› 1194. Ibn Umeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nuk është e drejtë dhe nuk i lejohet asnjë myslimani, i cili ka ndonjë gjë për të lënë amanet, që t’i kalojnë dy net pa pasur gati të shkruar me vete porosinë e tij të fundit dhe amanetin.,/ (2739)
› 1195. Amr Ibn Harithi, vëllai i bashkëshortes së Pejgamberit a.s., Xhuvejria bint Harith r.a., tregon se, kur vdiq i Dërguari i Allahut a.s., ai nuk la trashëgimi as dirhem (para), as skllav, as skllave dhe asgjë tjetër, përveç mushkës së tij të bardhë, armëve të tija dhe një cope tokë, të cilën e kishte dhënë sadaka. (2740)
› 1196. Talha Ibn Musarrif tregon: “E pyeta Abdullah bin Aufan r.a.: “A ka lënë ndonjë testament Pejgamberi a.s.?” Ai më tha që jo. E pyeta: “Si shpjegohet atëherë që lënia e testamentit u është bërë detyrë njerëzve?” Ai m’u përgjigj: “Pejgamberi a.s. la si amanet Librin e Allahut (Kuranin).” (2740)
› 1197. Ebu Hurejra r.a. tregon se një burrë e pyeti Pejgamberin a.s.: “O i Dërguari i Allahut, cila bamirësi është më e mira?” Ai a.s. i tha: “Të japësh lëmoshë kur je i shëndetshëm dhe i etur (për të fituar), duke shpresuar të bëhesh i pasur dhe duke pasur frikë që të mos bëhesh i varfër. Mos e vono dhënien e sadakasë derisa, kur të biesh në shtratin e vdekjes, të thuash: “Jepini kaq këtij e aq atij – sepse në këtë kohë pasuria nuk është më e jotja, por i takon filanit e filanit (nga trashëgimtarët e tu sipas Ligjit Islam).” (2748)
› 1198. Ebu Hurejra r.a. tregon se kur i zbriti ajeti i Kuranit: “Dhe këshilloje farefisin tënd të afërm (o Muhamed a.s.)”, (Kuran 26: 214), i Dërguari i Allahut a.s. u ngrit dhe thirri: “O ju kurejshë! Blini shpirtrat tuaj (shpëtojeni veten nga Zjarri i Xhehenemit), sepse unë nuk mund t’ju shpëtoj nga ndëshkimi i Allahut! O Beni Abdul- Menaf! Unë nuk mund t’ju shpëtoj nga ndëshkimi i Allahut! O Abbas bin Abdul-Muttalib! Unë nuk mund të të shpëtoj nga ndëshkimi i Allahut! O Safije, halla e të Dërguarit të Allahut! Unë nuk mund të të shpëtoj nga ndëshkimi i Allahut! O Fatime, bija e Muhamedit! Më kërko ç’të duash nga pasuria ime, por unë nuk mund të të shpëtoj nga Ndëshkimi i Allahut!”(2753)
› 1199. Ibn Umeri r.a. tregon se babai i tij, Umeri në kohën e të Dërguarit të Allahut, dha sadaka nga pasuria e tij një kopsht hurmash të quajtur Thamg. Umeri tha: “O i Dërguari i Allahut, kam një gjë nga pasuria ime, e cila për mua është e shtrenjtë dhe desha ta jap atë si bamirësi.” Pejgamberi a.s. i tha: “Jepe kopshtin për bamirësi (si vakëf), me kusht që si toka, ashtu edhe pemët as të mos shiten, as të mos dhurohen dhe as të mos lihen testament, por që frutat e tij të shfrytëzohen (për bamirësi).” Kësisoj pra, Umeri e dha kopshtin sadaka (për t’u përdorur) për Çështjen e Allahut, për lirimin e skllevërve, për të varfrit, për miqtë, për udhëtarët e mbetur rrugës dhe për të afërmit. Ndërkohë kujdestari i këtij kopështi mund të hajë prej tij në mënyrë të arsyeshme dhe me drejtësi, si dhe mund të lejojë ndonjë shokun e vet të hajë me kusht që të mos ketë qëllim që të fitojë me anë të tij.” (2764)
› 1200. Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shmangni shtatë gjynahet e mëdha shkatërruese.” Njerëzit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?” Ai u përgjigj: “T’i bësh Allahut shokë; të merresh me magji; t’i marrësh jetën tjetrit. gjë të cilën Allahu e ka ndaluar, përveçse kur e kërkon e drejta (islame); të hash kamatën; të hash (të gllabërosh) pasurinë e jetimit; t’i kthesh shpinën armikut e t7ia mbathësh nga fusha e betejës kur luftohet dhe të akuzosh padrejtësisht gratë e dëlira, të ndershme e besimtare të vërteta.” (2766)
› 1201. Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Trashëgimtarët e mi nuk do të trashëgojnë as dinar dhe as dirhem (para). Gjithçka që do të lë, duke hequr shpenzimet për gratë e mia dhe pagat për të punësuarit e mi, do të jepet në bamirësi.” (2776)
› 1202. Tregohet se kur u rrethua (nga rebelët), Uthmani r.a. tha: “Ju pyes në Emër të Allahut, dhe nuk pyes askënd tjetër, përveç shokëve të Pejgamberit a.s.. A nuk e dini se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: ‘Kush (blen dhe) hap pusin Ruma, atij do t’i sigurohet Xheneti’? Dhe unë (e bleva dhe) e hapa atë. A nuk e dini se ai a.s. ka thënë: ‘Kush bën gati ushtrinë e vështirësisë (për fushatën e Tebukut), do t’i sigurohet Xheneti?’ Dhe unë e bërë gati atë.” Ata dëshmuan si të vërtetë gjithçka që ai tha. (2778)
› 1203. Ibn Abbasi r.a. tregon: “Dikush nga fisi Beni Sehm doli bashkë me Temim Dariun dhe Adij bin Beddan. Burri nga fisi Sehmij vdiq në një vend ku nuk kishte asnjë musliman. Kur Temimi dhe Adiju u kthyen me pasurinë e të ndjerit, ata thanë se kishin humbur një tas argjendi me shkalitje ari. I Dërguari i Allahut a.s. i vuri ata të betohen (për të vërtetuar shtirjen e tyre). Më pas ky tas u gjend në Mekë te disa njerëz të cilët thanë se e kishin blerë nga Temimi dhe Adiji. Kësisoj u ngritën dy dëshmitarë nga të afërmit e të ndjerit (nga Sehmij) dhe u betuan se dëshmitë e tyre janë më të vlefshme dhe më të drejta se dëshmitë e Temimit dhe Adijit dhe se ai tas i përkiste mikut të tyre. Për këtë çështje të tyre zbriti ajeti i Urtë: “O ju që keni besuar! Në qoftë se ndonjërit prej jush i afrohet vdekja, le të dëshmojnë…” (Kuran 5: 106) (2780)