ne e dërguam Musain me shenjat Tona te Faraoni dhe rrethi i tij, dhe ai u tha: “Unë jam i dërguari i Zotit të gjithësisë!”
- Por kur ai u shpalosi shenjat Tona, ata u tallën dhe qeshën me to.
- Ne nuk u treguam asnjë mrekulli, që të mos ishte më e madhe se paraardhësja e saj. Ndaj tyre zbritëm edhe ndëshkime, që të tërhiqeshin nga ajo rrugë e tyre.
- Por ata thanë: “O magjistar! Lute për ne Zotin tënd, sipas besës që ta ka dhënë, se ne po besojmë!”
- E kur Ne ua hoqëm ndëshkimet, ata përsëri e thyen besën.
- Ndërkohë, Faraoni thirri popullin e vet e u tha: “O populli im! A nuk janë nën pushtetin tim Egjipti dhe këta lumenj, që rrjedhin nën pallatin tim?! A e shikoni?
- Atëherë, cili është më i mirë? A nuk jam unë, apo është ai qyqar, që mezi flet?!
- Përse nuk i janë dhënë atij bylyzykë floriri? Përse nuk kanë ardhur engjëj bashkë me të, si shoqërues?”
- Ai e frikësoi popullin e vet, kurse ata e dëgjuan. Ata ishin vërtet një popull i shkatërruar.
- Kur ata shkaktuan zemërimin Tonë, Ne u hakmorëm ndaj tyre, duke i përmbytur të gjithë.
- Kështu, Ne i bëmë ata shembull e mësim për të tjerët.
- Kur popullit tënd iu përmend si shembull Biri i Merjemes, ata u entuziazmuan
- dhe thanë: “A janë më të mirë zotat tanë apo ai?!” Ata e thanë këtë veçse për polemikë, sepse ata janë vërtet njerëz ngatërrestarë.
- Ai ka qenë veçse një adhurues, të cilit i dhuruam mirësi dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm për bijtë e Israilit.
- Po të donim, Ne mund të bënim engjëj në vendin tuaj, që t’ju zëvendësonin në tokë.
- Pa dyshim, ai qe parashenjë e Momentit, prandaj kurrsesi mos dyshoni në të, por pasoni rrugën time, sepse kjo është rruga e drejtë!
- Të mos ju pengojë Shejtani, se ai është armiku juaj i hapur!
- Kur erdhi Isai me shenja të qarta, tha: “Erdha te ju me urtësinë dhe që t’ju sqaroj një pjesë të çështjeve, për të cilat keni mospajtime. Kini frikë Allahun dhe bindmuni mua!
- S’ka dyshim që Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhurojeni! Kjo është rruga e drejtë!”
- Por grupacionet u përçanë mes tyre. Mjerë zullumqarët për dënimin e Ditës së Dhembshme!
- A mos presin gjë tjetër ata, përveçse t’u vijë Ora befas dhe pa e kuptuar?!
- Atë ditë, edhe miqtë e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve.
- (Allahu do tu thotë): “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni!
- Ju të cilët besuat shpalljet Tona dhe u treguat të dorëzuar!
- Hyni në Xhenet duke u gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja!
- Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta. Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. Aty do të jeni përgjithmonë.
- Ky është Xheneti, të cilin e fituat prej veprave që keni bërë.
- Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani!”
- Ndërkaq, kriminelët do të vuajnë ndëshkimin e përjetshëm në Xhehenem.
- Për ta nuk do të ketë asnjë lehtësim. Të dëshpëruar do të jenë gjithmonë!
- Ne nuk u bëjmë padrejtësi atyre, sepse ata kanë bërë krime.
- Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë!
- Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj!”
- A mos po ngrejnë ndonjë kurth ata?! Por edhe Ne ngrejmë kurthe!
- A mendojnë ata se Ne nuk ua dëgjojmë të fshehtat dhe bisedat sekrete mes tyre? Po, i dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë, që janë pranë tyre, i mbajnë shënim ato.
- Thuaj: “Sikur Mëshiruesi të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i tij!”
- I Lartësuar dhe larg të metave është Zoti i qiejve e i Tokës, Zoti i Fronit, nga ajo që ata e përshkruajnë.
- Po lëri ata të zhyten më thellë dhe të argëtohen, derisa të arrijnë ditën që u është përcaktuar.
- Ai është i vetmi Zot (që meriton adurimin) në qiell dhe i vetmi Zot (që meriton adurimin) në Tokë. Ai është i Urti e i Dijshmi.
- I Lartësuar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i Tokës dhe i çfarë gjendet ndërmjet tyre! Vetëm Ai e di çastin e Kijametit dhe tek Ai do të ktheheni.
- Çfarë adhurohet në vend të Allahut nuk mund të ndërmjetësojë, përveç atyre që dëshmojnë të vërtetën dhe kanë dituri.
- Nëse ti i pyet se kush i krijoi, ata, me siguri, do të thonë: “Allahu!” Përse, atëherë, i kthejnë shpinën Atij?
- Ai thotë: “O Zoti im! Vërtet, këta janë njerëz që nuk besojnë!”
- Distancohu prej tyre dhe thuaju: “Selam!” Ata do ta kuptojnë më vonë.