El Mutaffifin (mekase) 36 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Mjerë për ata që mangët masin e peshojnë,
- të cilët kur masin për veten, masin me saktësi,
- ndërsa kur u masin ose u peshojnë të tjerëve, ua lënë mangët.
- A nuk mendojnë ata se kanë për t’u ringjallur
- në një ditë të madhe,
- ditën kur njerëzit do të ngrihen për të dalë para Zotit të botëve?
- Sigurisht! Pa dyshim, veprat e gjynahqarëve do të jenë në Sixhxhin.
- E ku e di ti se ç’është Sixhxhin-i?
- Ai është një libër i shkruar.
- Mjerë mohuesit atë ditë,
- ata të cilët nuk e besojnë Ditën e Përgjegjësisë!
- Atë ditë nuk e mohon kush, përveç atij që ka e tepruar me mizori dhe vepra të këqija,
- ai i cili, kur i lexohen ajetet Tona, thotë: “Përralla të vjetra!”.
- Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që bëjnë, ua kanë vulosur zemrat.
- Jo dhe jo! Atë ditë do të ketë pengesë mes tyre dhe Zotit të tyre.
- Pastaj, pa dyshim, ata do të flaken në Xhehenem,
- dhe më pas do t’u thuhet: “Ky është ai të cilin e quanit gënjeshtër!”
- Jo, nuk janë të njëjtë! Me të vërtetë, libri i vepërmirëve gjendet në Il-lijjin!
- E ku e di ti se çfarë është Il-lijjun-i?
- Ai është një libër i qëndisur qartë,
- të cilin e dëshmojnë më të afërmit.
- Me të vërtetë, vepërmirët do të jenë në kënaqësi.
- Të mbështetur në kolltukë, ata kundrojnë.
- Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë që përjetojnë.
- Atyre u jepet të pinë pije nga enë të vulosura,
- pije që në fund i vjen era misk! Për të tilla mirësi le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.
- Kjo pije ka brenda edhe prej Tesnim-it,
- burim nga i cili pinë më të afërmit e Zotit.
- Vërtet, zullumqarët talleshin me besimtarët,
- sepse kur kalonin pranë tyre, ata ia bënin me sy njëri-tjetrit.
- Kur ktheheshin në familjet e veta, ata ishin të kënaqur.
- Kur i shihnin, thonin: “Me të vërtetë, këta janë të humbur!”
- Por Ne nuk i caktuam ata si roje të tyre.
- Por sot, janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët.
- Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë.
- A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?