058. MUXHADILE

El Muxhadele (medinase) 22 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

  1. Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me ty lidhur me burrin e vet dhe u ankua tek Allahu. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Allahu është Gjithëdëgjues e Gjithëvështrues.
  2. Ata nga mesi juaj, të cilët u bëjnë dhihar grave të veta, le ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë ato që i kanë lindur. Në fakt, ata thonë fjalë të urryera dhe të pavërteta. Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mbulues i gjynaheve.
  3. Ata që bëjnë dhihar dhe largohen nga gratë e veta, e pastaj tërhiqen nga ajo që kanë thënë, janë të detyruar që, para se të kontaktojnë me to, të lirojnë një rob. Ky është ligji për ju, e Allahu është i Gjithëditur me hollësi rreth veprimeve tuaja.
  4. E kush nuk ka mundësi, le të agjërojë dy muaj rresht, para se të kryejë marrëdhënie. Kush nuk mundet as për këtë, atëherë le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, për të treguar se ju besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këto janë kufijtë e Allahut. Ndërkaq, mohuesit kanë dënim të rëndë.
  5. Nuk ka dyshim se ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë të poshtëruar, ashtu siç u poshtëruan ata përpara tyre. Ne u shpallëm atyre fakte të qarta. Për mohuesit është përgatitur një dënim i turpshëm.
  6. Ditën kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, Ai do t’u pëcjellë se çfarë kanë punuar. Allahu i ka shënuar të gjitha, edhe pse ata i harrojnë. Allahu është Mbikëqyrësi i gjithçkaje.
  7. A nuk e di ti se Allahu di për gjithçka që gjendet në qiej dhe për gjithçka që gjendet në Tokë?! Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti, e as mes pesë vetave, që Ai të mos jetë i gjashti, e as mes më pak dhe as mes më shumë vetave, që Ai të mos jetë me ta, kudo që të jenë. Më pas, Ditën e Kijametit, Ai do t’i njoftojë ata për çfarë kanë bërë. Allahu është i Dijshëm për gjithçka.
  8. A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse u është ndaluar të bisedojnë fshehtas, ata i kthehen përsëri të ndaluarës dhe pëshpërisin për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërguarit? Kur vijnë te ti, ata të përshëndesin jo ashtu si të përshëndet Allahu, por thonë me vete: “Përse nuk na dënon Allahu për këto fjalë që po themi?!” Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai!
  9. O ju që keni besuar, kur bisedoni fshehtas me njëri-tjetrin, mos bisedoni për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj Pejgamberit, por bisedoni për punë të mira e devotshmëri. Gjithmonë ta keni frikë Allahun, para të Cilit do të dilni të gjithë!
  10. Bisedat e fshehta i nxit vetëm Shejtani, për t’u sjellë shqetësime atyre që besojnë. Por ato nuk mund t’i dëmtojnë ata aspak, pa lejen e Allahut. Kështu që, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët!
  11. O ju që keni besuar, nëse ju thuhet: “Lironi pak vend” në tubime, lironi, se Allahu sjell lirim për ju. E nëse ju thuhet: “Ngrihuni”, atëherë ngrihuni! Allahu i lartëson ata prej jush që besojnë, ndërsa të begatuarit me dituri i ngre në grada të larta. Allahu është hollësisht i ditur për çfarë ju veproni.
  12. O ju që keni besuar, nëse dëshironi të bisedoni me të Dërguarin, jepni një sadaka para bisedës suaj. Kjo është më mirë dhe më e pastër për ju! Nëse nuk keni çfarë të jepni, Allahu është Falës e Mëshirues.
  13. A keni frikë të jepni sadaka në prag të bisedës suaj? Kur ju nuk e bëtë këtë, Allahu jua pranoi pendimin. Atëherë, faleni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëditur për veprat tuaja.
  14. A e dini për ata që janë miqësuar me një popull, me të cilët Allahu është zemëruar? Ata nuk janë as prej jush, as prej atyre dhe me vetëdije bëjnë betim të gënjeshtërt.
  15. Allahu për ta ka përgatitur ndëshkim të ashpër. Vërtet, ajo çfarë veprojnë ata është shumë e keqe.
  16. Betimet ata i përdorin si mburojë, teksa pengojnë të tjerët prej rrugës së Allahut, prandaj i pret një dënim poshtërues.
  17. Para Allahut, atyre nuk do t’u bëjë dobi as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata janë banorët e Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë.
  18. Ditën kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij, sikurse ju betohen juve, duke pandehur se kështu do të arrijnë diçka. Në fakt, ata janë veç gënjeshtarë.
  19. Ata i ka vënë poshtë Shejtani dhe i ka bërë që të harrojnë porositë e Allahut. Ata janë palë me Shejtanin, e dijeni se palë me Shejtanin janë vetëm të humburit.
  20. S’ka dyshim se ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata do të jenë më të poshtëruarit.
  21. Allahu e ka shkruar: “Unë dhe të dërguarit e Mi patjetër do të ngadhënjejmë!” Allahu është i Fortë e Ngadhënjyes.
  22. Nuk gjen popull që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e të dojë ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur ata të jenë prindërit, fëmijët, vëllezërit ose farefisi i tyre. Të tillët janë ata në zemrat e të cilëve Ai ka shkruar besimin, e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe do t’i futë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Këta janë pala e Allahut. Ta dini se pala e Allahut janë të shpëtuarit.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *