El Huxhurat (medinase) 18 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- O ju që keni besuar! Mos u ngutni e të dilni para Zotit dhe të Dërguarit të Tij! Gjithashtu, kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu është Gjithëdëgjues e i Gjithëditur.
- O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos iu drejtoni atij me zë të lartë, sikurse i drejtoheni njëri-tjetrit, e kështu t’ju asgjësohen veprat tuaja, duke mos e ndier.
- Me të vërtetë, ata që e ulin zërin pranë të Dërguarit të Allahut, Allahu ua ka sprovuar zemrën për të parë devotshmërinë. Për ta ka falje gjynahesh dhe shpërblim të madh.
- Sa u përket atyre që të thërrasin nga jashtë mureve, shumica nuk kanë logjikë!
- Sikur ata të bënin durim, derisa të dilje vetë, do të ishte më mirë për ta. Megjithatë, Allahu është Falës e Mëshirues.
- O ju që keni besuar, nëse ndonjë i prishur ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e lëndoni ndonjë njeri pa dashje, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.
- Dijeni se mes jush gjendet i Dërguari i Allahut. Sikur ai t’ju dëgjonte ju në shumë çështje, ju do të rëndoheshit, por është Allahu Ai që jua bën të dashur besimin dhe jua zbukuron atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bën që t’i urreni. Pikërisht dhe vetëm këta janë ata të udhëzuarit
- Kjo është dhuratë dhe begati prej Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm e i Urtë.
- Nëse dy grupe besimtarësh zhvillojnë luftë midis tyre, ju pajtojini ata. Nëse njëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë ju luftoni atë grup që ka sulmuar pa të drejtë, derisa t’i binden udhëzimit të Allahut. Nëse kthejnë rrugë, atëherë bëni pajtimin e tyre me drejtësi dhe paanësi. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.
- Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj dhe kini frikë Allahun, që të mëshiroheni!
- O ju që keni besuar, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, sepse të tallurit mund të jenë më të mirë nga ata që tallin; as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që ato të jenë më të mira se ato që tallin. Mos tallni veten tuaj e mos e etiketoni njëri-tjetrin me nofka tallëse! Sa e shëmtuar është të vësh nofka tallëse, pasi ke besuar! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.
- O ju që keni besuar, largohuni prej paragjykimeve! Vërtet që disa paragjykime janë padrejtësi. Mos rrëmoni për zbulimin e të metave të tjetrit dhe mos përgojoni! Vallë, a ka ndonjë prej jush që dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Në fakt, për ju është e neveritshme kjo gjë! Ruhuni nga ndëshkimi i Allahut! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i madh i pendimit e Mëshirues.
- O njerëz! Vërtet, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni mes jush. Nuk ka dyshim se më i nderuari tek Allahu është më i devotshmi mes jush. Pa dyshim, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.
- Beduinët thanë: “Ne kemi besuar!” Thuaju: “Ju ende nuk keni besuar, prandaj thoni: ‘Hymë në Islam’, pasi besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja. Nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se Allahu është vërtet Falës e Mëshirues”.
- Besimtarë janë vetëm ata që i besojnë Allahut, të Dërguarit e Tij, e mandej nuk luhaten, por luftojnë me pasurinë dhe me jetën e tyre në rrugën e Allahut. Këta janë besimtarët e vërtetë.
- Thuaju: “Vallë, ju do t’i tregoni Allahut për fenë tuaj, ndërkohë që Allahu di ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë dhe kur Allahu është Dijshëm për gjithçka?!”
- Ata të lëvdohen ty që u bënë muslimanë. Thuaju: “Me pranimin tuaj të Islamit mos më thoni se ma dini për faleminderit mua, pasi Ai që meriton falënderimin tuaj për udhëzimin në besim, është vetëm Allahu, nëse jeni të sinqertë”.
- S’ka dyshim se Allahu i di të fshehtat e qiejve e të Tokës. Allahu ju sheh se çfarë bëni.