064. TEGABUN

Et Tegabun (medinase) 18 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Vetëm Allahut i bën tesbih gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Vetëm Atij i përket i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon lavdia! Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.
  2. Është Ai që ju krijoi që mes jush të ketë mohues, ashtu edhe besimtarë. Allahu e sheh gjithçka se çfarë bëni.
  3. Ai krijoi qiejt dhe Tokën për të vërtetën. Ai ju dha pamjen që keni dhe këtë pamje jua bëri të bukur. Vetëm tek Ai është kthimi juaj.
  4. Ai e di çfarë ka në qiej e në Tokë, di atë që e fshihni dhe atë që e shfaqni hapur. Allahu është i Gjithëdijshëm edhe për atë që fshihet në kraharor.
  5. A nuk ju kanë treguar për ata të mëparshmit që nuk besonin, ndaj dhe vuajtën pasojat e rënda të veprave të veta? Ata i pret një dënim tepër i dhimbshëm.
  6. Kjo, për shkak se, kur atyre u shkonin të dërguarit me argumente të qarta, ata thoshin: “Vallë, njerëzit do të na e tregojnë ne udhën?” Kështu, ata nuk besuan dhe kthyen shpinën. Por Allahu nuk ka nevojë për ta, se Allahu është i Pasur e i Lavdëruar vetvetiu.
  7. Mohuesit pandehin se nuk do të ringjallen kurrë. Thuaju: “Po, për Zotin tim, patjetër do të ringjalleni dhe do t’ju paraqitet gjithçka që keni bërë. Kjo është lehtë për Allahun!”
  8. Atëherë, besojeni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Dritën që Ne e zbritëm! Allahu është i Gjithëditur për atë që ju veproni!
  9. Ditën e Ringjalljes, kur Ai t’ju tubojë, do të jetë dita e humbjes dhe fitimit. Kush beson Allahun dhe bën vepra të mira, Ai do t’ia fshijë të këqijat dhe do ta fusë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të jenë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe!
  10. Ndërsa ata që nuk besojnë dhe i mohojnë argumentet Tona, ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është përfundimi më i keq!
  11. Çdo fatkeqësi që godet, ndodh veçse me lejen të Allahut. Kush i beson Allahut, Ai ia udhëzon zemrën. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
  12. Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit! Nëse ju ktheni shpinën, atëherë dijeni se detyra e të Dërguarit tonë është vetëm kumtimi i qartë.
  13. Allahu është Ai që, veç Tij, nuk ka të adhuruar tjetër, prandaj vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët!
  14. O ju që keni besuar, vërtet, disa nga bashkëshortet dhe fëmijët tuaj janë armiqtë tuaj, prandaj kini kujdes ndaj tyre. Nëse i falni, toleroni dhe ua mbuloni gabimet e tyre, ta dini se edhe Allahu është Falës e Mëshirues.
  15. Nuk ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë veçse sprovë, ndërsa tek Allahu është shpërblimi i madh.
  16. Tregoni devotshmëri ndaj Allahut sa të mundeni, dëgjoni, binduni dhe shpenzoni për bamirësi. Kjo është në të mirën tuaj. Kush i ruhet koprracisë së vetes, ai është i shpëtuar.
  17. Nëse i jepni Allahut një ‘hua’ të mirë, Ai do t’jua shumëfishojë atë dhe do t’ju falë gjynahet. Allahu është Mirënjohës i madh dhe i Butë.
  18. Ai është i Gjithëdijshmi për të fshehtat dhe të dukshmet, Ngadhënjyesi dhe i Urti.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *