051. DHARIJAT

Edh Dharijat (mekase) 60 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 

  1. Për erërat, që ngrejnë grimcat dhe i shpërndajnë,
  2. për retë e ngarkuara rëndë,
  3. për lundruesit, që lëvizin lehtë,
  4. për engjëjt, që zbatojnë urdhrat!
  5. S’ka dyshim se ajo që u premtohet është e vërtetë e sigurt.
  6. S’ka dyshim se gjykimi dhe shpërblimi me drejtësi do të ndodhin!
  7. Për qiellin plot hulli!
  8. Ju vërtet jeni zhytur në gjithfarë mendimesh kontradiktore.
  9. Nga ai largohen ata që shpërfillin të vërtetën.
  10. Mallkuar qofshin gënjeshtarët,
  11. ata të cilët janë të zhytur në humbje dhe të çoroditur!
  12. Ata pyesin: “Kur është Dita e Gjykimit?”
  13. Ajo është dita kur ata do të digjen në zjarr!
  14. “Shijojeni dënimin tuaj! Ky është ai që e kërkonit t’ju shpejtohej!”
  15. Vërtet, të devotshmit janë mes kopshteve e burimeve.
  16. Ata marrin atë që u jep Zoti i tyre. Në fakt, ata ishin vepërmirë edhe më parë.
  17. Ata flinin pak natën,
  18. ndërsa në agim, ata kërkonin falje.
  19. Në pasurinë e tyre kishin përcaktuar pjesë për lypësit dhe për nevojtarët.
  20. Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje,
  21. por edhe në vetet tuaja! A nuk i shihni, vallë?
  22. Në qiell është furnizimi juaj dhe ato që ju premtohen.
  23. Për Zotin e qiellit e të Tokës, kjo është një e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë që ju flisni!
  24. A e ke dëgjuar ngjarjen me mysafirët e nderuar të Ibrahimit?
  25. Ata hynë tek ai dhe thanë: “Selami qoftë me ty!” Ai tha: “Selami qoftë gjithnjë me ju, o njerëz të panjohur!”
  26. Pa u vënë re, ai shkoi te familja e vet, duke sjellë më pas një viç të majmë.
  27. Pasi ua vuri përpara, u tha: “A nuk po hani tani?!”
  28. Ai u druajt prej tyre, por ata i thanë: “Mos ki frikë!”. Më pas, ata i dhanë sihariqin për një djalë të ditur.
  29. Gruaja e tij klithi dhe, duke i rënë fytyrës së vet, tha: “Unë jam e moshuar, që nuk mund të lind!”
  30. Ata i thanë: “Kështu ka thënë Zoti yt, i Cili është i Urti e i Gjithëdijshmi”.
  31. Ai i pyeti: “Cili është misioni juaj, o të dërguar?”
  32. Ata thanë: “Ne jemi të dërguar për një popull të padrejtë,
  33. që të hedhim gurë prej balte të pjekur mbi ta,
  34. të shënuar nga Zoti yt, për secilin nga ata që kishte kaluar kufijtë.”
  35. Ne i larguam të gjithë besimtarët që ishin në atë vend,
  36. ndonëse aty gjetëm veçse një shtëpi besimtarësh.
  37. Ne kemi lënë aty shenja për ata që ia kanë frikën dënimit të dhimbshëm.
  38. Edhe me Musain, kur Ne e dërguam te Faraoni me fakte të qarta.
  39. Por ai, me parinë e vet, ia ktheu shpinën dhe tha: “Është magjistar ose i çmendur!”
  40. Prandaj Ne e ndëshkuam atë dhe ushtrinë e tij, duke e hedhur në det. Ai e meritoi këtë!
  41. Edhe me Adin, kur Ne lëshuam kundër tyre furtunën shkatërrimtare,
  42. e cila nuk la gjë pa e shndërruar në mbeturinë.
  43. Edhe me Themudin, kur atyre iu tha: “Kënaquni edhe për pak kohë!”
  44. Por ata nga kryelartësia, nuk e respektuan urdhrin e Zotit të tyre, prandaj i kapi rrufeja me shkreptimën e saj, ndërkohë që ata ishin duke e parë.
  45. Por nuk mundën as të ngrihen e as të kundërvihen.
  46. Edhe me popullin e Nuhut, që ishte më parë. Vërtet, ai ishte një popull i prishur.
  47. Ne e ngritëm qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë.
  48. Edhe Tokën e kemi shtruar. Sa shtrues të mirë që jemi Ne!
  49. Çdo gjë e kemi bërë në çift, që ju të përkujtoni.
  50. Atëherë, nxitoni për tek Allahu! Unë vij tek ju si paralajmërues i qartë prej Tij.
  51. Mos adhuroni veç Allahut ndonjë zot tjetër! Unë vij tek ju si paralajmërues i qartë prej Tij.
  52. Po kështu, edhe ata që ishin më parë, sa herë që u shkonte ndonjë profet, thoshin: “Është magjistar ose i çmendur!”
  53. A mos kishin mësuar njëri-tjetrin kështu? Jo, por ata ishin njerëz të degjeneruar.
  54. Atëherë, distancohu prej tyre, pasi t’i nuk fajësohesh për ta!
  55. Por t’i përkujto, sepse përkujtimi u bën dobi besimtarëve!
  56. Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, por veç që të më adhurojnë.
  57. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që të më ushqejnë.
  58. Allahu, Ai është Furnizuesi i madh e Fuqiploti.
  59. Sigurisht, ata që bëjnë padrejtësi meritojnë të njëjtin lloj dënimi si sivëllezërit e tyre, prandaj të mos e kërkojnë shpejtimin e tij!
  60. Të mjerët ata që nuk e besojnë ditën që u është premtuar!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *