Surja 50: Kaf (mekase) 45 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Kaf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!
- Po! Ata u çuditën që nga gjiri i tyre u erdhi një profet. Jobesimtarët thonë: “Kjo është vërtet shumë e çuditshme!
- Po pasi të vdesim e të bëhemi dhé?! Ai kthim është larg!”
- Ne dimë se ç’ha toka prej tyre. Te Ne është libri që ruan çdo gjë.
- Ata e mohojnë të vërtetën, kur ajo u vjen, dhe janë vazhdimisht të luhatur.
- A nuk e vështrojnë qiellin sipër tyre, se si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa lejuar në të asnjë të çarë?!
- Edhe Tokën e kemi shtrirë dhe kemi vendosur në të male përforcuese. Ne e kemi bërë që në të të mbijnë larmi bimësh të bukura.
- Këto janë dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për çdo adhurues që kthehet i penduar e i bindur.
- Ne e lëshojmë nga qielli shiun e bekuar dhe me të bëjmë të mundur që të mbijnë e lulëzojnë kopshte, të korra
- dhe palma të larta hurmash, me vile frutash të stivosura njëra mbi tjetrën,
- si ushqim për njerëzit. Ne e ngjallim me të tokën e vdekur, ashtu si do të jetë edhe ringjallja juaj.
- Para tyre mohuan populli i Nuhut, banorët e Ressit, populli i Themudit,
- Adi, Faraoni, vëllezërit e Lutit,
- banorët e Ejkes dhe populli i Tubbeit. Të gjithë mohuan profetët, prandaj meritojnë ndëshkimin Tim.
- Vallë, a mos u lodhëm Ne me krijimin e parë?! Jo, por ata kanë pasiguri për rikrijimin e ri.
- Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet.
- Dy engjëj qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë.
- Ai nuk thotë ndonjë fjalë pa patur pranë një regjistrues të gatshëm.
- Kur të vijë agonia e vdekjes me të vërtetën: Kjo është ajo së cilës i largoheshe!
- Po kur t’i fryhet Surit! Ajo është Dita e Kërcënimit!
- Çdo njeri do të vijë bashkë me përcjellësin dhe dëshmitarin vet.
- Ti ke qenë i papërgatitur për këtë, por Ne tani ta heqim perden dhe shikimi yt sot është shumë i qartë.
- Shoqëruesi i tij do të thotë: “Ky në dorën time është gati!”
- “Hidheni në Xhehenem çdo mohues kryeneç,
- që ka qenë pengues i mirësisë, i padrejtë e dyshues!
- Atë që, krahas Allahut, adhuronte zota të tjerë, hidheni në ndëshkimin më të rëndë!”.
- Ndërsa shoku i tij do të thotë: “Zoti ynë, atë nuk e devijova unë prej rrugës së drejtë, por ai ishte vetë në humbje të largët”.
- Ai do thotë: “Mos u grindni para Meje, se Unë ju kam paralajmëruar me kohë.
- Vendimi Im nuk ndryshon tashmë! Unë nuk jam i padrejtë me robërit.”
- Atë ditë, Ne do t’i themi Xhehenemit: “A u mbushe?” Ndërsa ai do të thotë: “A ka edhe më?”
- Ndërsa besimtarëve të devotshëm u afrohet Xheneti.
- Ky është premtimi për secilin që është penduar e që ka ruajtur besën e dhënë,
- që i është druajtur të Gjithëmëshirshmit edhe atëherë kur nuk e shihte kush, dhe që është kthyer me zemër tek Allahu.
- Hyni në paqe dhe të sigurt, se kjo është dita e përjetësisë.
- Atje kanë çfarë të dëshirojnë, por prej Nesh ka edhe më tepër.
- Sa e sa breza kemi shkatërruar para tyre, të cilët ishin shumë më të fortë e më të pushtetshëm se këta! Ata u përhapën nëpër tokë, por a gjetën shpëtim?!
- Të gjitha këto janë fakte për cilindo që ka zemër, që dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.
- Ne krijuam qiejt e Tokën dhe gjithçka që gjendet ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh, pa ndier aspak lodhje.
- Por t’i ji i durueshëm ndaj fjalëve të tyre dhe madhëroje Zotin tënd në agim dhe në muzg!
- Edhe në një pjesë të natës madhëroje Atë, ashtu si edhe pas namazeve!
- Dëgjo thirrësin, kur ai të thërrasë nga ndonjë vend i afërt!
- Dita kur të dëgjohet thirrja për të vërtetën, është dita e daljes.
- Sigurisht, Ne e japim jetën dhe vdekjen dhe vetëm tek Ne është kthimi.
- Ditën kur toka të çahet e ata të nguten për të dalë, tubimi do të jetë i lehtë për Ne.
- Ne e dimë shumë mirë se çfarë thonë ata, ndërsa t’i nuk mund t’i detyrosh dot. Ti përkujto me këtë Kuran atë që i druhet kërcënimit Tim!