074. MUDETHIR

El Muddethir (mekase) 56 ajete

Me emrin e Allahut,

Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!

  1. O ti i mbuluar!
  2. Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen atyre!
  3. E madhëroje Zotin tënd!
  4. Rrobat e tua pastroji!
  5. Të keqes së ndyrë largoju!
  6. Mos u mburr me atë që jep e mos të të duket shumë!
  7. Dhe për hir të Zotit tënd, duro!
  8. E, kur të fryhet në Sur,
  9. atëherë është një ditë e vështirë,
  10. që nuk është e lehtë për jobesimtarët.
  11. Ma lër Mua atë që e krijova të vetmuar,
  12. që i mundësova të ketë pasuri të madhe;
  13. që e bëra edhe me djem, të cilët i ka me vete.
  14. Unë ia kam dhënë të gjitha mundësitë,
  15. ndërsa ai lakmon që t’ia shtoj edhe më tepër!
  16. Por jo! Ai u tregua vërtet mohues i fakteve Tona!
  17. Atë do ta ndrydh dhe do ta ngarkoj me një dënim të rëndë e të padurueshëm.
  18. Ai mendonte dhe gjykonte!
  19. Qoftë i shkatërruar! Po si gjykonte?!
  20. Prapë qoftë i shkatërruar! E si gjykonte?!
  21. Ai thellohej e thellohej në mendime,
  22. pastaj vrenjtej dhe bëhej i vrazhdë.
  23. Por në fund, ktheu shpinën dhe tregoi mendjemadhësi.
  24. Ai tha: “Ky nuk është gjë tjetër, veçse një magji, që përcillet prej të tjerëve.
  25. Ky nuk është gjë tjetër, veçse “fjalë njerëzish””!
  26. Prandaj Unë do ta flak atë në Sekar!
  27. E ku e di ti se çfarë do të thotë Sekar?!
  28. Ai është i tillë që nuk lë send pa e djegur.
  29. Ai i përcëllon dhe i nxin lëkurat.
  30. Nëntëmbëdhjetë janë mbikëqyrësit e tij.
  31. Ne bëmë mbikëqyrës të Zjarrit veç engjëj, numrin e të cilëve e bëmë veçse si fitne për ata që nuk besojnë, që të binden ata që u është dhënë Libri, që besimtarëve t’u shtohet edhe më shumë besimi, që ata të cilëve u është dhënë Libri dhe besimtarët të mos kenë asnjë dyshim, ndërsa ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe jobesimtarët të thonë: “Çfarë deshi Allahu me këtë shembull?” Ja, kështu Allahu e lë të humbur atë që Ai do dhe e udhëzon atë që do. Ushtritë e Zotit tënd nuk i di askush veç Tij. Ky është veçse një përkujtim për njerëzit.
  32. Jo, betohem në Hënën, nuk është ashtu!
  33. Edhe në natën, kur ajo tërhiqet!
  34. Edhe në agimin, kur ai shkrep!
  35. S’ka dyshim se ai është një nga vështirësitë më të mëdha!
  36. Ai është vërejtje për njerëzit!
  37. Për atë nga mesi juaj që dëshiron të përparojë apo të ngecë në vend.
  38. Çdo njeri është peng i veprave të veta!
  39. përveç të djathtëve,
  40. të cilët do jenë në Xhenete dhe do i bëjnë pyetje njëri-tjetrit
  41. dhe zullumqarëve:
  42. “Çfarë ju solli në Sekar?”
  43. Ata do përgjigjen: “Nuk ishim prej atyre që falnin namaz,
  44. nuk ushqenim të varfërit,
  45. por përziheshim me të tjerët në vepra të kota.
  46. Ne, gjithashtu, nuk e besonim Ditën e Gjykimit,
  47. derisa na erdhi e vërteta e sigurt!”
  48. Tashmë, atyre nuk do t’u bëjë më dobi ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve.
  49. Po çfarë kanë ata që i largohen këshillës?
  50. Ata janë si gomarë të egër të trembur,
  51. që vrapojnë prej luanit.
  52. Secili prej tyre dëshiron t’i jepet një libër i posaçëm.
  53. Jo! Ata nuk i frikësohen botës tjetër.
  54. Jo, sepse kjo është, pa dyshim, një këshillë e vyer,
  55. që, kush dëshiron, përfiton prej saj.
  56. Por ata mund të mësojnë prej saj, vetëm nëse do Allahu. Vetëm Ai e meriton që t’i ruhesh dhe që të jetë Falës i gjynaheve!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *