Er Rahman (mekase) 78 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- I Gjithëmëshirshmi!
- Ai ua mësoi Kuranin.
- Ai e krijoi njeriun.
- Ai e mësoi të shprehet qartë.
- Dielli dhe Hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë.
- Edhe yjet dhe pemët i përulen Atij.
- Qiellin e ngriti lart dhe vendosi drejtësinë,
- që ju të mos e shkelni atë.
- Prandaj matni me drejtësi e mos hani në peshë!
- Tokën e bëri për krijesat.
- Në të ka fruta të larmishme: hurma me degët plot,
- drithëra me gjethe e kërcej dhe rejhan.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!
- Ai e krijoi njeriun nga deltina e tharë,
- kurse xhindët i krijoi nga flaka e zjarrit.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Zoti i dy lindjeve dhe Zoti i dy perëndimeve!
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ai i lejoi dy dete që të takohen,
- mes të cilëve është një pengesë, që nuk e kapërcejnë.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Prej atyre të dyve nxirren margaritarë e korale.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Atij i përkasin anijet që lundrojnë në det dhe që duken si male.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Çdo gjë që ndodhet në të ka për t’u zhdukur,
- e do të mbetet vetëm Fytyra e Zotit tënd, që është i Madhëruar e Bujar!
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Atij i drejtohet me lutje çfarë është në qiej e në Tokë. Në çdo moment, Ai është i angazhuar me shumë çështje.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ne do të merremi me ju, o dy të rëndësishmit!
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- O masë e xhindëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të Tokës, atëherë dilni! Por ju nuk mund ta bëni këtë, veçse me ndonjë fuqi të madhe.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Mbi ju të dy do të dërgohet flakë zjarri dhe tym përvëlues, e nuk do të keni mundësi të mbroheni.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Kur qielli të çahet e të skuqet, si plumb i shkrirë.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Atë ditë nuk pyetet për gjynahet e veta as njeriu, as xhindi.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Keqbërësit njihen me tiparet e tyre, prandaj me forcë do të rrëmbehen për flokësh dhe për këmbësh.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ja, ky është Xhehenemi, të cilin keqbërësit e mohonin.
- Ata do të sillen vërdallë ndërmjet atij dhe ujit të valuar.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet, janë përgatitur dy xhenete.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Plot pemë, që bëjnë hije.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Tek ata të dy ndodhen dy burime, që rrjedhin.
- E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Tek ata të dy, prej të gjitha frutave ka nga dy lloje.
- E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, mbulesat e brendshme të të cilave janë prej mëndafshi të stolisur, dhe frytet e pemëve të dy xheneteve janë shumë pranë.
- E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Aty janë ato që i përqendrojnë shikimet e tyre e të cilat nuk i ka prekur kush më parë, as njerëz, as xhindë.
- Cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ato janë si rubinë e korale.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- A nuk është shpërblimi i veprës së mirë veçse e mira?!
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- E nën ata të dy janë edhe dy kopshte të tjera.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Nga gjelbërimi i dendur, ato duken të mbyllura në të zi.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Aty janë dy burime, që gjithnjë gurgullojnë.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Në ata të dy, ka fruta: hurma dhe shegë.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Aty janë ato të mirat e të bukurat.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ato janë hyri symëdha, që qëndrojnë vetëm brenda kështjellave.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Ato nuk i ka prekur kush më parë, as njeri e as xhind.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- Aty rrinë të mbështetura në shtroje të gjelbra e qilima të bukur.
- Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
- I lartësuar qoftë emri i Zotit tënd të Madhëruar e Bujar!