047. MUHAMED

Muhamed (medinase) 38 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 

  1. Atyre që nuk besojnë, madje që pengojnë edhe të tjerët nga rruga e Allahut, Ai ua asgjëson veprat.
  2. Ndërsa atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe e besojnë atë që iu shpall Muhamedit, e cila është e vërteta prej Zotit të tyre, ua mbulon të këqijat dhe ua përmirëson gjendjen.
  3. Kjo, sepse ata që nuk besojnë ndjekin të pavërtetën, ndërsa ata që besojnë ndjekin të vërtetën që ka ardhur prej Zotit të tyre. Kështu ua sjell shembujt Allahu njerëzve.
  4. Kur të ndesheni me jobesimtarët, goditini në qafë, derisa t’i dërrmoni! Më pas, lidhini mirë, e kështu mund t’i lironi falas ose mund të kërkoni çmim për ta, derisa të përfundojë lufta. Po të donte, Allahu jua jepte fitoren ndaj tyre, por Ai dëshiron që t’ju sprovojë me njëri-tjetrin. Atyre që bien dëshmorë në rrugën e Allahut, Ai nuk ua humbet kurrë veprat!
  5. Ai i udhëzon dhe e përmirëson gjendjen e tyre.
  6. Ai do t’i fusë ata në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur më parë.
  7. O ju që keni besuar! Nëse ju ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon ju dhe jua forcon këmbët tuaja.
  8. Ndërsa ata që nuk besojnë, qofshin të shkatërruar! Ai i asgjëson veprat e tyre.
  9. Ata e urrejnë Shpalljen e Allahut, prandaj Ai i asgjëson veprat e tyre.
  10. A nuk udhëtojnë ata nëpër botë, për të parë se si qe përfundimi i më të hershmëve?! Allahu i rrënoi ata plotësisht, e po kështu do të përfundojnë të gjithë jobesimtarët!
  11. Allahu është Miku i atyre që besojnë, kurse për jobesimtarët nuk ka miq!
  12. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Ndërsa për ata që nuk besojnë, të cilët bëjnë qejf dhe hanë ashtu si kafshët, Zjarri është vendi i tyre!
  13. Sa e sa qytete, që ishin shumë më të fortë se qyteti që të dëboi ty, Ne i kemi shkatërruar, duke mos patur për ta asnjë ndihmues!
  14. Vallë, a është i njëjtë ai që i përmbahet udhëzimit të qartë prej Zotit të vet, me atë të cilit i janë zbukuruar veprat e këqija dhe ndjek epshet e veta?!
  15. Ja përshkrimi i Xhenetit, i cili u është premtuar të devotshmëve: në të ka lumenj me ujë gjithmonë të pastër e të freskët, lumenj me qumësht që nuk prishet, lumenj me verë të këndshme për ata që pinë dhe lumenj me mjaltë të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash, ndërkohë që do të jenë të falur nga Zoti i tyre. A mund të konsiderohen këta njëlloj me ata që do të rrinë përgjithmonë në Zjarr, ku etja do t’u shuhet me ujë të valë, që ua copëton zorrët?!
  16. Prej tyre ka që bëjnë sikur të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u drejtohen atyre më të diturve e u thonë: “Çfarë tha ai pak më parë?” Këta janë ata, zemrat e të cilëve i ka vulosur Allahu dhe të cilët janë dhënë pas dëshirave të veta.
  17. Kurse atyre që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton edhe më shumë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të devotshëm.
  18. Vallë, a po presin ata gjë tjetër veç Kijametit, i cili do t’u vijë befas, ndërkohë që parashenjat e tij tashmë kanë ardhur?! E si presin t’u bëjë dobi reflektimi kur të vijë Kijameti?!
  19. Dije se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut! Kërko falje për gjynahet e tua, për besimtarët e për besimtaret! Allahu i di mirë lëvizjet dhe vendqëndrimin tuaj.
  20. Besimtarët thonë: “Sikur të ishte shpallur një sure për këtë!” Por kur shpallet një sure e qartë që flet për luftë, ata të cilët kanë zemra të sëmura, të shikojnë sikur të ishin në agoninë e vdekjes. Më të volitshme për ta do të ishin
  21. bindja dhe fjala e mirë! Kur merret vendimi, do të ishte më mirë për ata që të jenë besnikë ndaj Allahut!
  22. Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë prej jush nuk pritet gjë tjetër, veç të përhapni shkatërrimin në tokë dhe të ndërprisni lidhjet farefisnore.
  23. Këta janë ata të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.
  24. A nuk meditojnë ata mbi Kuranin, apo kanë zemra të kyçura nga drynat e vet!
  25. Nuk ka dyshim se atyre që ndërrojnë rrugë, pasi u është bërë e qartë udha e drejtë, është Shejtani që ua hijeshon devijimin dhe që i mban me iluzione.
  26. Në fakt, e meritojnë, sepse janë ata që u thonë atyre të cilët e urrejnë Shpalljen e Allahut: “Ne do t’ju bindemi për disa çështje!” Por Allahu i di sekretet e tyre.
  27. Si do të jetë halli i tyre kur engjëjt t’ua marrin shpirtin, duke i goditur në fytyrë dhe kurriz?
  28. Arsyeja është se ata kërkojnë zemërimin e Allahut dhe nuk duan ta arrijnë kënaqësinë e Tij. Si rrjedhojë, Ai i asgjëson veprat e tyre.
  29. Vallë, a mendojnë ata që i kanë zemrat e sëmura, se Allahu nuk do t’ua zbulojë urrejtjen e tyre të brendshme?
  30. Po të donim, Ne mund t’i tregonim se si janë ata, dhe pastaj t’i, me siguri, do t’i njihje nga shenjat e tyre. Por t’i do t’i njohësh ata nga e folura e tyre. Allahu e di se cilat janë veprat tuaja.
  31. Ne do t’ju sprovojmë, me qëllim që të njohim luftëtarët dhe të palëkundurit nga mesi juaj. Gjithashtu, Ne kemi për t’i ndarë qartë veprat tuaja.
  32. Ata që nuk besojnë, që i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut dhe që kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është sqaruar udha e drejtë, ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun, por Ai do t’i asgjësojë veprat e tyre.
  33. O ju besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit, e mos i çoni dëm veprat tuaja!
  34. Ata që nuk besojnë për vete dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut, pastaj vdesin duke qenë jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë.
  35. Mos u tregoni të dobët e të kërkoni paqe, kur ju jeni më të lartët dhe Allahu është me ju! Ai nuk do t’jua pakësojë kurrë veprat tuaja.
  36. Vërtet, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e dëfrim! Nëse besoni dhe ruheni prej të këqijave, Ai do t’jua japë shpërblimin tuaj. Ai nuk kërkon prej jush tërë pasurinë tuaj.
  37. Sikur t’ua kërkonte të gjithën dhe t’ju shtrëngonte, ju do të tregoheshin koprracë dhe do të shfaqnit urrejtje!
  38. Ju ftoheni për të shpenzuar në rrugën e Allahut, por ka prej jush që tregohen koprracë. Megjithatë, kush bëhet koprrac, e bën kundra vetes. Allahu është i Pasuri Jonevojtar, ndërsa ju jeni të varfrit. Nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.

 

 

 

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *