046. EL AHKAF

El Ahkaf (mekase) 35 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Ha, Mim.
  2. Shpallja e Librit është prej Allahut, të Plotfuqishmit, të Urtit.
  3. Ne i krijuam qiejt e Tokën dhe gjithçka që ekziston ndërmjet tyre, veçse me një qëllim të vërtetë dhe për një afat të caktuar. Megjithatë, ata që nuk besojnë janë mospërfillës ndaj paralajmërimeve që u bëhen.
  4. Thuaju atyre: “A nuk i shihni ata që i lusni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë kanë krijuar ata në tokë? Apo, vallë, kanë marrë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni ndonjë libër tjetër para këtij ose ndonjë gjurmë të mbetur prej diturisë hyjnore, nëse flisni të vërtetën!”
  5. Kush është më i humbur se ata të cilët, në vend të Allahut, u luten atyre që nuk mund t’u përgjigjen, qoftë deri në Kijamet?! Ata nuk i marrin vesh aspak lutjet e tyre.
  6. Ndërsa kur të mblidhen bashkë të gjithë njerëzit, ata do të jenë armiq dhe do t’ua mohojnë adhurimin e tyre.
  7. Kur u lexohen ajetet Tona të qarta, mohuesit thonë për të vërtetën që u ka ardhur: “Kjo është magji e dukshme!”
  8. Ose thonë: “Ai e ka trilluar vetë atë.” Ti thuaju: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk keni asnjë mundësi që të më mbroni prej Allahut. Ai i di më së miri të gjitha shpifjet tuaja për të. Por mjafton që Ai është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush. Ai është Falësi e Mëshirëploti”.
  9. Thuaju: “Unë nuk jam i pari i dërguar e nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua e as me ju. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet dhe unë jam veçse një i dërguar, që jep paralajmërime të qarta”.
  10. Thuaju: “Më tregoni se ç’do të bëhet me ju, nëse ai është prej Allahut, kurse ju e mohoni?! Ndërkaq, një dëshmitar nga bijtë e Israilit e dëshmoi si të tillë dhe i besoi, kurse ju tregoheni kryelartë!” Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon në rrugën e shpëtimit njerëzit e padrejtë.
  11. Jobesimtarët thonë për besimtarët: “Sikur të ishte ajo ndonjë gjë e mirë, ata nuk do ta besonin para nesh!” Duke qenë se nuk e pranojnë udhëzimin e saj, ata thonë: “Ajo është një sajesë e vjetër!”.
  12. Para këtij është shpallur Libri i Musait, si udhërrëfyes dhe mëshirë, dhe ky është një libër që e vërteton atë. Ai është shpallur në gjuhën arabe, për t’u tërhequr vërejtjen atyre që bëjnë gjynahe dhe si lajm i mirë për vepërmirët.
  13. Për ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur, për ta nuk ka frikë dhe as pse të brengosen.
  14. Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për çfarë kanë bërë.
  15. Ne e kemi urdhëruar njeriun për bamirësi ndaj prindërve të vet. Nëna e vet e ka bartur me mundim dhe me vështirësi e ka lindur. Barra dhe ushqimi me gji zgjasin tridhjetë muaj. Kur arrin pjekurinë e vet dhe mbush dyzet vjeç, ai thotë: “Zoti im, më mundëso që të të falënderoj Ty për mirësitë që më ke falur mua dhe prindërve të mi! Më mundëso që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti të jesh i kënaqur! M’i bëj të mirë pasardhësit e mi! Unë pendohem tek Ti dhe të jam dorëzuar!”
  16. Këta janë njerëzit të cilëve Ne ua pranojmë veprat në mënyrën më të mirë, ua mbulojmë të këqijat dhe i bëjmë banorë të Xhenetit. Ky është premtimi i vërtetë, që u bëhet atyre.
  17. Dikush u thotë prindërve të vet: “Uf, ju të dy! A më premtoni se do të ringjallem, kur sa e sa breza kanë kaluar para meje?!” Ata të dy e lusin Allahun që ta udhëzojë (e i thonë): “I mjeri t’i, beso, se premtimi i Allahut është i vërtetë!” Por ai thotë: “Këto nuk janë gjë tjetër, por veçse përrallat e të lashtëve!”
  18. Këta janë ata njerëz, kundër të cilëve ka marrë fund vendimi, sikurse u veprua me popujt e xhindëve dhe të njerëzve që kaluan para tyre, të cilët edhe ata dështuan.
  19. Të gjithë do të kenë gradën e merituar, sipas asaj që kanë bërë. Shpërblimi për veprat e tyre do t’u jepet i plotë e nuk do t’u bëhet padrejtësi.
  20. Atë ditë, ata që nuk besojnë do t’i afrohen Zjarrit: “Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe u kënaqët me to, ndërsa sot do të shpaguheni me dënim poshtërues, për shkak të kryelartësisë së padrejtë që keni treguar në tokë dhe për shkak se nuk keni respektuar urdhrat e Zotit!”.
  21. Kujto vëllanë e fisit Ad, që paralajmëroi fisin e vet në Ahkaf, megjithëse pati edhe paralajmërues të tjerë, qoftë para apo pas tij. “Të mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut, se unë i druhem dënimit të Ditës së Madhe për ju!”
  22. Ata i thanë: “A mos ke ardhur që të na largosh prej zotave tanë?! Po të jesh kaq i sigurt, na e sill tani atë që na e paralajmëron!”
  23. Ai tha: “Dijeninë për të e ka vetëm Allahu. Unë thjesht ju kumtoj atë për të cilën jam dërguar. Megjithatë, po shoh se qenkeni njerëz krejt pa dije!”.
  24. Kur ata panë një ré, që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, thanë: “Kjo ré po sjell shiun!” – “Jo, – tha ai – kjo është ajo që ju e kërkonit me ngut: një stuhi, që mbart një dënim të dhembshëm,
  25. dhe që, me urdhrin e Zotit të saj, shkatërron çdo gjë.” Kur agoi, nuk shihej gjë tjetër, përveç banesave të tyre. Kështu i ndëshkojmë Ne popujt keqbërës!
  26. Ne u kishim dhënë atyre gjëra që nuk jua kemi dhënë juve. Ne u dhamë atyre dëgjim, shikim dhe zemër, por as dëgjimi, as shikimi e as zemrat e tyre nuk u bënë dobi, sepse ata mohonin faktet e Allahut, prandaj edhe i përfshiu ai me të cilin talleshin.
  27. Ne kemi shkatërruar qytete përreth jush edhe më parë, duke ua shpjeguar fillimisht Shpalljen Tonë, me qëllimin se ndoshta mund të kthenin rrugë.
  28. Përse atyre nuk u erdhën në ndihmë idhujt, të cilët i adhuronin krahas Allahut, me qëllim që t’u afroheshin? Vërtet, idhujt i braktisin ata, sepse janë thjesht sajesa dhe iluzione të tyre.
  29. Përkujto kur drejtuam disa xhindë tek t’i, që të dëgjonin Kuranin. Ata u afruan, e dëgjuan dhe thanë: “Heshtni!” Në përfundim, ata u kthyen te populli i vet si këshillues.
  30. Atje thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një libër të shpallur pas Musait, që vërteton ata para tij, që udhëzon tek e vërteta dhe në rrugën e drejtë!
  31. O populli ynë! Përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini atij! Allahu ju fal gjynahet dhe ju shpëton prej ndëshkimit të dhembshëm.
  32. Ata që nuk i përgjigjen thirrësit në rrugën e Allahut, nuk kanë për t’i shpëtuar dënimit në tokë dhe, përveç Allahut, ata nuk kanë se kush t’i mbrojë. Të tillët janë në humbje të sigurt!”
  33. A nuk e dinë ata se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën dhe nuk u lodh me krijimin e tyre, është i Plotfuqishëm që t’i ngjallë të vdekurit?! Po, Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
  34. Ata ditë, kur jobesimtarët përballen me Zjarrin: “Po tani, a nuk është i vërtetë?!” Ata thonë: “Po, për Zotin tonë!” Ai do t’u thotë: “Atëherë vuani dënimin, për shkak të mohimit tuaj!”
  35. Prandaj, t’i bëhu i durueshëm, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur, dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ta! Ditën kur të marrin atë që u është premtuar, atyre do t’u duket sikur kanë jetuar vetëm se një çast të ditës. Ky është njoftim i qartë! E kush tjetër meriton të shkatërrohet, përveç atyre që janë të pabindur?!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *