El Xhumua (medinase) 11 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Çdo gjë në qiej dhe në Tokë i bën tesbih Allahut, Sunduesit, të Pastrit nga çdo e metë, Krenarit, të Urtit!
- Është Ai, që u dërgoi të palexuarve Profet nga mesi i tyre, që t’u lexonte ajetet e Tij, t’i pastronte ata, t’u mësonte Librin dhe Urtësinë, kur më parë ata ishin në humbje të plotë;
- por edhe të tjerëve, që ende nuk u janë bashkuar atyre. Ai është Ngadhënjyesi, i Urti.
- Kjo është mirësia e Allahut, që ia jep atij që do. Allahu është i Zotëruesi i mirësisë së madhe.
- Përngjasimi i atyre që iu besua Teurati dhe nuk e zbatuan atë, është me gomarin, që thjesht bart libra! Sa i keq është përngjasimi i atyre që mohojnë ajetet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë zullumqarët!
- Thuaju: “O ju që i përmbaheni jehudizmit, nëse pretendoni se jeni më të afërmit e Allahut nga të gjithë njerëzit e tjerë, atëherë kërkojeni vdekjen, në qoftë se jeni të sinqertë!”.
- Por ata nuk do ta dëshirojnë kurrë atë, për shkak të veprave që kanë bërë me duart e tyre. Allahu është i Gjithëdijshëm për mizorët!
- Thuaju: “Vdekja, së cilës ju i ruheni, pa dyshim që ka për t’ju zënë! Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju tregojë se çfarë keni vepruar.”
- O ju që keni besuar, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhuma, nxitoni për atje ku përmendet Allahu dhe lëreni shitblerjen! Kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse e dini!
- Pasi të falet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por përmendeni shpesh Allahun, që të gjeni shpëtim!
- Kur ata shohin ndonjë tregti ose dëfrim, rendin drejt tyre, duke të lënë ty në këmbë. Thuaju: “Çfarë gjendet tek Allahu është shumë herë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, se Allahu është Furnizuesi më i mirë!”