Profeti të cilin Zoti e dërgoi si model durimi, është profeti Ejub a.s. Ai është biri i Mose, bir i Raleh, biri i Itit, biri i Is’hakut, biri i Ibrahimit a.s. Kështu, ai rrjedh nga familja e Is’hakut a.s. Të gjithë profetët që erdhën pas Ibrahimit a.s, ishin nga pasardhësit e djalit të tij Is’hakut. Profeti i vetëm që u dërgua nga familja e Ismailit a.s, është profeti Muhamed a.s.
Is’hakut i lindi një djalë të cilin e quajti Jakub, i cili njihet ndryshe me emrin Israil. Sa herë që citohen “Benu Israilët” qëllimi është për pasardhësit e Jakubit a.s. Profeti Jakub a.s kishte dymbëdhjetë fëmijë dhe profetët që u dërguan ishin nga pasardhësit e tyre. Ata vetë nuk ishin profetë, përveç Jusufit a.s. E si mund të ishin profetë – siç pretendojnë disa – ndërkokë që tentuan të vrasin vëllanë, gënjyen babanë etj… gjëra të cilat nuk i shkojnë për shtat profetëve të Zotit. Sipas përkatësisë atërore, pasardhësit e djemve të Jakubit a.s u ndanë në dymbëdhjetë fise.
Zoti i lartësuar e rendit profetin Ejub a.s si pasardhës të Ibrahimit a.s. Thotë Zoti në Kuran:“Ne i dhuruam atij Isakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugë të drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët.” (En’am, 84)
Ejubi a.s ishte profet dhe i dërguar i Allahut, gjë e cila ceket qartazi në Kuran.
“Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij; siç frymëzuam me shpallje edhe Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe bijtë e tij, Isain, Ejupin, Junusin, Harunin, Sulejmanin dhe Dautin, të cilit i dhamë Zeburin.”(Nisa, 163)
Zoti e dërgoi si profet në Sham, në një krahinë të njohur me emrin Thuran. Veç kësaj, Zoti kishte derdhur mbi Ejubin a.s pasuri të panumërta, bagëti të shumta, skllevër dhe çifligje, si dhe katërmbëdhjetë fëmijë, shtatë djem dhe shtatë vajza. Ai gëzonte shëndet dhe forcë fizike dhe kishte shumë miq e shokë.
Pasi ia kishte dhënë gjithë këto mirësi dhe begati, Zoti e sprovon profetin e Tij Ejubin a.s, duke ia marrë ato dhe duke e lënë duarbosh. E gjitha kjo, me qëllim që brezat e mëvonshëm të kenë një model durimi dhe sabri.
Të gjithë pasuritë që i kishte dhënë Zoti iu shfarosën, derisa u shndërrua në një fukara për t’u mëshiruar. Të katërmbëdhjetë fëmijët e tij, njëri pas tjetrit i vdiqën. Një fëmijë po t’i vdesë prindit, ia nxin jetën dhe nuk e merr dot veten, jo më katërmbëdhjetë syresh. Ne pamë sesa u mërzit dhe dëshpërua Jakubi a.s nga humbja e Jusufit a.s. Atij iu zbardhën dhe sytë nga mërzia dhe të qarit.
Veç humbjes së pasurisë dhe fëmijëve, Zoti e sprovoi me një sëmundje të rëndë, e cila e detyroi të zërë shtratin. Sëmundja ishte e tillë që mishin i binte copa copa nga trupi. Nga frika se mos sëmundja është ngjitëse, e braktisën të gjithë shokët, përveç dy prej tyre, të cilët e vizitonin dhe bisedonin me të, por nga një distancë e konsiderueshme. Personi i vetëm që i shërbente ishte gruaja e tij besnike, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ishte ajo që i jepte të hajë, e lante dhe e pastronte dhe i shërbente me gjithçka. Ishte ajo e cila sakrifikoi të gjithë kursimet e saj që kishte vënë mënjanë. Kur iu harxhuan të gjithë kursimet, ajo filloi të punësohej tek më të pasurit për të siguruar jetesën e saj dhe të burrit. Ai që ishte sprovuar me këtë gjendje, ishte një profet dhe i dërguar i Allahut. Kjo gjendje, vazhdoi për tetëmbëdhjetë vite radhazi. Megjithatë, Ejubi a.s nuk ankohej por e përballonte gjithçka me durim dhe pa iu ankuar kujt, qoftë dhe të shoqes.
Një ditë, e shoqja i tha:”Ti je profet dhe i dërguar i Zotit. Përse nuk e lut Zotin e lartësuar ta largojë këtë bela që na ka rënë?!” Kjo, pasi Ejubi a.s nuk e kishte lutur Zotin asnjëherë që t’ia largojë skamjen dhe ta shërojë. Ajo që bënte ishte vetëm falënderimi dhe mirënjohja.
Pasi e dëgjoi kërkesën e të shoqes, Ejubi a.s i tha:”Sa vite kemi jetuar në luks dhe të mira?” E shoqja iu përgjigj:”Tetëmbëdhjetë vite.” Ejubi i tha:”Mua më vjen zor ta lus Zotin, derisa të jetojmë në skamje dhe vuajtje, aq vite sa kemi jetuar në luks. Vetëm pasi të kenë kaluar tetëmbëdhjetë vite në sëmundje, do e lus Zotin të më shërojë.”
Kur dëgjoi përgjigjen e Ejubit a.s, e shoqja i tha e mërzitur:”Deri kur do durojmë kështu?!” Ejubi a.s u inatos nga këto fjalë dhe u betua se do e fshikullonte njëqind kamzhikë nëse do e shëronte Zoti i lartësuar. Si mund të kundërshtonte caktimin e Zotit gruaja e një profeti?!
Situata u rëndua dhe më shumë, kur njerëzit refuzonin ta punësojnë gruan e Ejubit a.s, nga frika se mos u ngjit sëmundjen e të shoqit. Tashmë, sëmundjes dhe skamjes do i shtohet dhe uria.
Një ditë, ajo i solli të shoqit pak ushqim. Ai i habitur e pyeti nga e kishte marrë, por e shoqja refuzoi t’i tregojë. Ajo kishte prerë njërën nga gërshetat e saj, e kishte shitur dhe me fitimin kishte blerë ushqim. Disa ditë më vonë, pret dhe gërshetin tjetër, e shet dhe me të ardhurat blen ushqim.
Ejubi a.s këmbënguli që e shoqja t’i tregojë ku e kishte marrë ushqimin. Në fund, ajo u dorëzua dhe hoqi shaminë e kokës. Kur pa që gruaja e tij kishte prerë gërshetat për t’u ushqyer, Ejubi a.s iu drejtua Zotit por jo me lutje të drejtpërdrejtë. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:“(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija, 83)
Ejubi a.s mund të ishte lutur në çdo kohë dhe e dinte se Zoti do ia pranonte lutjen, por ai preferoi durimin. Për këtë, ai është bërë model për durimin. Sa herë që përmendet durimi, patjetër që do të shoqërohet me përkujtimin e emrit të Ejubit a.s.
“Kujtoje robin Tonë Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Me të vërtetë, më ka goditur djalli me mundim dhe vuajtje!” (Sad, 41)
Zoti e urdhëroi Ejubin a.s t’i bjerë me këmbë tokës ku qëndronte mbi të dhe menjëherë shpërtheu një burim uji.
“(Ne iu përgjigjëm): “Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!” (Sad, 42)
Zoti i lartësuar e urdhëroi Ejubin a.s të pijë nga uji i burimit dhe të lahet. Thonë dijetarët:”Pasi u la me ujin e burimit, iu largua sëmundja nga jashtë. Me të pirë prej tij, u shërua nga brenda.”
Kështu, Ejubit a.s iu kthye shëndeti ashtu siç e kishte pasur para se të sëmurej. Pas pak, vjen e shoqja e tij, e cila nuk e njeh. E shqetësuar ajo pyet Ejubin a.s i cili i dukej si një i huaj:”Mos e ke parë profetin e sprovuar të Zotit? Për Zotin, nuk kam parë t’i ngjajë kush më shumë se ç’i ngjan ti kur ka qenë i shëndetshëm!”
Ejubi a.s, duke qeshur e pyet:”A nuk po më njeh?!” Gruaja e pyeti:”Kush je pash Zotin?!” Ejubi a.s ia ktheu:”Jam Ejubi.”
Veç shëndetit, Zoti i ktheu dhe familjen. Thotë Abdullah ibnu Abasi:”Zoti nuk e shpërbleu vetëm Ejubin a.s për durimin, por edhe të shoqen, e cila duroi bashkë me të. Zoti ia ktheu asaj rininë dhe i lindi Ejubit a.s njëzet e gjashtë djem dhe vajza. Thotë Zoti në Kuran:“Ne ia kthyem atij familjen dhe dy herë më tepër, si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët.” (Sad, 43)
Zoti i ktheu dhe pasurinë dhe të mirat materiale bashkë me shëndetin. Transmeton imam Buhariu dhe imam Ahmedi a.s se profeti Muhamed a.s ka thënë:”Teksa Ejubi a.s po lahej pa rroba në trup, Zoti dërgoi një re karkalecash, të cilët ranë pranë tij. Kur i pa Ejubi a.s, pa që ishin karkaleca floriri. Atëherë ai morri rrobat dhe filloi t’i mbushë me karkalecat e floririt. Zoti i tha:”O Ejub, a nuk të dhashë pasuri që të mos kesh nevojë për atë që shikon?” Ejubi a.s ia ktheu:”Sigurisht o Zot, por unë nuk ngopem me bereqetin Tënd.”
Zoti i lartësuar u tregua i dhembshur dhe i dashur edhe me të shoqen e Ejubit a.s, i cili ishte betuar se do e fshikullonte njëqind herë. Për ta çuar në vend betimin e tij, Zoti i lartësuar e urdhëroi Ejubin a.s të marrë në dorë njëqind fije bari dhe me to të godasë shpinën e gruas së tij. “(Ne i thamë atij): “Merr me dorën tënde një tufë thuprash e bjeri lehtë me to (gruas tënde) dhe mos e shkel betimin tënd!” Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!” (Sad, 44)
Kjo ishte historia e profetit durimtar, Ejub a.s.