El Xhathije (mekase) 37 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Ha, Mim.
- Zbritja e Librit është prej Allahut, të Gjithëfuqishmit, të Urtit!
- Vërtet, në qiej dhe në Tokë ka plot shenja për besimtarët.
- Edhe në krijimin tuaj dhe të gjallesave të kudogjendura ka fakte për njerëzit me bindje.
- Edhe në shkëmbimin e natës me ditën, në reshjet që Allahu lëshon prej qiellit, si furnizim dhe si gjallërues të tokës pas vdekjes së saj, ashtu edhe në lëvizjen e erërave ka fakte për njerëzit me logjikë.
- Këto janë faktet e Allahut, të cilat po t’i lexojmë me korrektësi. Atëherë, çfarë fjale tjetër, veç fjalës së Allahut dhe fakteve të Tij, besojnë ata?!
- Mjerë për çdo gënjeshtar e gjynahqar të madh,
- që i dëgjon faktet e Allahut kur i lexohen, e pastaj vazhdon sërish të tregohet mendjemadh, sikur nuk i ka dëgjuar ato. Paralajmëroji të tillët për vuajtje të rënda.
- Kur dëgjojnë faktet Tona, ata i trajtojnë me tallje. Të tillët do të kenë një dënim poshtërues.
- Përpara tyre ndodhet Xhehenemi. Atyre nuk do t’u bëjnë aspak dobi ato që kanë grumbulluar dhe as ata të cilëve iu kërkojnë ndihmë në vend të Allahut. Ata do të vuajnë një dënim të ashpër.
- Ky është udhëzim i plotë. Ndërsa ata që nuk i pranojnë faktet e Zotit të tyre, i pret një dënim poshtërues dhe i mundimshëm.
- Allahu është Ai që nënshtroi detin për ju, në mënyrë që mbi të, me lejen e Tij, të lundrojnë anijet. Kështu ju mund të kërkoni prej mirësive të Tij dhe të jeni mirënjohës.
- Për ju, Ai nënshtroi gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë; të gjitha janë prej Tij. Pa dyshim, në to ekzistojnë fakte për njerëzit që mendojnë thellë.
- Thuaju besimtarëve që t’i durojnë ata që nuk presin takimin me Allahun, që Ai vetë t’i dënojë njerëzit për shkak të veprave që bëjnë.
- Kush bën vepra të mira, bën për vete, e kush bën keq, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni!
- Ne u dhamë bijve të Israilit Librin, pushtetin për të gjykuar njerëzit dhe profetësinë. Ne i furnizuam ata me të mira, duke i dalluar mbi të gjithë botën.
- U dhamë edhe fakte të qarta për çështjet fetare. Por edhe pse iu dha dituria, ata u përçanë, dhe kjo për shkak të zilisë që kishin ndërmjet tyre. Nuk ka dyshim se, Ditën e Kijametit, Zoti yt do të gjykojë mes tyre për çdo gjë që ata janë përçarë.
- Më pas, Ne të udhëzuam ty në rrugën e drejtë të fesë, prandaj t’i ndiq atë e mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë.
- Ata nuk mund të të mbrojnë prej Allahut. Zullumqarët janë miq të njëri-tjetrit, kurse Allahu është mbrojtësi i besimtarëve të devotshëm.
- Ky është ndriçues, udhëzues e mëshirë për njerëzit që besojnë me siguri të plotë.
- A mos mendojnë ata që e teprojnë me të këqija, se do t’i trajtojmë si të barabartë me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, si në jetë, edhe vdekje?! Sa i ulët është ky gjykim i tyre?!
- Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi të plotë, me qëllim që çdo njeri të shpërblehet për veprat e veta. Atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.
- A e ke parë atë që, me vetëdije, egon e vet e konsideron si Zot?! Allahu, me urtësinë e Tij, e ka humbur atë nga rruga e drejtë, ia ka bllokuar të dëgjuarit dhe zemrën, dhe mbi sytë e tij ka vënë perde. Tani, përveç Allahut, kush tjetër mund ta udhëzojë atë?! A nuk e kuptoni?!
- Ata thonë: “Nuk ka jetë tjetër, veç jetës sonë në këtë botë. Ne vdesim dhe jetojmë dhe asgjë tjetër nuk na shkatërron, përveç kohës.” Ata nuk kanë asnjë lloj diturie për këtë, por vetëm hamendësojnë.
- Kur atyre u lexohen faktet Tona të qarta, reagimi i tyre i vetëm është: “Ringjallini prindërit tanë, nëse thoni të vërtetën!”
- Thuaju: “Allahu jua jep jetën dhe më pas ju bën të vdisni. Pastaj, Ai do t’ju grumbullojë Ditën e Kijametit, për të cilën nuk ka dyshime, por shumica e njerëzve nuk kuptojnë”.
- Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës! Atë ditë, kur të vijë Ora, polemizuesit do të dëshpërohen shumë.
- Çdo popull do ta shohësh të gjunjëzuar. Çdo popull thirret tek Libri i vet. Sot do të shpërbleheni për ato që keni vepruar.
- Ky është libri Ynë, që dëshmon të vërtetën. Ne kemi kërkuar të shkruhet gjithçka që ju vepronit.
- Për sa u përket atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i pranojë ata në mëshirën e Vet. Ky është suksesi më i madh!
- Për sa u përket atyre që nuk besojnë: “A nuk ju janë lexuar shpalljet e Mia?! Por ju tregonit arrogancë dhe u bëtë të këqij!”
- Edhe kur ju thuhej: “Premtimi i Allahut është i saktë! Ora do të vijë dhe për të s’ka dyshim”, ju përgjigjeshit: “Ne nuk e dimë se ç’është kjo Ora! Ne mendojmë se është vetëm një hamendje dhe nuk jemi të bindur!”
- Atyre do t’u dalin në shesh të këqijat që kanë bërë dhe do t’i përfshijë ai me të cilin talleshin.
- Atyre do t’u thuhet: “Sot po ju lëmë të harruar, ashtu sikurse ju e harruat takimin e kësaj dite. Vendi juaj është Zjarri dhe nuk ka se kush t’ju shpëtojë!
- Kjo ndodh, për shkak se ju u tallët me shpalljet e Allahut dhe u mashtruat me jetën e dynjasë.” Atë ditë nuk do të nxirren prej tij e as nuk do t’u kërkohet që të kthehen.
- Falënderimi dhe lavdia e plotë i qoftë vetëm Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të Tokës, Zotit të gjithësisë!
- Vetëm Atij i takon gjithë madhështia në qiej e në Tokë. Ai është Ngadhënjyesi e i Urti.