Abese (mekase) 42 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin,
- kur i erdhi i verbëri.
- E ku mund ta dish ti, ndoshta ai dëshiron të pastrohet,
- ose të këshillohet, dhe këshilla t’i bëjë dobi!
- Ndërsa sa për atë që hiqet si i pavarur,
- ti atij i kushton vëmendje,
- edhe pse nuk ke përgjegjësi, nëse ai nuk dëshiron të pastrohet!
- Ndërsa ai që vjen tek ti duke nxituar
- dhe me drojë,
- ti atij nuk ia vë veshin!
- Mos vepro ashtu! Në të vërtetë këto janë këshilla,
- dhe kush dëshiron, merr mësim.
- Ai ndodhet në faqe të çmueshme,
- të larta e të pastërta,
- në duar të udhëtuesve,
- të ndershëm e punëmirë.
- Mallkuar qoftë njeriu! Sa mohues i keq është ai!
- Prej çfarë gjëje e krijon Ai atë?
- Prej një pike e krijon dhe e përcakton.
- Pastaj rrugën ia lehtëson.
- Mandej e bën të vdesë dhe një varr i ka caktuar.
- Pastaj, kur të dëshirojë, e ringjall.
- Megjithatë, ai ende nuk i ka zbatuar ato që Ai urdhëroi.
- Le të shikojë njeriu ushqimin e vet!
- Ne lëshojmë ujë me bollëk.
- Pastaj e çajmë tokën në thellësi,
- dhe bëjmë që në të të mbijnë drithëra,
- edhe rrush e perime,
- edhe ullinj e hurma,
- edhe kopshte të dendura,
- edhe pemë e kullota;
- si furnizim për ju dhe për bagëtinë tuaj.
- Por kur të vijë Ushtima,
- është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet,
- prej nënës dhe prej babait të vet,
- prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.
- Çdo njeriu, atë ditë, i mjafton çështja e vet.
- Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura,
- të buzëqeshura e të gëzuara.
- Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura,
- që i ka mbuluar errësira e zezë,
- Pikërisht këta janë mohuesit, gjynahqarët!