054. EL KAMER

El Kamer (mekase) 55 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. U afrua Ora dhe Hëna u ça!
  2. E, megjithatë, sa herë që ata shohin ndonjë mrekulli, kthejnë shpinën e thonë: “Kjo është magji e vazhdueshme!”
  3. Ata e mohojnë të vërtetën dhe ndjekin dëshirat e veta, por çdo çështje do të plotësohet në cakun e fundit!
  4. Atyre u kanë ardhur lajme, në të cilat ka mjaft qortime!
  5. Kjo është urtësi e përsosur! Por atyre nuk u bëjnë dobi qortimet!
  6. Prandaj largohu prej tyre, deri në ditën kur Lajmëtari (Israfili) t’i thërrasë drejt tmerrit!
  7. Të tmerruara do të jenë shikimet e tyre! Ata do të dalin prej varreve si karkaleca të shpërndarë,
  8. duke shpejtuar drejt Lajmëtarit. Jobesimtarët do thonë: “Kjo është ditë e vështirë”.
  9. Para tyre mohoi populli i Nuhut. Ata e refuzuan robin Tonë dhe i thanë: “I marrë!”. Ai u mundua dhe u kërcënua prej tyre.
  10. Prandaj ai iu drejtua Zotit të vet: “Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!”
  11. Atëherë, Ne, me një shi të vrullshëm, hapëm dyert e qiellit,
  12. ndërsa nga toka shpërthyem burime uji, dhe kështu uji u bashkua siç ishte caktuar.
  13. Ndërsa atë e hipëm në një barkë prej dërrasash dhe gozhdësh,
  14. që lundronte nën Sytë Tanë. Kjo, si shpagim për atë që u mohua.
  15. Ne e lamë atë si shenjë, por a ka ndonjë që merr mësim?
  16. Si ishte ndëshkimi dhe paralajmërimi Im!
  17. Ne Kuranin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndonjë që merr mësim?
  18. Adët mohuan, por si i ishte ndëshkimi dhe paralajmërimi Im?
  19. Ne u lëshuam atyre një erë të fortë, në një ditë ndëshkimi të ashpër dhe të vazhdueshëm.
  20. Ajo i shtynte njerëzit sikur të ishin trupa hurmash të shkulura.
  21. Si ishte ndëshkimi dhe paralajmërimi Im?
  22. Ne e bëmë Kuranin të lehtë për të përkujtuar, por a ka ndonjë që përkujton?
  23. Themudët mohuan të dërguarit.
  24. Ata thanë: “A të shkojmë pas një njeriu të vetëm, që doli nga mesi ynë?! Ne, atëherë, do të ishim vërtet të humbur dhe të marrë!”
  25. Vallë, vetëm atij iu dha Shpallja ndër ne? Jo, por ai është një gënjeshtar mendjemadh!”
  26. Do ta kuptojnë nesër se kush është gënjeshtari, mendjemadhi!
  27. Ne do t’u dërgojmë devenë si sprovë, por t’i vetëm vështroji me durim!
  28. Lajmëroi ata se uji është i ndarë për ta veç e veç, e secili do të paraqitet për të pirë sipas rregullit.
  29. Po ata thirrën shokun e tyre, i cili e mori dhe e theri atë.
  30. Si i ishte ndëshkimi dhe paralajmërimi Im!
  31. Ne lëshuam kundër tyre një ushtimë të vetme, dhe ata u bënë si shtrojë vathi.
  32. Ne Kuranin e bëmë të lehtë për të përkujtuar, por a ka ndonjë që përkujton?
  33. Populli i Lutit i mohoi porositë e Pejgamberit të vet.
  34. Ne dërguam mbi ta një furtunë me gurë, përveç familjes së Lutit, të cilën e shpëtuam para se të agonte.
  35. Kjo ishte mirësi nga ana Jonë. Kështu i shpërblejmë Ne ata që falënderojnë.
  36. Ai u tërhoqi vërejtjen atyre për dënimin Tonë të rëndë, por ata dyshuan në këto paralajmërime.
  37. Ata deshën t’u afroheshin mysafirëve të tij, por Ne ua verbuam sytë. Vuani, atëherë, ndëshkimin dhe paralajmërimin Tim!
  38. Ata i kapi dënimi i përhershëm në befasi, herët në mëngjes.
  39. Vuani, atëherë, ndëshkimin dhe paralajmërimin Tim!
  40. Ne Kuranin e bëmë të lehtë për të përkujtuar, por a ka ndonjë që përkujton?
  41. Edhe rrethit të Faraonit i kanë ardhur paralajmërime.
  42. Ata i mohuan të gjitha argumentet Tona, prandaj Ne i dënuam ashtu siç dënon Ngadhënjyesi, i Plotfuqishmi.
  43. Vallë, jobesimtarët tuaj janë më të vlefshëm se ata që u përmendën, apo keni ndonjë premtim shpëtimi në librat e qiellit?
  44. Mos vallë po thonë: “Ne jemi një grup, të bashkuar dhe ngadhënjyes?”
  45. Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do t’ia mbathin.
  46. Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.
  47. S’ka dyshim se idhujtarët keqbërës janë në humbje dhe në zjarr të madh.
  48. Atë ditë kur, me fytyrat e tyre, të tërhiqen zvarrë në Zjarr, do t’u thuhet: “Vuajeni dënimin në Sekar!”.
  49. Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të caktuar.
  50. Puna Jonë është e shpejtë, sa hap e mbyll sytë.
  51. Ne i shkatërruam ata që ishin si ju, por a ka ndonjë që merr mësim?
  52. Çdo gjë që bënë ata gjendet e shënuar.
  53. Çdo vepër, qoftë e vogël a e madhe, është e shënuar në rreshta.
  54. Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në kopshte e në lumenj,
  55. në kuvendin e së vërtetës, tek një Sundues i Plotfuqishëm!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *