Të gjithë lavdet dhe falënderimet ia dedikojmë Zotit të gjithësisë, paqja dhe përshëndetjet më të sinqerta ia dedikojmë profetit Muhamed a.s dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e Shpërblimit.
Në rreshtat në vazhdim, ne do të trajtojmë historitë e profetëve të Zotit, histori të cilat përmbajnë shumë mesazhe dhe mësime plot vlera.
Thotë Zoti i madhëruar në Kuranin fisnik:“Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.”(Jusuf, 3)
“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (Kehf, 13)
“Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (Araf, 176)
Këto ajete flasin mbi rëndësinë e tregimeve dhe historive. Ato janë metoda që Zoti i lartësuar ka ndjekur për shpalljen e Kuranit famëlartë. Me histori të tilla, Zoti i jepte zemër dhe kurajë profetit Muhamed a.s që të qëndronte i paepur para sfidave dhe vështirësive. Të njëjtin ndikim ato kanë edhe për brezat pas Profetit a.s. Myslimanët e kanë obligim që t’i studiojnë këto ngjarje, të meditojnë rreth tyre dhe të nxjerrin mësime.
Në Kuran, Zoti ka përmendur histori të shumta rreth profetëve dhe të dërguarve të Tij. Disa prej këtyre historive i gjejmë të detajuara, ndërkohë që disa syresh na paraqiten të përmbledhura.
Profetët e përmendur në Kuran janë njëzet e pesë. Disa nga këta profetë përmenden në ajetin:
“Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm. Ne i dhuruam atij Isakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugë të drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët. Ne udhëzuam edhe Zekerijan, Jahjain, Isain, Iljazin – të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë. Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin – secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.” (En’am, 83-86)
Mbi shkakun përse historitë e profetëve janë trajtuar imtësisht në Kuran, Zoti thotë:”Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët.” (Hud, 120)
Pra, ato janë për të forcuar zemrën e Profetit a.s dhe për t’i dhënë atij kurajë. Ato ishin identifikuese të së vërtetës mbi të cilën njerëzit ishin në dilemë, si dhe për të korrigjuar shumë koncepte dhe parime të lëna pas dore me kalimin e viteve dhe shekujve. Historitë e profetëve përmbajnë edhe shumë këshilla dhe porosi për besimtarët.
Thotë Zoti i lartësuar:”Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.). Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.” (Bekare, 252)
“Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi nisur të dërguar, për disa prej të cilëve të kemi treguar ty e për disa të tjerë nuk të kemi treguar.” (Gafir, 78)
Këto histori që ceken në librin e Allahut, përmbajnë këshilla e porosi dhe janë model për këdo që arsyeton dhe logjikon. Thotë Zoti lidhur me këtë fakt:”Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit
besimtarë. (Jusuf, 111)
Të tillë ishin profetët dhe të dërguarit e Zotit. Ata ishin fanarë që udhëzonin të humburit drejt rrugës së drejtë dhe shpëtimit. Ata ishin dhe mbeten modelet më të mira për njerëzit.“Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed)ndiq rrugën e tyre.” (En’am, 90)
Që nga krijimi i njeriut të parë mbi tokë, Zoti ka dërguar kohë pas kohe profetë dhe të dërguar, që të udhëzojnë njerëzit në udhën e drejtë. Në një hadith të profetit Muhamed a.s, thuhet se numri i të dërguarve i kalon treqind syresh. Kurse numri i profetëve i kalon njëqind e njëzet e katër mijë. Tek Benu Israilët sa herë që vdiste një profet, dërgohej një profet tjetër që të vazhdojë misionin. Madje ndodhte që në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, të dërgoheshin dy profetë. Ata dërgoheshin nga Zoti me misionin e fisshëm, të shpëtojnë njerëzinë. Sa herë që njerëzimi pësonte devijime nga rruga e Zotit, dërgoheshin profetë dhe të dërguar që t’i kthejnë sërish në udhë të mbarë.
Gjatë përmbushjes së misionit të tyre, profetët dhe të dërguarit u përballën me shumë sfida dhe probleme. Mundi dhe sakrificat e tyre nuk mund të përshkruhen dhe të gjitha këto për të përmbushur misionin me të cilin i kishte obliguar Zoti. Ekzistenca e tyre është e vërtetë, madje është nevojë e domosdoshmëri për njerëzimin mbarë. Është e paimagjinueshme që Zoti t’i krijojë njerëzit dhe të mos dërgojë nga mesi i tyre profetë që u tërheqin vëmendjen sa herë që gabojnë. Kjo bëhet që njerëzit të mos kenë arsye dhe të mos justifikohen kur të dalin para Zotit.
“Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.” (Araf, 172)
Çdo komb ka pasur profetët e tij, fakt ky që përmendet dhe në Kuran:“…nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur paralajmërues.” (Fatir, 24)
Karakteristikat e historive të profetëve
Ajo që i dallon historitë e profetëve nga historitë dhe tregimet e tjera, është se ata janë të vërteta dhe reale. Ato nuk kanë asgjë të përbashkët me historitë që janë pjellë e fantazisë. Historitë e profetëve janë histori të jetuara nga njerëzimi në periudha të ndryshme kohe.
Një karakteristikë tjetër e tyre është se ato përmbajnë mësime dhe dobi të shumta. Ato nuk janë histori që lexohen për të kaluar kohën dhe për t’u argëtuar. Çdo histori prej tyre përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie. Ato janë udhërrëfyese për çdo njeri, në çdo kohë dhe vend. Ne duhet të veprojmë sipas këshillave dhe porosive të këtyre njerëzve të mençur dhe të distancohemi nga gafat dhe gabimet që bënë popujt e tyre.
Duke studiuar thellë historitë e profetëve, vërejmë se ato përbëjnë boshtin e historisë njerëzore. E gjithë historia njerëzore sillet e vërtitet rreth profetëve të Zotit. Është e vërtetë që shumë komandantë ushtarakë, shumë mbretër e perandorë kanë pasur rol të konsiderueshëm në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve në histori. Por ndikimi i profetëve në përcaktimin e rrjedhës së historisë, është shumë herë më i madh dhe i thellë. Historia e njerëzimit është e cunguar dhe e pakuptueshme nëse nuk shoqërohet me historitë e profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Këtë e përforcon vetë fakti që konfliktet e sotme, janë konflikte mes të vërtetës dhe të shtrembrës, mes ithtarëve të profetëve dhe armiqve të tyre.
Karakteristikë tjetër e këtyre historive është se ato e lehtësojnë së tepërmi të kuptuarit e Kuranit. Nëse nuk ke njohuri mbi historitë e profetëve, e ke shumë të vështirë ta kuptosh Kuranin. Shumë ajete flasin mbi histori të profetëve dhe nëse nuk e di historinë të plotë, shumë koncepte nuk i kupton dot. Historia e Ademit a.s, Nuhut a.s, Benu Israilëve etj… përmendet në një numër të konsiderueshëm ajetesh. Shumë emra suresh, mbajnë emra profetësh. Bazuar mbi këtë, ai që nuk e njeh historinë e profetëve, nuk kupton një pjesë të konsiderueshme të Kuranit.
Duke iu qasur historive të profetëve, ne mësojmë metodologjinë që duhet të ndjekim teksa ftojmë të tjerët në islam. Secili prej nesh ëndërron të jetë ftues në rrugën e Zotit, të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Me qëllim që të ndjekim rrugën më pozitive në këtë aspekt, ne kemi nevojë për modele dhe shëmbëlltyra. Padyshim që modeli ynë më i mirë është profeti Muhamed a.s, gjë të cilën e konfirmon dhe Zoti në Kuran ku thotë:”Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab, 21)
Profetët dhe të dërguarit e tjerë, radhiten direkt pas profetit Muhamed a.s, si modele dhe shembuj praktikë. Sahabët e Profetit a.s dhe njerëzit e ditur, vijnë pas profetëve dhe të dërguarve të tjerë.
Në një hadith të saktë të transmetuar nga Profeti a.s thuhet:”Për Zotin! Pas profetëve, nuk e ka shkelur mbi këtë tokë njeri më i mirë sesa Ebu Bekri.”
Pozita dhe grada e shokëve të Profetit a.s, sado e lartë të jetë, nuk është në të njëjtin nivel me atë të profetëve dhe të dërguarve të Zotit.
Historitë e profetëve përmenden në Kuranin fisnik si dhe në traditën profetike. Këto dy burime ishin frymëzues për shumë dijetarë dhe historianë, të cilët shkruan libra historikë rreth jetës së profetëve. Librat më të njohur mbi historitë e profetëve, është ai i Ibnu Kethirit, i cili mban emrin “Historitë e profetëve”, libri i Taberiut, Ibnu Ethirit etj… Janë pikërisht këto referenca mbi të cilat jam mbështetur gjatë përqasjes time të këtyre historive. E reja e trajtesës time, është se i kam shqyrtuar të gjithë ato që thuhen mbi profetët, duke mos i pranuar rrëfenjat izraelite dhe hadithet e pasaktë, duke u mbështetur kryesisht tek hadithet e sakta si dhe komentet e eruditëve të tefsirit. Komentet më të shpeshta të ajeteve që flasin mbi profetët, janë ato të Abdullah ibnu Abasit, si dhe Ibnu Kethirit e Ibnu Xheririt.
“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (Kehf, 13)
“Kështu pra, Ne po të të tregojmë ty (o Muhamed) disa histori të së kaluarës. Ky (Kuran) që të kemi dhënë, është një Këshillë nga ana Jonë.” (Taha, 99)
Zanafilla e krijimit
Pas kësaj hyrjeje të shkurtër, le t’i kthehemi historisë para profetëve, para të dërguarve të Zotit, para krijimit të njeriut, madje, para krijimit të universit. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Garantues i çdo gjëje.” (Zumer, 62)
“Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (Hadid, 4)
“Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë.”(Hud, 7)
Transmeton imam Ahmedi – Zoti e mëshiroftë – se Ebu Ruzejn e pyet profetin Muhamed a.s:”O i dërguar i Zotit! Ku qëndronte Zoti para se të krijojë qiejt dhe tokën?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Ai qëndronte në zbrazëtirë. Sipër Tij ishte hapësirë e pafund dhe poshtë Tij ishte po hapësirë e pafund. Më pas, Ai krijoi Arshin e Tij mbi ujë.”
Në një hadith tjetër, të cilin e transmeton po imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu e shumë të tjerë, Ubade ibnu Samit thotë:”I dërguari i Zotit ka thënë:”Sendi i parë që Zoti ka krijuar ishte pena. Ai e urdhëroi atë:”Shkruaj!” dhe që nga ai çast, pena shkroi gjithçka që do të sillet në ekzistencë gjer në Ditën e Kiametit.”
Pena shkroi gjithçka që i diktoi Zoti nga dijet e Tij, gjë e cila gjendet në Leuhi Mahfudh.
Dijetarët myslimanë kanë mendime të ndryshme mbi sendin e parë të krijuar nga Zoti. Shumica e tyre mendojnë se sendi i parë është ai që transmeton Amr ibnul As, i cili thotë:”Zoti e ka shkruar fatin e të gjithë krijesave, pesëdhjetë mijë vite para se t’i krijojë. Asokohe, Arshi i Tij ndodhej mbi ujë.”
Pra, duket qartë që Zoti fillimisht ka krijuar Arshin e tij dhe më pas ka krijuar penën. Pas tyre janë krijuar qiejt dhe toka. Prandaj, kur thuhet që pena është sendi i parë që ka krijuar Zoti, nënkuptojmë që ajo është e para që ka krijuar nga gjërat e kësaj bote.
Këtë e vërteton dhe hadithi të cilin e transmeton imam Buhariu nga Umran ibnu Husejn i cili thotë:”Delegacioni i Jemenit i thanë të dërguarit të Zotit:”Kemi ardhur që t’i shtojmë dijet tona rreth fesë dhe të pyesim mbi zanafillën e krijimit.” Profeti a.s u përgjigj:”Ekzistonte vetëm Zoti dhe nuk ekzistonte asgjë tjetër para Tij. Arshi i Tij gjendej mbi ujë. Ai shënoi në Dhikr (përkujtues) gjithçka. Më pas Ai krijoi qiejt dhe tokën.”
Pasi Zoti ka krijuar Arshin, ka krijuar penën, të cilën e urdhëroi të shënojë në Leuhi Mahfudh, gjithçka që do të vijë në ekzistencë gjer Ditën e Kiametit.
Krijesa të tjera
Lidhur me krijesat që pasuan Arshin dhe penën, posedojmë një hadith të profetit Muhamed a.s të cilin e transmeton imam Muslimi, se Aisheja ka thënë:”Një ditë i dërguari i Zotit më kapi për dore dhe më tha:”Zoti krijoi dheun ditën e shtunë, krijoi malet ditën e diel, krijoi pemët ditën e hënë, krijoi të ligën ditën e martë, krijoi dritën ditën e mërkurë, krijoi kafshët ditën e enjte dhe krijoi Ademin a.s pasditen e ditës xhuma (premte).”
Krijesa e fundit që u krijua nga Zoti, ishte pikërisht njeriu. Tashmë, qëndrimi i islamit ndaj teorisë së evolucionit është i qartë. Asgjë nuk ka evoluar, por gjithçka është krijuar në formën e tij. Ademi a.s (njeriu) u krijua ditën e fundit të javës dhe orën e fundit të kësaj dite.
Para krijimit të njeriut, Zoti kishte krijuar melekët (engjëjt). Thotë Zoti në Kuran:”
“Qiejt gati sa nuk çahen nga sipër (prej madhështisë së Allahut), ndërkohë që engjëjt lavdërojnë e falënderojnë Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në Tokë.” (Shura, 5)
Në një hadith të saktë, Profeti a.s thotë:”Melekët janë krijuar nga drita, xhindet janë krijuar nga zjarri, kurse Ademi është krijuar siç u është përshkruar.”
Për nga radha, krijimi i xhindeve pasoi atë të melekëve. Thotë Zoti në Kuran mbi krijimin e xhindeve:”ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit.” (Rahman, 15)
Xhindët janë krijuar nga pjesa e fundit e flakëve të zjarrit, nga majat.
Faktin që xhindët janë krijuar nga zjarri, e pranoi dhe shejtani, i cili i tha Zotit:”Mua më krijove nga zjarri.” (Araf, 12)
“kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.” (Hixhr, 27)
Vetë shejtani (Iblisi) është prej xhindeve, fakt i cili përmendet në një ajet tjetër, ku Zoti thotë:”përveç Iblisit. Ai ishte një nga xhindet.” (Kehf, 50)
Thotë Hasen El-basrij, Zoti e mëshiroftë:”Iblisi nuk ka qenë melek qoftë dhe sa hap e mbyll sytë.”
Toka e cila sot banohet nga njerëzit, asokohe banohej nga xhindet. Ajo që ndodhi është se xhindet bënë shkatërrime në tokë, vranë e prenë njëri-tjetrin dhe derdhën gjak.
Ibnu Umer dhe Ibnu Abasi thonë:”Xhindet ekzistonin dy mijë vite para Ademit. Ata derdhën shumë gjak. Atëherë Zoti dërgoi ushtarë prej melekëve, të cilët i përzunë drejt ishujve në oqeane.”
Deri në ditët e sotme, ishujt që ndodhen në oqeane, janë banesat e xhindeve. Në shumë hadithe përmendet se Iblisi e ka fronin e tij mbi ujë.
Krijimi i njeriut
Thotë Zoti në Kuran:“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 50)
Në këtë ajet, Zoti flet mbi objektivin dhe qëllimin e krijimit të njeriut dhe të xhindeve. Padyshim që Zoti nuk ka nevojë për adhurimin tonë. Ai është i Gjithëpushtetshëm dhe i panevojshëm për asgjë. Ai posedon emrat e bukur dhe cilësitë e larta. Me qëllim që këta emra dhe cilësi të pasqyrohen, Zoti krijoi njeriun dhe xhindet. Me qëllim që mëshira dhe dhembshuria e Tij të pasqyrohet diku, ai krijoi krijesat që t’i mëshirojë. Kjo vlen edhe për dijet e Zotit, urtësinë e Tij, pushtetin dhe fuqinë.
Historia e krijimit të njeriu të parë, Ademit a.s, fillon që para krijimit të tij, me një dialog mes Zotit dhe melekëve.
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, (Bekare, 30)
Sipas këtij ajeti, njeriu është mëkëmbës dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës në tokë. “Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të.” (Hud, 61)
Xhindët nuk i kishin kapacitetet e duhura për ta përmbushur këtë mision. Thonë dijetarët myslimanëve rreth xhindeve:”Më i mençuri prej tyre, ka aftësi mendore sa një fëmijë dhjetë vjeçar nga njerëzit.”
Kurse njeriun Zoti e ka krijuar në formën më të mirë dhe me aftësitë maksimale për përmbushjen e misionit mbi tokë. Ishte Zoti Ai që i dha formë njeriut dhe i fryu shpirtin.
Kur dëgjuan mbi planin e Zotit, melekët u çuditën dhe pyetën:”ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” (Bekare, 30)
Melekët nuk e drejtuan këtë pyetje si shenjë kundërshtimi ndaj krijimit të Ademit a.s. Aspak, melekët janë krijesa të pagabueshme dhe veprojnë gjithçka që i urdhëron Zoti. Këtë pyetje ata e shtruan thjesht për të shuar kureshtjen e tyre.
Pyetja që lind është: Ku e dinin melekët se njeriu do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në tokë?
Këtë e bënë duke u bazuar mbi përvojën që kishin pasur me xhindët, dy mijë vite më parë.
Shkaku i pyetjes së melekëve, ishte edhe diçka tjetër. Ata u frikësuan se mos vallë kishin lënë diçka mangët nga adhurimet ndaj Zotit. Këtë e përmendin qartë me fjalët:” ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!”
Përgjigja e Zotit ishte:“Unë di atë që ju nuk e dini”. (Bekare, 30)
Para një përgjigje të tillë, me njëri-tjetrin melekët thanë:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e privilegjuar dhe më e ditur se ne.”
Melekët kishin vënë re se nga të gjithë krijesat e krijuara gjer atëherë, qiejt, malet, bimët, kafshët, xhindet etj…, melekët ishin krijesat e vetme që e madhëronin, lartësonin, falënderonin dhe i bindeshin Zotit. Duke parë këtë, melekët menduan se krijesa e radhës, sido që të jetë, nuk do të jetë më e nderuar dhe as më e ditur se ata.
Kur Zoti krijoi Ademin a.s, e krijoi nga dheu i tokës. Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibnu Hibani, Profeti a.s thotë:”Zoti e krijoi Ademin a.s nga një grusht dheu të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Nisur nga kjo, bijtë e Ademit a.s morën ngjyrat e tokës. Prej tyre kishte të bardhë, të zinj, të kuq dhe të përzier. Ashtu siç kishte zemërbutë, të dashur, të ligë, të vështirë dhe të përzier.”
Sipas hadithit, larmia e ngjyrave të njerëzve e ka origjinën tek larmia e ngjyrave të tokës, nga e cila u krijua njeriu i parë. Kjo vlen edhe për natyrën dhe karakterin e secilit prej tyre.
Dheu që u mor për krijimin e Ademit a.s, u lag me ujë dhe u bë baltë. Pra, fillimisht ishte një grusht dhe, i cili u lag me ujë dhe u bë baltë. Thotë Zoti mbi këtë fakt:”
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte.” (Sad, 71)
Sasisë së dheut iu shtua uji, derisa balta e krijuar u bë e ngjitshme. Thotë Zoti në Kuran:”Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.” (Safat, 11)
Kur balta u bë e përshtatshme, Zoti e mori dhe i dha formë me dy duart e Tij fisnike. Kjo përmendet në Kuran:“O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?” (Sad, 75)
Ai nuk i obligoi melekët që t’i jepnin formë njeriut të parë, por këtë e bëri vetë, me duart e Tij. Shtatorja prej balte, u la në atë formë për një periudhë kohe, derisa u tha. Pasi u tha, statuja mori ngjyrën e baltës së zezë, si ngjyra e vorbës.
Në Kuran, herë theksohet se njeriu është krijuar nga balta, herë nga balta e tharë e herë të tjera nga dheu. Në fakt, njeriu është krijuar nga të gjitha këto, por sipas një kronologjie, ku zanafilla ishte dheu, balta, balta e ngjitshme, balta e tharë.
Thotë Zoti në Kuran:”Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë. kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.” (Hixhr, 26)
“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën.” (Araf, 11)
Siç e cekëm dhe më lart, krijimi i Ademit a.s ndodhi në orën e fundit të ditës së xhuma. Veç kësaj, duam të theksojmë se ditët e përmendura në hadithin e mësipërm, përllogariten krejt ndryshe nga ditët tona.
Lidhur me pamjen dhe përmasat e Ademit a.s, në një hadith të cilin e transmeton imam Buhariu, Profeti a.s thotë:”Zoti e krijoi Ademin a.s gjashtëdhjetë parakrahë të gjatë. Që nga ajo kohë, përmasat e njeriut kanë ardhur në rënie.”
Përveçse ishte njeriu i parë i krijuar, Ademi a.s është edhe njeriu më i gjatë në të gjithë kohërat. Të gjithë banorët e xhenetit, do të kenë gjatësinë e Ademit a.s.
Në një hadith tjetër të transmetuar vetëm nga imam Ahmedi, Profeti a.s thotë se gjatësia e Ademit a.s ishte gjashtëdhjetë parakrahë, kurse gjerësia shtatë parakrahë. Përmasa të tilla tregojnë se Ademi a.s i ngjante më shumë një gjigandi.
Në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi, thuhet se kur Zoti i dha formë Ademit a.s, nuk e pajisi me shpirt menjëherë. Ai e la për një kohë të konsiderueshme ashtu si statujë. Thotë Profeti a.s:”Kur Zoti e krijoi Ademin, a la në atë gjendje aq sa deshi. Kur e pa Iblisi, filloi t’i sillej rrotull i habitur. Kur dalloi se nga brenda ishte bosh, Iblisi e kuptoi se ishte një krijesë që nuk vetëpërmbahej.”
Krijesë e papërmbajtur, do të thotë krijesë e pafuqishme. Kjo tregon se xhindet nuk janë bosh nga brenda (stomaku dhe mushkëritë).
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Zoti urdhëroi që t’i çohej dheu i Ademit a.s. Ai e krijoi Ademin a.s nga balta e ngjitshme dhe balta e tharë. Ai i dha formë me duart e Tij dhe e la dyzet ditë në atë gjendje, trup pa shpirt. Iblisi i sillej rrotull dhe e godiste me shqelma. Nga goditjet, statuja e Ademit a.s jehonte. Iblisi i thoshte:”Për diçka je krijuar.” Pastaj hynte nga goja e Ademit a.s dhe dilte nga pjesa e pasme dhe u drejtohej melekëve, të cilët ishin frikësuar kur e kishin parë:”Mos e kini frikë këtë! Nëse Zoti më jep pushtet mbi të, do e shkatërroj. Por nëse Zoti i jep pushtet mbi mua, do e kundërshtoj.”
Që ditët e para të krijimit të njeriut, lindi dhe armiqësia mes tij dhe shejtanit.
Fryrja e shpirtit
Tashmë gjithçka ishte gati që Ademit a.s t’i fryhej shpirti, fakt të cilin Zoti e përmend në shumë ajete të Kuranit famëlartë.
“Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”. (Hixhr, 29)
“Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” (Al Imran, 59)
Në një hadith, jepen detaje mbi mënyrën si i është fryrë shpirti Ademit a.s. Kur Ademit a.s i hyri shpirti në kokë, ai teshtiu. Melekët i thanë:”Thuaj:”El-hamdulilah”. Dhe Ademi a.s tha:”El-hamdulilah.” Atëherë Zoti, nga ana e Tij i tha:”Të mëshiroftë Zoti yt!”
Që para se t’i jepet i gjithë shpirti, Ademi a.s fitoi mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit.
Kur shpirti i hyri tek sytë, Ademi a.s filloi të dallojë frutet e xhenetit. Kur shpirti i vajti tek stomaku, atij i lindi oreksi për të ngrënë dhe u nis të kapë nga frutet e xhenetit. Kjo ndodhte ndërkohë që shpirti nuk i kishte arritur tek këmbët. Duket qartë që Ademi a.s kishte një cilësi, e cila nuk do i ndahet gjithë jetës, të nxituarit.
Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“Njeriu është krijuar i nxituar.” (Enbija, 37)
Pasi shpirti i depërtoi tek çdo pjesë e trupit dhe krijimi i Ademit a.s u plotësua, Zoti e fshiu tek kurrizi, prej ku dolën të gjithë pasardhësit e tij gjer Ditën e Kiametit. Kjo përmendet si në Kuran, ashtu dhe në hadithet e Profetit a.s.
Rrëfen Muslim ibnu Jesar, se Umer ibnul Hattabi është pyetur mbi komentin e ajeteve:“Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur. Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?” (Araf, 172-173)
Umeri u përgjigj:”Kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s duke thënë:”Pasi Zoti krijoi Ademin, e fshiu kurrizin e tij me dorën e djathtë, duke nxjerrë prej andej të gjithë pasardhësit e Ademit. Ai u tha:”I kam krijuar këta për në xhenet dhe vepra të të banorëve të xhenetit do të punojnë. I kam krijuar këta për zjarr dhe vepra të banorëve të zjarrit do të punojnë.”
Një burrë, ndërhyri dhe e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Atëherë përse u dashka që të punojmë?!”
Profeti a.s u përgjigj:”Nëse Zoti e ka krijuar dikë që të jetë banor i xhenetit, e shfrytëzon për vepra të xhenetit, derisa të vdesë me këto vepra dhe kështu e çon në xhenet. Nëse Zoti e ka krijuar dikë për zjarr, e shfrytëzon për vepra të zjarrit derisa të vdesë me këto vepra dhe kështu e çon në zjarr. Gjithçka është e lehtësuar në funksion të qëllimit.”
Melekët i përulen Ademit a.s
Duke qenë se Iblisi edhe pse prej xhindeve, kishte qenë i lidhur me Zotin dhe e adhuronte Atë, Zoti e kishte bashkuar me melekët, edhe pse nuk i përkiste atyre. Ai nuk i kishte thyer kurrë urdhrat e Zotit. Për këtë, Zoti e kishte shpërblyer duke e ngritur me melekët në qiell.
Pasi përfundoi krijimin e Ademit a.s, Zoti i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen atij, si formë nderimi për të. Meqë edhe Iblisi ishte me melekët, ky urdhër ishte i vlefshëm edhe për të.
“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve:“Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. Allahu i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të oshtëruarve”. Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!” Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”. Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që
shkojnë pas teje!” (Araf, 11-18)
“Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym. Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë. Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”, Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde, Përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.” Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?” Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”. Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar! Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!Iblisi tha:“Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen. Zoti tha:“Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.”(Hixhr, 26-43)
“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata të gjithë iu përulën në sexhde, përveç Iblisit! Ai tha: “Si?! Unë t’i bëj sexhde atij që Ti e ke krijuar nga balta?!” Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 61-64)
Është sunet që njeriu kur fillon të hajë, të thotë “Bismil-lah”. Kjo me qëllim që shejtani mos hajë nga ushqimi i tij. Kjo vlen edhe gjatë marrëdhënieve seksuale mes bashkëshortëve.
Në të gjithë ajetet e lartpërmendura, trajtohet gjynahu i parë, me të cilin u thye urdhri i Zotit. Nuk kishte bërë vaki më parë që thyhej udhëri i Zotit. Duke qenë se thyesi i urdhrit të Zotit ishte pikërisht Iblisi, një krijesë të cilin Zoti e kishte nderuar, e quajti mosmirënjohës.
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte. Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!”, të gjithë engjëjt së bashku u përulën në sexhde, përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh e një nga mohuesit.” (Sad, 71-74)
Bazuar mbi këtë, dijetarët myslimanë thonë:”Origjina e të gjithë gjynaheve është mendjemadhësia dhe vetëmashtrimi.”
Duke pasur parasysh rrezikun e këtij gjynahu, Profeti a.s ka radhitur një sërë hadithesh, me të cila na bën thirrje që të qëndrojmë larg këtij vesi.
Thotë Profeti a.s:”Nuk hyn në xhenet, ai që ka në zemër qoftë sa një atom mendjemadhësi.”
Në shumë hadithe të tjera, Profeti a.s e ndalon zgjatjen e pantallonave nën nyjën e këmbës, nëse bëhet për mendjemadhësi. Thotë Profeti a.s:”Zoti nuk e shikon një njeri që i tërheq rrobat si shenjë mendjemadhësie.”
Kur Profeti a.s i dëgjoi një herë myslimanët duke u mburrur me fiset që i përkisnin, u thirri:”Distancohuni nga kjo gjë, se është diçka e qelbët!”
Fanatizmi fisnor, mendjemadhësia dhe mburrja, janë origjina e të gjithë gjynaheve të tjera. Prandaj mos u trego mendjemadh me punonjësit, shërbëtorët apo çdo kënd tjetër!
Pasi shpirti i depërtoi në të gjithë pjesët e trupit, Zoti i tha Ademit a.s:”Shko tek ai grumbull melekësh dhe u thuaj:”Es-selamu alejkum” (Paqa qoftë mbi ju). Gjuha që fliste Ademi a.s ishte arabishtja. Pra, gjuha e melekëve dhe e banorëve të xhenetit është arabishtja.
Ademi a.s vajti tek melekët dhe u tha:”Es-selamu alejkum” dhe melekët iu përgjigjën:”Ve alejkum selam ve rahmetullah” (edhe mbi ty qoftë paqa dhe mëshira e Zotit).
Zoti i tha:”Kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu.”
Ademi a.s u krijua i ditur
Që nga dita e parë që iu dha shpirti, Ademi a.s ishte i ditur. Jo ashtu siç na thuhet sot se njeriu i parë ishte i paditur pastaj filloi të mësojë nga përvoja. Ai mësoi si të ndezë zjarrin, mësoi të folurën etj… Allahu e krijoi njeriun të ditur dhe jo injorant. Madje, ai ishte më i ditur se vetë melekët, gjë e cila përmendet në shumë ajete dhe hadithe.
Që nga dita e parë, Zoti ia mësoi Ademit a.s emrat e çdo sendi. Kjo është kafshë, ky është zog, ky është det, ky është mal etj… Këtë e përmend vetë Abdullah ibnu Abasi. Ademi a.s mësoi gjithçka që ekzistonte në qiell dhe tokë.
Veç kësaj, Zoti i mësoi të gjithë zanatet e nevojshme, ai dinte të ndezë dhe përfitojë prej zjarrit, punonte hekurin dhe drurin.
“Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Bekare, 31)
Kur Zoti e kishte deklaruar se do të krijojë një krijesë tjetër në tokë, melekët kishin thënë:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”
Zoti u tregoi se Ademi a.s ishte më i nderuar se melekët, pasi i urdhëroi këta të fundit t’i përulen në formë nderi. Përulja në formë nderimi, lejohej më parë, por tani është e ndaluar.
Veç kësaj, u tregoi se Ademi a.s ishte edhe më i ditur, pasi dinte emrat e gjithçkaje, cilësi të cilën nuk e kishin melekët.
“O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” (Bekare, 33) Menjëherë Ademi a.s filloi të rendisë emrat e gjithçkaje.
“Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha:“A nuk ju kam thënë se vetëm
Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!” (Bekare, 33)
Ajo që melekët mbajtën të fshehtë është thënia e tyre:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”
Siç e shihni, sa më shumë të zhytemi në detajet e historive, aq më shumë lehtësohet të kuptuarit e Kuranit famëlartë. Duke shtjelluar shkaqet e shpalljes së ajeteve, na kthjellohen shumë gjëra që i kishim të mjegullta më parë.
Krijimi i gruas, Havasë a.s
Pasi përfundoi plotësisht krijimi i Ademit a.s, Zoti krijoi bashkëshorten e tij Havanë a.s. Havaja nuk u krijua menjëherë pas Ademit a.s. Ademi a.s jetoi një periudhë kohe krejtësisht i vetëm në xhenet, gjë e cila e bëri të ndihej i vetmuar dhe i mërzitur.
Një ditë, ndërkohë që Ademi a.s ishte duke fjetuar, Zoti krijon Havanë, nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit a.s. Me anë të kësaj brinje, Zoti krijoi gruan e parë, Havanë a.s. Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë fakt:“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij.” (Nisa, 1)
Kur Ademit a.s i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë:”Kush je ti?” Ajo u përgjigj:”Jam një grua.” Ademi a.s e pyeti:”Përse je krijuar?” Havaja u prëgjigj:”Që të gjesh prehje tek unë.”
Melekët, kur e panë që Zoti kishte krijuar një krijesë tjetër të ngjashme me Ademin a.s, menduan ta vënë në provë Ademin a.s. Meqë ai dinte emrat e gjithçkaje, melekët e pyetën mbi emrin e Havasë. Kështu, i thanë:”Si e quajnë atë?” Ademi a.s u përgjigj:”E quajnë Hava.” Gjë të cilën ia kishte mësuar Zoti.
Melekët, e pyetën sërish:”Po përse ka marrë këtë emër?” Ademi a.s u përgjigj:”Sepse është krijuar nga diçka e gjallë.”
Imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë drejt ose të heshtë. U porosis të silleni mirë me gratë, pasi gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar dhe pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj. Nëse do tentosh ta drejtosh, do e thyesh. Nëse e lë ashtu siç është, do të vazhdojë e lakuar.”
Natyra e gruas është e tillë që shpesh herë udhëhiqet nga ndjenjat dhe jo arsyeja. Nëse ti rrekesh t’i ndryshosh sjelljet, të cilat burojnë nga bota emocionale e pasur e saj, ti po tenton të ndryshosh vetë natyrën e saj, gjë e cila është e pamundur. Me gruan duhet të sillesh me të butë dhe dashamirësi, jo me dhunë dhe imponim.
Në shumë hadithe të sakta, thuhet se gruaja e Ibrahimit a.s, Sara, ishte femra më e bukur në botë, por pas Havasë, gruas së Ademit a.s. Sipas këtyre haditheve, Havaja ka qenë femra më e bukur e krijuar ndonjëherë në tokë.
Vesveset e shejtanit
Ademi a.s dhe gruaja e tij Havaja, jetonin në xhenet, sipas urdhrit të Zotit. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”.(Bekare, 35)
Në xhenet, Ademi a.s dhe Havaja a.s kishin të siguruar gjithçka, pa lodhje dhe pa mundim.
Që në fillim, Zoti i tregoi Ademit a.s mbi shejtanin, të cilin e etiketoi si armik të Ademit a.s. Kjo ishte që para se shejtani të fillojë me vesveset e tij.
“Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! “ Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” (Merjem, 117)
Pra, ato që na thuhen se njeriu i parë ishte i pambuluar dhe më vonë filloi të mbulohet nuk është aspak e vërtetë. Zoti i kishte veshur njerëzit e parë që në xhenet, ashtu siç i mëson si të vishen pasi do të vendosen në tokë.
“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim. por, petku i devotshmërisë është më i miri.” (Araf, 26)
Ademi a.s dhe e shoqja nuk e njihnin lakuriqësinë që kur u krijuan.
Ibnu Xheriri dhe shumë të tjerë, transmetojnë se Ebu Musa El-eshari ka thënë:”Kur Zoti e zbriti Ademin a.s nga xheneti në tokë, i mësoi të gjithë zanatet.”
Kur Ademi a.s zbriti dhe u vendos në tokë, ishte i ditur, i veshur me rroba dhe njohës i të gjithë zanateve themeltare. Ajo që na mësohet se njerëzit e parë jetonin pa rroba mbi trup, nuk është e saktë. Fiset afrikane dhe të disa vendeve të tjerë që bëjnë një jetë primitive, duke mos mbajtur rroba mbi trup, kanë devijuar nga natyra e pastër me të cilën i krijoi Zoti fillimisht
Në xhenet, Ademi dhe Havaja a.s, nuk do të ndjenin as etje dhe as vapë. Ata do të jetonin në kushte jetese luksi, pa u lodhur dhe pa u mundur.
Vesveset dhe tundimet e shejtanit
Vesveset dhe tundimet e shejtanit, Zoti i përmend në disa ajete. Shejtani nuk banonte në xhenet, por u lejua nga Zoti, që të hyjë dhe ta tundojë Ademin a.s.
Shejtani filloi t’i joshë dhe t’i tundojë që të hanin nga pema që Zoti ua kishte ndaluar.
“Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” (Araf, 19)
Ai u thoshte se pema që u ka ndaluar Zoti, është pema e përjetësisë dhe e pushtetit. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:
“Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” (Araf, 20)
Qëllimi i shejtanit ishte që t’i çojë drejt gjynahit dhe thyerjes së urdhrit të Zotit, si dhe t’u zbulojë pjesët e turpshme të cilat gjer atëherë i kishin të mbuluara.
Veç joshjes dhe tundimit për pushtet dhe përjetësi, shejtani filloi edhe t’u betohej se po u tregonte të vërtetën.
“Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.” (Araf, 21-22)
E çfarë mund të ëndërronte më shumë se të jetojë në xhenet Ademi a.s?! A nuk kishte gjithçka që dëshironte?! A nuk jetonte në luks dhe i rrethuar nga të mirat?! Përse lakmoi edhe diçka të cilën ia kishte ndaluar Zoti?!
Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Zotit, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë.
“Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme” (Araf, 23)
Me t’u ndodhur kjo, si Ademit a.s dhe Havasë a.s u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin u zhdukën, si Ademi a.s dhe Havaja a.s, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të xhenetit. “dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit” (Araf, 23)
Ademi a.s nuk e përmbajti veten nga ajo që i ndodhi dhe mori arratinë, duke vrapuar ku të mundej në xhenet. Në një hadith, thuhet se kur Ademi a.s filloi të vrapojë, Zoti e thirri:”O Adem! A po arratisesh nga Unë?!” Ademi a.s i përgjigjet:”Jo o Zot! Por më erdhi zor prej Teje.”
E para që hëngri nga pema ishte Havaja a.s dhe ishte ajo që e nxiti Ademin a.s që edhe ai t’i bashkohej në këtë vepër. Kjo përmendet në një hadith të saktë, të transmetuar nga imam Buhari, sipas të cilit, Profeti a.s thotë:”Nëse nuk do të ishte Havaja, asnjë femër nuk do e tradhtonte burrin e saj.”
Nëse nuk do të ishte Havaja, Ademi a.s nuk do kishte ngrënë nga pema e ndaluar.
Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar, Zoti u flet Ademit a.s dhe Havasë a.s:
“..dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” (Araf, 22)
Vallë si do të reagonte Ademi a.s dhe Havaja? Mos do të silleshin si shejtani, duke këmbëngulur në kryeneçësinë e tyre? Jo. Ata nuk do të reagojnë si shejtani, por do të pranojnë gjynahun që kanë bërë, me fjalët:“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23)
Si iblisi ashtu dhe Ademi a.s e thyen urdhrin e Zotit, por dallimi qëndron se Ademi a.s u pendua dhe kërkoi falje, kurse iblisi vazhdoi me arrogancën e tij. Dijetarët myslimanë thonë:”Nuk ka gjynahe të rënda nëse pasohen nga istigfari, por as gjynahe të vogla nëse pasojnë njëri-tjetrin.”
Vendosja në tokë
Edhe pse ishin kokëulur dhe të penduar për atë që kishin bërë, duhej patjetër një qëndrim. Si ishte e mundur që para një sprove kaq të lehtë, të dorëzoheni dhe t’i shkoni pas pasioneve dhe tundimeve tuaja?!
“Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar. Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni.” (Araf, 24-25)
Në ajete të tjera, Zoti e përshkruan këtë moment me fjalët:
“Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur. Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk pranoi. Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë). Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.”(Taha, 115-124)
Kështu zbriti Ademi a.s në tokë, si pasojë e thyerjes së urdhrit të Zotit. Pasi u pa se Ademi a.s ishte penduar mbi atë që kishte bërë, Zoti i mësoi disa fjalë, si shenjë pendimi. “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.“
Këto fjalë, Zoti i përmend në Kuran ku thotë:”
“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 22)
Bashkë me Ademin dhe Havanë, në tokë zbriti dhe iblisi. Dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi territorin ku u vendosën fillimisht, por mendimi më i arsyeshëm është ai i Ibnu Abasit, që thotë:”Ademi a.s u vendos në Indi, kurse Havaja në Xhidda (Arabia Saudite). Ademi u vu në kërkim të saj, derisa u takuan të dy në Arafat. Prej këtu, ky vend e mori emrin Arafat (njohja).”
Fëmijët e Ademit a.s
Në një transmetim, thuhet se Ademi a.s jetoi një mijë vite. Sipas disa rrëfenjave izraelite, Ademi a.s arriti të shohë katërqind mijë nga pasardhësit e tij. Gjithsesi, këto janë gjëra që, sipas porosisë së Profetit a.s, as nuk i besojmë dhe as nuk i përgënjeshtrojmë. Ne i besojmë asaj që pohon Kurani famëlartë ku thotë:“kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (Nisa, 1)
Që atëherë filloi njerëzimi të shtohej. Havaja lindi shumë fëmijë. Taberiu thotë se Havaja lindi dyzet fëmijë, në njëzet shtatzani. Në çdo lindje, Havaja lindte dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Fëmija i parë ishte Kabili, motra e të cilit ishte Sulejm. Fëmija i fundit ishte Abdul Mugith, kurse motra e tij binjake Umul Mugith.
Njerëzimi filloi të shtohej dhe profeti i tyre ishte Ademi a.s, i cili u mësonte ligjet dhe normat e fesë. Asokohe të gjithë ishin monoteistë dhe nuk njihej idhujtaria.
Ibnu Hiban transmeton një hadith, se Ebu Dheri e ka pyetur Profetin a.s:”Kush ka qenë i dërguari i parë i Zotit?” Profeti a.s i është përgjigjur:”Ka qenë Ademi.” Ebu Dheri e pyeti:”Ka qenë profet i dërguar?” Profeti a.s iu përgjigj:“Po.”
Ademi a.s ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Ai ishte krijuar nga vetë Zoti me duart e Tij fisnike dhe i kishte fryrë nga shpirti i Tij. Ademit a.s i foli Zoti i lartësuar direkt, pa ndërmjetës, siç ka bërë me profetët e tjerë.
Kabili dhe Habili
Ata janë dy djem të Ademit a.s. Kabili ishte njeri i vrazhdë dhe i ashpër në karakter. Ndërkohë që Habili ishte zemërmirë dhe i butë. Kabili merrej me bujqësi, kurse Habili merrej me bagëti. Profesioni i Habilit shtron nevojën për dhembshuri dhe dashuri karshi kafshëve dhe bagëtive. Duke qenë se nuk janë të arsyeshme, ato kanë nevojë për përkujdesje, ushqim dhe ujë.
Asokohe, njerëzimi kishte nevojë për një kod familjar, sidomos lidhur me shtimin e njerëzimit, duke ditur se ata ishin vëllezër dhe motra të njëri-tjetrit. Kështu, ligji ishte i tillë, që djemtë e Ademit a.s mund të martoheshin me këdo nga motrat, përveç binjakes. Nga ky ligj nuk bënte përjashtim as Kabili dhe as Habili. Sipas transmetimeve, thuhet se binjakja e Kabilit, ishte më e bukur se binjakja e Habilit. Kabili dëshironte që ai të martohej me binjaken, por kjo ishte e ndaluar sipas ligjeve të asaj kohe. Duke qenë se Ademi a.s ishte profet dhe i dërguar, kishte dhe legjislacionin e tij.
Një ligj tjetër, ishte dhe ai i kurbaneve, flijimeve të bagëtisë. Shenja që Zoti e ka pranuar kurbanin e dikujt, ishte që të zbriste një zjarr nga qielli dhe ta digjte. Kurbani që nuk digjej nga zjarri, ishte i refuzuar nga Zoti.
Kur deshi Habili të ofrojë një kurban, zgjodhi kafshën më të mirë dhe e theri. Kurse Kabili ofroi një sasi drithërash të prishur. Një ditë më vonë, dy vëllezërit panë se kurbani i Habilit ishte pranuar nga Zoti, e kishte djegur zjarri. Kurse kurbanin e Kabilit e kishte refuzuar, nuk ishte djegur. Kjo ia shtoi urrejtjen dhe xhelozinë Kabilit për të vëllain. Në këtë çast, ndërhyn dhe shejtani i cili e nxit Kabilin të vrasë vëllain e tij. Vrasja ishte një risi e re për jetën e njeriut mbi tokë, ishte krimi i parë që po ndodhte në histori. I vendosur, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili dhe i tregoi se dëshironte ta vrasë. Habili, nga ana e tij i tha se nuk do të reagonte duke tentuar ta vrasë. Ai i tha se nga kjo vepër nuk do të fitojë asgjë përveç gjynahut dhe ndëshkimit.
Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili i cili ishte duke fjetur dhe me një gur të madh, e vrau duke e goditur në kokë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore.
Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e transportoi në një vend tjetër. Atje, Zoti dërgoi dy sorra para Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën, derisa njëra mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi me dhe.
Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi të vëllain brenda dhe e mbuloi me dhe.
Më vonë, Kabili pendohet për atë që kishte vepruar, por nuk bëri istigfar (nuk kërkoi falje). Një ndër kushtet e pendimit (teubes) është që të shoqërohet me kërkim falje (istigfar). Nuk është e mjaftueshme që pas një krimi dhe gjynahu, të pendohesh dhe të ndihesh keq. Kjo duhet të shoqërohet me kërkim falje nga Zoti i lartësuar.
Këtë ndodhi Zoti e ka regjistruar në Kuranin famëlartë, ku thotë:“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31)
Transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhij etj…, se Sad ibnu Ebi Vekas ka thënë gjatë trazirave në kohën e Othman ibnu Affanit:”Dëshmoj se i dërguari i Allahut ka thënë:”Do të ndodhin trazira (fitne). Ai që qëndron ulur në atë kohë, do të jetë më i mirë se ai që qëndron në këmbë.”
Unë e pyeta:”Po nëse unë qëndroj i mbyllur në shtëpi dhe dikush hyn brenda dhe me shpatë në dorë tenton të më vrasë, çfarë duhet të bëj?”
Profeti a.s u përgjigj:“Bëhu si djali më i mirë i Ademit a.s.” Kurse në një transmetim tjetër, Profeti a.s thotë:”Bëhu biri i vrarë i Ademit dhe mos u bëj biri vrasës.”
Në një hadith tjetër të transmetuar nga imam Ahmedi, profeti Muhamed a.s thotë:”Çdo njeri që vritet padrejtësisht, një pjesë e gjynahut i shkon dhe djalit të Ademit, pasi ai është njeriu i parë që e shpiku vrasjen.”
Me vrasjen e të vëllait, Kabili shpiku një risi dhe krim që nuk ishte dëgjuar gjer atëherë. Për këtë, Zoti e ndëshkoi duke i dhënë pjesë të gjynahut të çdo të vrari padrejtësisht gjer Ditën e Kiametit.
Thotë Profeti a.s:”Kush shpik një vepër të ligë, ai do të ketë gjynahun e tij dhe gjynahun e atyre që do e veprojnë pas tij, deri në Ditën e Kiametit.”
Arratisja e Kabilit
Pasi vrau vëllanë e tij, Kabili morri arratinë, duke mos dashur t’i dalë para babait të tyre, Ademit a.s. Bashkë me gruan e tij, ai u vendos në fusha, ndërkohë që fëmijët e tjerë dhe prindërit jetonin rrrëzë maleve.
Fëmijët dhe pasardhësit e Kabilit u shtuan, por në mungesë të mësuesit shpirtëror, mes tyre filloi të përhapej degjenerimi moral. Kjo, edhe pse adhuronin një Zot të vetëm. Që atëherë, njerëzit u ndanë në dy kategori: Të mirët, që jetonin me Ademin a.s dhe të ligët, që jetonin me Kabilin.
Vdekja e Ademit a.s
Ademi a.s jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë vite.
Në fakt, ai kishte për të jetuar njëmijë vite, por dyzet vite iu hoqën me dëshirën e tij. Kjo transmetohet në shumë hadithe të transmetuara nga imam Tirmidhiu dhe shumë të tjerë. Sipas Ebu Hurejres, i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kur Zoti krijoi Ademin, e fshiu kurrizin e tij, prej ku dolën të gjithë pasardhësit e Ademit që do të vinin në jetë gjer Ditën e Kiametit. Mes dy syve të çdo njeriu, gjendej një dritë. Kur Zoti ia tregoi Ademit, ky e pyeti:”O Zoti im! Kush janë këta?!” Zoti iu përgjigj:”Këta janë pasardhësit e tu.” Ademi a.s sheh një burrë nga pasardhësit e tij, tek i cili i pëlqeu drita mes syve. I habitur, ai e pyeti Zoti:”O Zoti im! Kush është ky?” Zoti iu përgjigj:”Ky është një burrë nga gjeneratat e fundit të pasardhësve të tu. Emri i tij është Daud.” Ademi a.s e pyeti:”O Zoti im! Sa jetë i ke dhënë këtij personi?” Zoti u përgjigj:”Gjashtëdhjetë vite.” Ademi a.s i tha:”O Zoti im! Merri gjashtëdhjetë vite nga jeta ime dhe jepja atij!” dhe Zoti ia plotësoi këtë dëshirë. Kur Ademi a.s mbushi nëntëqind e gjashtëdhjetë vjeç, i erdhi meleku i vdekjes. Duke e ditur se jeta e tij ishte një mijë vjet, ai e pyeti melekun e vdekjes:”A nuk më kanë mbetur edhe dyzet vite të tjera nga jeta?!” Meleku i tha:”A nuk ia ke dhënë djalit tënd Daudit?!” Për shkak se Ademi a.s nuk e mbajti premtimin, nuk e mbajnë premtimin dhe pasardhësit e tij. Për shkak se Ademi harroi, harrojnë dhe pasardhësit e tij. Për shkak se Ademi a.s gaboi, gabojnë dhe pasardhësit e tij.”
Vdekja e Ademit a.s
Nga djemtë e Ademit a.s ishte dhe Shith, i cili kishte lindur pas vdekjes së Habilit. Shith, do të thotë “dhuratë e Zotit”.
Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Zoti ka shpallur njëqind e katër fletë. Vetëm Shith-it, Zoti i ka shpallur pesëdhjetë fletë.”
Këto fletë përmbanin ligje dhe norma, për të disiplinuar jetën e njerëzve. Ademi a.s ia mësoi djalit të tij Shithit, shumicën e njohurive dhe dijeve që i kishte mësuar Zoti. Përveç dijeve dhe shkencave fetare, Shithi u mësonte njerëzve dhe zanatet e ndryshme, përllogaritjet e ditës dhe natës dhe kur duhej adhuruar Zoti i lartësuar.
Transmeton imam Ahmedi, se Xhumretu Sadij ka thënë:”Pashë një të moshuar në Medine duke folur. Kur pyeta kush ishte, më thanë se ishte Ubej ibnu Kab (një nga më të diturit e sahabëve rreth shkencave të Kuranit dhe tefsirit). Ndër të tjera, ai tha:”Kur Ademit a.s iu afrua vdekja, u tha fëmijëve:”Më ka marrë malli për fruta xheneti.”
Frutat e xhenetit janë të ngjashme në formë me ato të kësaj bote. Kështu, në xhenet ka molla, dardha etj… Ajo që i dallon, është se frutat e xhenetit nuk kalben, ndërkohë që ato të kësaj bote kalben. Frutet e kësaj bote kanë shije të zakonshme, ndërkohë që frutet e xhenetit kanë shije të pazakontë. Ademi a.s dëshironte të hajë fruta të ngjashme me ato të xhenetit.
Thotë Ubej ibnu Kab:”Fëmijët e Ademit a.s vajtën të kërkojnë fruta dhe në rrugë u takuan me melekët (në formë njerëzish), që mbanin në duar qefinë dhe materiale të tjera për përgatitjen e të vdekurit. Melekët u thanë:”O bijtë e Ademit! Çfarë po kërkoni?”
Ata u përgjigjën:”Babai ynë është sëmurë dhe na kërkoi fruta xheneti.” Melekët u thanë:”Kthehuni, se babait tuaj i ka ardhur momenti i vdekjes.”
Me t’i dalluar Havaja, i njohu dhe lajmëroi Ademin a.s menjëherë. Ademi a.s i tha:”Largohu prej meje, pasi e keqja më erdhi prej teje. Më lër me melekët e Zotit tim të lartësuar.”
Kështu, melekët e vdekjes ia morën shpirtin, e lanë, e veshën me qefinë, e lyen me parfum, i hapën varrin, i falën xhenazen dhe e mbuluan. Pra, ishin melekët ata që e përgatitën xhenazen e Ademit a.s dhe e varrosën së fundmi.
Pasi e varrosën, melekët u thanë fëmijëve të Ademit a.s:”O bij të Ademit! Kështu duhet të veproni me të vdekurit tuaj.”
Ademi a.s e kishte kaluar jetën në bindje dhe konform ligjeve të Zotit. Hera e parë që i kishte thyer ligjet e Zotit ishte kur hëngri nga pema e ndaluar në xhenet. Përgjatë nëntëqind e pesëdhjetë viteve jetë mbi tokë, ai nuk veproi gjynahe.
Një vit pas vdekjes së Ademit a.s, ndërroi jetë dhe gruaja e tij Havaja a.s.
Shthurja morale
Pas vdekjes së Ademit a.s, ishte djali i tij Shithi, ai që i trashëgoi dijet, profecinë dhe pushtetin. Ai gjykonte me drejtësi mes njerëzve, edhe pse kishin filluar të shfaqen shenjat e para të korruptimit dhe degjenerimit mes popullit të Kabilit në fusha. Mes tyre ishin përhapur dhe krime të tilla si vrasja. Ata vrisnin njëri-tjetrin, por edhe njerëz që zbrisnin nga mali, nga pasardhësit e tjerë të Ademit a.s.
Një fakt i tillë transmetohet nga Abdullah ibnu Abasi, i cili pasi lexoi ajetin:”mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” (Ahzab, 33), tha:”Fëmijët e Ademit a.s ishin ndarë në dy barqe: Ata që jetonin në mal dhe ata që jetonin në fushë. Burrat që jetonin në mal, ishin të hijshëm dhe të pashëm, ndërkohë që gratë e tyre nuk ishin të tilla. Gratë e atyre që jetonin në fusha ishin të bukura, kurse burrat e tyre të shëmtuar. Shejtani i vajti një burri nga barku i Kabilit, në formën e një djaloshi dhe i kërkoi të shërbejë tek ai si çirak. Ky djalosh, që në fakt ishte shejtani, filloi t’ju mësojë si të luajnë në vegla muzikore. Ai kishte shpikur një mjet muzike si fyell dhe me të i kishte bërë njerëzit për vete. Zëri i fyellit kishte filluar të dëgjohej dhe tek ata që banonin në mal, gjë që kishte tërhequr dhe vëmendjen e kureshtjen e tyre. Veç kësaj, njerëzit e Kabilit kishin caktuar një ditë feste një herë në vit. Atë ditë, ata grumbulloheshin dhe festonin së bashku. Një pjesë e rëndësishme e kësaj feste, ishte se gratë e tyre ekspozoheshin të zhveshura dhe me veshje tunduese para burrave. Ky lajm kishte arritur dhe në mal, ku disa burra nuk i kishin rezistuar këtij tundimi dhe shkonin për të parë gratë gjatë festës. Një ndër ligjet e Shithit, ishte se u ishte ndaluar të gjithë banorëve të malit të takoheshin dhe të kontaktonin me burrat ose gratë nga barku i Kabilit. Një nga burrat e malit, zbret poshtë në fushë gjatë festës dhe hyn mes popullit të Kabilit, ku mbetet gojëhapur nga bukuria e grave të tyre. Ai kthehet në mal dhe u tregon burrave të tjerë mbi atë që i kishin parë sytë. Një pjesë e mirë e burrave nuk i rezistojnë dot këtij tundimi dhe zbresin në fushë që edhe ata të shohin bukurinë e grave të fushës. Kështu filloi të përhapej degjenerimi dhe shthurja edhe mes tyre. Në këtë ngjarje e ka zanafillën e saj shthurja morale dhe marrëdhëniet jashtëmartesore. Ky është komenti i ajetit që lart përmendëm:“mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” (Ahzab, 33)
Shithi, si profet dhe sovran, bëri ç’ishte e mundur që ta ndalojë këtë shthurje dhe degjenerim moral që ishte përhapur. Popullsia në fushë, barku i Kabilit, kishte filluar të rritej, ndërkohë ato në mal ishin reduktuar ndjeshëm.