Nuh (mekase) 28 ajete
Me emrin e Allahut,
Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!
- Ne e dërguam Nuhun te populli i vet: “Tërhiqja vërejtjen popullit tënd, para se ata t’i godasë një dënim i dhembshëm!”
- Ai tha: “O populli im! Unë për ju jam një paralajmërues i qartë.
- Adhurojeni Allahun, ruhuni prej Tij dhe bindmuni mua!
- Ai ju mbulon gjynahet tuaja dhe ju jep afat deri në një moment të caktuar. Por kur të vijë afati i caktuar prej Allahut, ai nuk shtyhet për më vonë, nëse e dini.
- Ai tha: “O Zoti im! Unë e ftova popullin tim natën dhe ditën,
- por ftesa ime vetëm sa ia shtoi largimin.
- Sa herë që unë i ftoja ata tek Ti, për t’ua falur gjynahet, ata i vendosnin gishtat në veshët e tyre dhe mbulonin kokat me teshat e tyre, për të vazhduar në të tyren me një arrogancë të madhe.
- Unë i ftova ata haptazi.
- Ua drejtova thirrjen botërisht e shumë herë edhe fshehurazi”.
- Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj, se Ai vërtet është Falës i madh.
- Ai do t’ju lëshojë nga qielli shi me bollëk,
- do t’ju begatojë me pasuri dhe fëmijë, do t’ju mundësojë të keni kopshte dhe lumenj.
- Ç’është kështu me ju, që nuk i shprehni Allahut madhërinë që e meriton,
- kur Ai ju krijoi në disa etapa?!
- A nuk e shihni se si Allahu ka krijuar shtatë qiej, palë-palë.
- Dhe në ta, hënën e bëri dritë e diellin e bëri ndriçues.
- Allahu ju nxori ju prej tokës, si bimë.
- Pastaj ju kthen në të, për t’ju nxjerrë sërish.
- Allahu e bëri tokën shtrojë për ju,
- që nëpër të, të ecni rrugëve të gjera”.
- Nuhu tha: “O Zoti im! Ata nuk m’u bindën mua, por shkuan pas atyre, të cilëve pasuria dhe fëmijët e tyre u shtuan veçse dëshpërim,
- dhe të cilët u kurdisën kurthe shumë të mëdha.
- Ata u thanë: “Kurrë mos i braktisni zotat tuaj! Mos e braktisni Ueddën, as Suvânë, as Jeguthën, Jeûkën dhe Nesrën”.
- Ata zhytën në humbje shumë pasues të tyre. Prandaj, të padrejtëve Ti shtoju veçse humbje!”
- Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën ndihmës, që t’i shpëtonin prej Allahut.
- Nuhu tha: “O Zoti im! Mos lër mbi tokë asnjë nga jobesimtarët!
- Sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i devijojnë adhuruesit e Tu, dhe se prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë!
- O Zoti im! Më fal mua, prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”.