El Munafikun (medinase) 11 ajete
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Kur vijnë tek ti munafikët, thonë: “Dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se munafikët janë gënjeshtarë!
- Ata përdorin si mburojë betimet e tyre dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Sa e ligë është kjo sjellje e tyre!
- Ata besojnë e pastaj mohojnë, prandaj zemrat e tyre janë vulosur dhe ata nuk kuptojnë.
- Kur i sheh ata në fizionomi, të mahnisin, e kur flasin, iu dëgjohet fjala! Po ata janë si trungje bosh e të mbështetur. Çdo thirrje e mendojnë sikur është kundër tyre. Ata janë armiq, prandaj ruaju prej tyre! Allahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta!
- Kur u thuhet: “Ejani tek i Dërguari i Allahut, se ai do të kërkojë falje për ju”, ata tundin kokën dhe i sheh tek të kthejnë shpinën me fodullëk.
- Njësoj është: kërkon apo nuk kërkon falje për ta, sepse Allahu nuk ka për t’i falur kurrsesi! Nuk ka dyshim se Allahu nuk i udhëzon zullumqarët.
- Ata thonë: “Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, derisa ata ta braktisin!” Por vetëm Allahut i përkasin pasuritë e qiejve e të Tokës, ndonëse munafikët nuk e kuptojnë.
- Ata thonë: “Kur të kthehemi në Medinë, pa dyshim, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit!” Në fakt, e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë.
- O ju që keni besuar, as pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej përkujtimit të Allahut! Ata që veprojnë ashtu, ata janë të humbur!
- Shpenzoni nga ajo që Ne ju kemi dhënë, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja e të thotë: “O Zoti im, përse nuk ma shtyve edhe pak afatin, që të jepja sadaka e të bëhesha prej të mirëve!”
- Por Allahu asnjërit nuk ia shtyn afatin, kur ai i vjen. Allahu është i Gjithëdijshëm për ato që ju punoni.