066. ET TAHRIM

Et Tahrim (medinase) 12 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. O Profet, pse ia ndalon vetes atë që Allahu ta lejoi, duke dashur t’u bësh qejfin grave të tua?! Allahu është Falës e Mëshirues.
  2. Allahu e ka caktuar zgjidhjen për betimet që bëni. Allahu është kujdestari juaj; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.
  3. Kur Pejgamberi i tregoi një sekret njërës prej grave të veta, ajo e përhapi atë lajm. Allahu ia bëri të ditur këtë të Dërguarit të Tij, i cili i tregoi asaj vetëm për një pjesë të lajmit, duke mos i thënë gjë për pjesën tjetër. Kur ai i tha asaj se çfarë kishte ndodhur me lajmin, ajo i tha: “E kush ta tregoi ty këtë?” Ai tha: “Ma tregoi i Gjithëdijshmi, Njohësi i të fshehtave!”
  4. Ju të dyja pendohuni tek Allahu, sepse zemrat tuaja kanë gabuar. Por nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se Allahu është Mbrojtësi i tij, ashtu si edhe Xhibrili e besimtarët e ndershëm. Jo vetëm kaq, por edhe engjëjt e ndihmojnë atë!
  5. Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju: muslimane, besimtare, të bindura, që pendohen te Zoti, adhuruese, muhaxhire, që kanë qenë të martuara ose virgjëresha.
  6. O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër, që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron, por i zbatojnë ato çfarë u urdhërohen.
  7. O ju që mohuat, sot mos u justifikoni! Ju do të shpërbleheni vetëm për atë që keni vepruar.
  8. O ju që keni besuar, drejtohuni tek Allahu me pendim të sinqertë! Kështu shpresohet që Zoti juaj t’jua mbulojë të këqijat e t’ju vendosë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, atë ditë, kur Allahu nuk ka për ta turpëruar Pejgamberin e as ata që besuan bashkë me të. Drita e tyre do të ndriçojë para dhe në të djathtë të tyre, ndërsa ata do të thonë: “Zoti ynë, forcoje dritën tonë dhe na i mbulo gjynahet tona! Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë!”.
  9. O ti i Dërguar, luftoji jobesimtarët e hipokritët dhe qëndro ashpër kundër tyre! Vendi i tyre është Xhehenemi, i cili është vendi më i shëmtuar!
  10. Atyre që mohojnë, Allahu u sjell si shembuj gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robërit Tanë të mirë, por i tradhtuan ata. Për këtë arsye, bashkëshortët e tyre nuk do të mund t’i mbrojnë ato aspak tek Allahu. Atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni të dyja në Zjarr, së bashku me të tjerët që hyjnë në të!”
  11. Ndërsa atyre që besojnë, Allahu u sjell si shembull gruan e Faraonit, e cila tha: “Zoti im, më bëj një vend tek Ti në Xhenet! Më shpëto prej Faraonit dhe veprave të tij, më shpëto edhe prej popullit mizor!”
  12. Edhe Merjemja, e bija e Imranit, e cila e ruajti mirë nderin e saj. Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë. Ajo besoi plotësisht fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij. Gjithashtu, ajo ishte e devotshme.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *