Ed Duhan (mekase) 59 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Ha, Mim.
- Betohem në Librin e qartë!
- Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Vërtet, Ne kemi qenë gjithmonë paralajmërues!
- Atëherë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje e urtë,
- me urdhër nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne kemi dërguar gjithmonë profetë,
- si mëshirë nga Zoti yt. Me të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdijshmi.
- Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre, që të jeni të bindur.
- Nuk ka zot tjetër, veç Tij. Ai jep jetën dhe sjell vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i etërve tuaj të lashtë.
- Kurse ata dyshojnë e dëfrehen.
- Qëndro dhe prit ditën kur qielli të lëshojë një tym të qartë,
- që do t’i mbulojë njerëzit. Ky do të jetë një ndëshkim i dhimbshëm.
- “Zoti ynë! Largoje dënimin prej nesh! Ne tashmë jemi besimtarë!”
- E si mund të përfitojnë më ata nga këshillat, kur atyre u erdhi Profeti me mesazh të qartë,
- ndërsa ata i kthyen shpinën atij, duke thënë: “E kanë mësuar! Është i çmendur”.
- Ne do t’jua largojmë dënimin për pak kohë, por ju do t’i ktheheni përsëri të kotës.
- Ditën kur t’ju japim ndëshkimin e madh, atëherë do të hakmerremi!
- Përpara tyre, Ne sprovuam popullin e Faraonit, kur atyre u erdhi i dërguari i ndershëm.
- “M’i lini mua (u tha ai) robërit e Allahut, sepse unë jam një i dërguar besnik për ju.
- Mos u tregoni arrogantë ndaj Allahut, sepse unë po vij tek ju me shenja të qarta.
- Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që ju të mos më vrisni me gurë.
- Nëse nuk më besoni, atëherë distancohuni prej meje!”
- Ai iu lut Zotit të vet (duke iu ankuar): “Këta janë vërtet kriminelë!”.
- “Bashkë me adhuruesit e Mi udhëtoni gjatë natës, sepse ata do t’ju ndjekin nga pas!
- Lëre detin pas, ashtu si është, sepse ushtria e tyre do të përmbytet.”
- Sa e sa kopshte e burime lanë pas ata!
- Sa ara të mbjella e vende të bukura!
- Sa begati e stoli, në të cilat argëtoheshin!
- Të gjitha ato, Ne ua lamë trashëgim një populli tjetër.
- Për ta nuk vajtuan as qielli e as toka dhe as nuk iu dha afat!
- Ne i shpëtuam bijtë e Israilit prej dënimit poshtërues,
- prej Faraonit, i cili qe vërtet mizor dhe i shfrenuar!
- Ne, me dije të plotë, i zgjodhëm ata ndër popujt e tjerë
- e u dhamë shenja, të cilat ishin prova të qarta.
- Ata, me siguri, thonë:
- “Ajo që ekziston është veçse vdekja jonë e parë, pasi ne nuk do të ringjallemi!
- Përndryshe, na i sillni këtu etërit tanë, nëse thoni të vërtetën!”
- A janë këta më të mirë se populli i Tubbeit apo se pararendësit e mëhershëm të tyre, të cilët Ne i shkatërruam?! Ata ishin vërtet kriminelë!
- Ne nuk i krijuam qiejt, Tokën dhe ç’ka ndërmjet tyre për t’u zbavitur.
- Ne i krijuam ato veçse me një qëllim të caktuar, por shumica e tyre nuk dinë.
- S’ka dyshim se Dita e Kijametit është premtimi i pakthyeshëm për të gjithë.
- Atë ditë, miku nuk mund ta ndihmojë dot mikun, por as veten nuk do mund ta ndihmojë,
- përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar. Pa dyshim, Ai është Ngadhënjyesi e Mëshirëploti.
- Është e vërtetë se pema e Zekumit,
- do të jetë ushqim i keqbërësve.
- Si tunxh i shkrirë, ajo u vlon në bark,
- ashtu sikurse vlon uji i nxehtë.
- “Rrëmbejeni atë dhe flakeni në mes të Zjarrit!
- Pastaj, mbi kokën e tij derdhni ujin e valë të ndëshkimit!”
- Shijoje këtë tani, t’i që ishe ai i forti e fisniku!
- Ky është ai që e vinit në dyshim!
- Vërtet, ata që i druhen Zotit, do të jenë në një vend të sigurt,
- me kopshte mirësie e me burime të rrjedhshme.
- Do të veshin rroba mëndafshi të hollë dhe të trashë e do të qëndrojnë ulur ballë për ballë njëri-tjetrit.
- Ja, kështu do të jetë! Ne do t’i martojmë ata me hyri symëdha.
- Atje do kërkojnë që t’ju sjellin çdo lloj frute. Atje do të ndihen të sigurt.
- Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë. Ai i ka ruajtur prej vuajtjeve të Xhehenemit.
- Kjo është dhuratë nga Zoti yt. Kjo është fitorja e madhe!
- Ne ua bëmë të lehtë atë në gjuhën tënde, që të mund të përkujtojnë.
- Prandaj t’i prit, se edhe ata janë duke pritur.