067. EL MULK

El  Mulk (mekase) 30 ajete

  1. I Madhëruar është Ai, në dorën e të Cilit është i tërë sundimi, Ai i Cili është i Plotpushtetshëm për gjithçka.
  2. Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi.
  3. Ai krijoi shtatë qiej, palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë mospërputhje. Vëzhgo, atëherë: a sheh ndonjë të çarë?!
  4. Përsëri e përsëri vëzhgo, por ky vëzhgim do të të kthehet mbrapsht i përulur dhe i dorëzuar!
  5. Qiellin e dynjasë, Ne e kemi zbukuruar me kandilë (yje), që i kemi bërë gjuajtës kundër shejtanëve, ndaj të cilëve kemi përgatitur dënimin me zjarr të ndezur fort.
  6. Dënimi në Xhehenem është edhe për ata që nuk i besojnë Zotit të tyre. Sa vend i keq është ai!
  7. Kur të hidhen në të, ata do t’ia dëgjojnë ushtimën e vlimit të tij.
  8. Nga zemërimi që ka, ai gati sa nuk shpërthen! Sa herë që ndonjë turmë do të hidhet në të, roja do t’i pyesë: “A s’ju erdhi ndonjë paralajmërues?”
  9. Ata thonë: “Po, na erdhën paralajmërues (nga Zoti), por ne i mohuam duke iu thënë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë, ndërsa ju nuk jeni gjë tjetër, por veçse njerëz në një humbje të madhe!”
  10. Ata do thonë gjithashtu: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit!”.
  11. Pra, kështu i pranojnë ata gjynahet e veta. Larg mëshirës qofshin banorët e Zjarrit!
  12. Pa dyshim se, për ata që i frikësohen Zotit të vet pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh!
  13. I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çka fshihni në zemrat tuaja.
  14. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai është i Gjithëdituri në imtësi rreth sekreteve.
  15. Është Ai që e bëri tokën të përshtatshme për ju. Ecni nëpër të dhe shfrytëzoni begatitë e Tij. Vetëm tek Ai është e ardhmja.
  16. A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos ju përpijë toka kur të dridhet?!
  17. Apo u garantuat prej Atij që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh?! Ju do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im!
  18. Edhe ata që ishin para tyre mohuan, por si ishte dënimi Im?
  19. A nuk i vështrojnë shpendët përmbi ta, kur qëndrojnë pezull krahëhapur dhe kur krahët i mbledhin? Ata nuk i mban kush në ajër veç të Gjithmëshirshmit.. Ai është Shikues i gjithçkaje.
  20. Ç’është ajo ushtri e juaja që mund t’ju ndihmojë, veç Rrahmanit? Nuk ka dyshim se jobesimtarët janë të zhytur në një mashtrim të madh.
  21. Kush është ai që do t’ju furnizojë, nëse Ai jua ndërpret furnizimin e Vet? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërshtime.
  22. Ai që ecën i përmbysur me fytyrë për tokë është më i udhëzuar, apo ai që ecën me ekuilibër të plotë në rrugën e drejtë?!
  23. Thuaj: “Është Ai që ju krijoi, që ju dhuroi të dëgjuarit, shikimin dhe aftësinë e të menduarit, por shumë pak mirënjohje po tregoni ndaj Tij.”
  24. Thuaj: “Është Ai që ju krijoi e ju shumoi në tokë dhe vetëm tek Ai do të tuboheni!”
  25. Ata thonë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse jeni të saktë?”
  26. Thuaj: “Atë e di vetëm Allahu, ndërsa unë jam veçse një qortues, që ju qartësoj të vërtetën!”
  27. Kur ta shohin atë (Xhehenemin) që t’u afrohet, fytyrat e jobesimtarëve do shëmtohen. Ndërsa atyre u thuhet: “Ky është ai që ju kërkonit ta shihnit realisht!”
  28. Thuaj: “Më tregoni ju, nëse Allahu ma merr shpirtin mua dhe atyre që janë me mua, ose na mëshiron, kush do t’i mbrojë jobesimtarët prej një dënimi të mundimshëm?!”
  29. Thuaj: “Ai është i Mëshirshmi! Atij i kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur! Kurse ju do ta kuptoni se kush është i humburi i vërtetë!”
  30. Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjellë juve ujë në sipërfaqe?”

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *