048. EL FET’H

El Fet’h (medinase) 29 ajete

 

Ajetet 1 – 3

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 

  1. Ne të dhamë një çlirim të madh,
  2. me qëllim që Allahu të t’i falë gabimet e kaluara dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Tij ndaj teje, të të udhëzojë në rrugë të drejtë,
  3. dhe që Allahu të të ndihmojë ty me një fitore krenuese.
  4. Është Ai që zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, për t’ua shtuar edhe më tepër besimin, mbi besimin që kishin. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
  5. Besimtarët dhe besimtaret do të futen në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të jenë përgjithmonë. Gjynahet e tyre, gjithashtu, do të falen. Kjo për Allahun është një fitore e madhe.
  6. Ndëshkimi është për hipokritët dhe hipokritet, për idhujtarët dhe idhujtaret, të cilët kanë për Allahun mendime të ulëta. Ata meritojnë më të keqen! Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe u ka bërë gati Xhehenemin, që është vendi më i keq.
  7. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës. Allahu është Ngadhënjyesi e i Urti.
  8. Ne të dërguam ty si dëshmitar, si përgëzues dhe paralajmërues,
  9. që ju ta besoni Allahun, ashtu edhe të Dërguarin e Tij, të cilin ta përkrahni e ta respektoni, dhe që të bëni tesbih mëngjes e mbrëmje.
  10. Ata që të japin besën ty, në të vërtetë ata i japin besën Allahut! Dora e Allahut është mbi duart e tyre! Kush e shkel atë, e shkel vetëm në dëm të vetes, ndërsa kush e zbaton besën që i ka dhënë Allahut, do të marrë prej Atij shpërblim të madh.
  11. Beduinët që nuk erdhën do të thonë: “Na penguan pasuria dhe familjet tona, ndaj kërko falje për ne!” Ata thonë me gojë gjëra që nuk i kanë në zemër. Thuaju: “Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron që t’ju përfshijë ndonjë gjëmë ose t’ju vijë ndonjë e mirë?!” Nuk është ashtu! Allahu e di shumë mirë se çfarë veproni ju!
  12. Ju pandehët se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të ktheheshin më te familjet e veta, dhe kjo, thellë në zemër, ju duk gjë e mirë. Ju patët mendim të keq, sepse jeni njerëz të prishur.
  13. Nëse dikush nuk i beson Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë Ne, sigurisht, kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr shumë të fortë.
  14. Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës! Ai fal kë të dojë dhe ndëshkon kë të dojë. Allahu është Falës i gjynaheve e Mëshirues.
  15. Kur ju të shkoni për të mbledhur plaçkën e luftës, ata që ngelën pas do të thonë: “Na lini të vijmë edhe ne me ju!” Kështu, ata duan të ndryshojnë vendimin e Allahut! Ti thuaju: “Kurrsesi! Ju nuk keni për të ardhur me ne! Kështu ka thënë Allahu më herët!” Kurse ata do t’ju thonë: “Nuk është ashtu! Ju na keni zili!” Por ata logjikojnë shumë pak.
  16. Atyre beduinëve që ngelën pas, thuaju: “Ju do të thirreni të dilni kundër një populli luftarak e të fuqishëm, që ose do të luftohen, ose do të dorëzohen. Nëse i përgjigjeni thirrjes, Allahu do t’ju japë shpërblim të mirë, e nëse nuk dilni, – sikurse nuk dolët edhe më parë, – Ai do t’ju ndëshkojë me një dënim të dhembshëm”.
  17. Por nuk marrin gjynah të verbërit, të çalët e të sëmurët. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta fusë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj, e kush kthen shpinën, Ai do ta ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.
  18. Vërtet, Allahu u kënaq me besimtarët, kur ata, nën hijen e asaj peme, të jepnin besën ty. Ai e dinte mirë çfarë kishin në zemër ata, prandaj u dhuroi qetësi dhe i përgëzoi me një fitore të afërt,
  19. por edhe me një plaçkë të madhe, që do ta fitojnë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
  20. Allahu ju premton plaçkë të madhe, që do ta fitoni, kurse këtë jua dha më shpejt. Ai i pengoi duart e njerëzve kundra jush, që të shihej si shenjë e mirë nga besimtarët dhe që t’ju udhëzonte në rrugë të drejtë.
  21. Por do të keni edhe të tjera, të cilat nuk keni patur mundësi t’i arrinit, sepse Allahu i ka të gjithë nën sundim. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
  22. Nëse jobesimtarët ju hapin luftë, do të jenë ata që do të sprapsen, pa mundur të gjejnë më pas as mbrojtës e as ndihmës.
  23. I tillë ka qenë ligji i Allahut edhe më herët. Në ligjin e Allahut nuk ke për të gjetur ndryshime.
  24. Është Ai që, brenda në Mekë, pengoi duart e tyre kundër jush dhe duart tuaja kundër tyre, pasi ju dhuroi fitoren kundër tyre. Allahu ju vëzhgon se çfarë veproni.
  25. Janë mohuesit e besimit të drejtë që ju pengojnë t’i afroheni Shtëpisë së Shenjtë, duke ndaluar edhe kurbanet të arrijnë në vendin e vet. Sikur të mos ishin ata besimtarë dhe besimtare, që ju nuk i njihnit e që mund t’i sulmonit duke mos e ditur, duke u turpëruar kështu me vrasjen e ndonjërit prej tyre, Allahu do t’ju urdhëronte për t’i luftuar ata, me qëllim që Allahu ta merrte në mëshirën e Vet atë që Ai do. Po të ishin ata të ndarë veç e veç, Ne do t’i ndëshkonim jobesimtarët me një dënim të rëndë.
  26. Kur në zemrat e jobesimtarëve u ndez fodullëku pagan, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të Dërguarin të Tij dhe mbi besimtarët. Për ata zgjodhi Fjalën e Devotshmërisë, sepse ata dhe njerëzit e saj e meritonin më shumë dhe ishin më të denjë për të. Allahu di gjithçka.
  27. Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij dhe e bëri realitet: “Do të hyni në Shtëpinë e Shenjtë të sigurt, me vullnetin e Allahut. Kokat tuaja do të jenë të rruara ose të qethura dhe nuk do të keni frikë!” Ai dinte atë që ju nuk e dinit! Para kësaj, Ai ju dha një fitore të shpejtë.
  28. Është Ai që e dërgoi Profetin e Tij me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fé. Mjafton Allahu si dëshmitar.
  29. Muhamedi është profet i Allahut. Ata që e shoqërojnë atë janë të ashpër me jobesimtarët dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Ata i sheh të bëjnë ruku dhe sexhde, duke kërkuar mirësi prej Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen gjurmët e sexhdes. Këto janë cilësitë e tyre, që përshkruhen në Teurat. Ndërsa në Ungjill ata përshkruhen si një farë e mbjellë, nga e cila shpërthen filizi. Kur ai trashet, përforcohet dhe qëndron vetë në kërcellin e tij, ai e mahnit mbjellësin. Kështu, u shtohet dëshpërimi jobesimtarëve. Atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu u premton falje të gjynaheve dhe shpërblim të madh.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *