072. EL XHIN

El Xhinn (mekase) 28 ajete

Me emrin e Allahut,

Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!

  1. Thuaj: “Mua më është shpallur se një grup xhindësh mbajtën vesh dhe thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kuran të çuditshëm.
  2. Ai udhëzon tek e vërteta, prandaj i besuam atij dhe kurrë nuk do të adhurojmë gjë tjetër, veç Zotit tonë..
  3. Pa dyshim, lartësia dhe madhështia e Zotit tonë nuk lejon që Ai të ketë grua apo fëmijë.
  4. S’ka dyshim se ai mendjelehti ynë thoshte gënjeshtra të mëdha ndaj Allahut.
  5. Ndërsa ne mendonim se as njerëzit, as xhindët nuk mund të thonin gënjeshtra për Allahun.
  6. Ka pasur burra prej njerëzve, që u kërkonin ndihmë disa burrave prej xhindëve, duke ua shtuar kështu edhe më tepër arrogancën.
  7. Dhe ata mendonin, siç mendoni edhe ju, se Allahu nuk ka për të ringjallur asnjë.
  8. Vërtet, ne kemi hulumtuar që të arrijmë në qiell, por e kemi gjetur atë plot me roje të fuqishëm dhe me shkëndija.
  9. Ne, më parë, arrinim të dëgjonim diçka, por kush përpiqet tashmë të dëgjojë atje, has në pusinë e shkëndijës së zjarrtë.
  10. Ne nuk e dimë a është për qëllim ndonjë e keqe për ata që janë në tokë, apo Zoti i tyre dëshiron që t’i udhëzojë.
  11. Është e vërtetë se prej nesh ka të mirë, por ka edhe që nuk janë aq të mirë. Ne kemi qenë në drejtime të ndryshme.
  12. Ne jemi të bindur se Allahut nuk mund t’i shmangemi në tokë, e as nuk mund t’i shpëtojmë Atij duke ikur.
  13. Dhe ne, sapo e dëgjuam udhëzimin, i besuam atij. E kush i beson Zotit të vet, nuk i druhet ndonjë dëmtimi e as ndonjë padrejtësie!
  14. Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë, ashtu si ka që janë jashtë rrugës. Kush pranoi Islamin, ai gjeti rrugën e shpëtimit.
  15. Ndërsa ata që e braktisën rrugën, ata u bënë lëndë e Xhehenemit!
  16. Sikur ata t’i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t’u lëshonim atyre ujë me bollëk,
  17. për t’i sprovuar me të. Atë që ia kthen shpinën Përkujtimit të Zotit të vet, Ai e shpie në vuajtje të padurueshme.
  18. Me të vërtetë, xhamitë janë vetëm që t’i lutesh Allahut, prandaj mos ju lutni në to askujt tjetër veç Allahut!
  19. Dhe, vërtet, kur robi i Allahut u ngrit ta adhurojë Atë, ata gati sa hipën njëri mbi tjetrin, për ta dëgjuar.
  20. Thuaj: “Unë adhuroj veçse Zotin tim dhe nuk konsideroj si të barabartë me Të asgjë!”
  21. Thuaj: “Unë nuk kam në dorë që t’ju dëmtoj dhe as t’ju udhëzoj në rrugë të drejtë!”
  22. Thuaj: “Është e vërtetë se mua nuk më mbron askush prej Allahut dhe, përveç se tek Ai, unë nuk mund të gjej mbështetje askund tjetër.
  23. Unë jam veçse përcjellës i Allahut dhe i shpalljeve të Tij. Atyre që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij u takon zjarri i Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë, pa mbarim.
  24. Kur të shohin atë që u është premtuar, atëherë do të kuptojnë se cili është vërtet ndihmësi më i dobët dhe më i vogël në numër.
  25. huaj: “Unë nuk e di a do të jetë afër ajo që u premtohet, apo Zoti im do ta vonojë atë shumë?”
  26. Ai është Njohësi i të fshehtës dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt,
  27. me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai dëshiron. Atëherë, Ai vë roje para edhe prapa tij,
  28. për t’u bërë e qartë se ata i kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre dhe se Ai ka përfshirë gjithçka të tyre. Ai e di sasinë e çdo gjëje që ekziston.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *