Mes Bijve të Izraelit e liga filloi të marrë përmasa të frikshme. Mes tyre filloi të përhapej dhe një ves tejet i rrezikshëm që ishte vrasja e profetëve të Zotit. Çështja arriti gjer atje saqë brenda një dite të vetme, vrisnin tre profetë. Nga kjo e pësoi një numër i madh profetësh.
Thotë profeti Muhamed a.s:”Benu Israilët udhëhiqeshin nga profetët, sa herë që vdiste një profet dërgohej një tjetër.”
Me ndarjen e pushtetit fetar nga ai politik, mbretërit çifutë ushtronin dhunë dhe e shtypnin popullin pa mëshirë. Të shumta ishin edhe betejat që Benu Israilët zhvillonin me një popull të quajtur Amalik. Në një nga këto beteja, Benu Israilët thyhen keq dhe humbasin dhe arkën që e kishin trashëguar nga koha e Musait a.s. Këtë arkë prej dërrase, ata e përdornin si ogur të mirë, e mbanin me vete kur niseshin për luftë dhe me ta parë qetësoheshin. Kjo arkë përmbante gjëra që u përkisnin Musait a.s dhe Harunit a.s. Aty gjendeshin disa pllaka ku qe shkruar Teurati në kohën e Musait a.s, shkopi i Musait a.s që shndërrohej në gjarpër, disa rroba të Musait a.s dhe disa gjëra personale të Harunit. Gjithashtu, thuhet se në arkë gjendej dhe pak nga ushqimi që u zbriste nga qielli gjatë periudhës së humbjes në shkretëtirë. Të gjithë këto sende i humbën në betejën me Amalikët, gjë e cila e dëshpëroi pa masë. Kjo shkaktoi kaos dhe rrëmujë mes tyre, saqë edhe mbretërit nuk e kontrollonin dot situatën.
Për të vendosur situatën nën kontroll, Zoti dërgoi një profet tjetër i cili njihet me emrin Samuel. Ai filloi t’i ftojë në udhën e drejtë dhe Benu Israilët iu bindën. Ata e ndjenin se ky kaos që i përfshiu ishte për faj të tyre. Kur gjërat filluan të përmirësohen, i kërkuan Samuelit t’u zgjedhë dhe një mbret dhe prijës që t’i udhëheqë në luftë kundër Amalikëve. Kjo përmendet dhe në Kuran në suren Bekare:“A nuk e ke dëgjuar ti (o Muhamed) se çfarë i tha paria e bijve të Izraelit, pas Musait, një profeti të tyre? I tha: “Na dërgo një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!” – Profeti u tha: “Po sikur të mos luftoni kur të shpallet lufta?” Ata thanë: “E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!” Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata nuk luftuan, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit.” (Bekare, 246)
Mes Samuelit dhe Joshuas kishin kaluar katërqind e gjashtëdhjetë vite. Gjatë kësaj kohe, hebrenjtë ishin thyer disa herë, madje shumë keq. Më e keqja ishte ajo që ishin dëbuar nga Jeruzalemi dhe ishin masakruar nga Buhtunasar. Ngaqë kishin vuajtur, ata tashmë kërkonin një prijës që t’i udhëheqë në luftë për të vënë nderin në vend. Por kur profeti i ftoi për luftë, shumica prej tyre nuk e mbajtën besën. Vetëm tetë mijë hebrenj i qëndruan fjalës së tyre për të luftuar.
Ata që e mbajtën besën për luftë, i kërkuan Samuelit të njihen me mbretin që do i udhëheqë dhe komandojë. Atëherë Samueli u tregoi se mbreti i tyre do të jetë Taluti. Ai ishte biri i Kajshit, nga pasardhësit e Benjaminit, birit të Jakubit a.s.
Të gjithë mbretërit e mëparshëm rridhnin nga Jehodha, ndërkohë që Taluti ishte i pari që rridhte nga Benjamini. Taluti ishte njeri i thjeshtë, punonte në regjjen e lëkurave dhe njeri i thjeshtë. Megjithatë, ai ishte i ditur, i urtë dhe me fizik të fuqishëm, me lëkurë të bardhë dhe simpatik.
“Profeti i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! – Këto fjalë i thanë pasardhësit e Jehodhas, të cilët kishin gëzuar pushtetin politik gjer atëherë – Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 247)
Megjithëse u tregoi se ishte një zgjedhje e Zotit bazuar në cilësitë e Talutit, ata refuzuan të rreshtoheshin pas tij në luftë. Duke parë refuzimin dhe kokëfortësinë e popullit të tij, Samueli u tha:”Po sikur t’ju sjell një sinjal se kjo është zgjedhje nga ana e Zotit?!” Kjo, pasi i thoshin se nuk e dimë nëse na thua të vërtetën apo na gënjen.
Ata i thanë:”Po, nëse na sjell një shenjë dhe sinjal se kjo është zgjedhja e Zotit, atëherë do të bindemi.”
“Profeti u tha atyre: “Shenjë e sundimit të tij është ardhja e Arkës. Aty ka qetësi për ju nga Zoti juaj dhe relike të lëna nga familja e Musait dhe Harunit. Atë e bartin engjëjt. Sigurisht që kjo është një shenjë për ju, nëse jeni besimtarë!” (Bekare, 248)
Atëherë ata dallojnë arkën e Musait a.s e cila zbriste nga qielli derisa u vendos para tyre. Kështu, u kthye arka të cilën e kishin humbur në betejë. Kështu, iu bindën profetit të tyre Samuel dhe e pranuan Talutin si mbretin dhe komandantin e tyre.
Gjatë udhëtimit, ushtrinë e Talutit e kaplon etja për ujë. Kur mbërrijnë pranë lumit Jordan, Taluti u tregon mbi një sprovë të Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre:“Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im”. – Kushdo që do të pinte vetëm një grusht ujë, do vazhdonte rrugën për në luftë. Ai që e thyente këtë, do të përjashtohej – Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata(ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”.
Ata që nuk pinë më shumë se një grusht ujë, ishin vetëm treqind e trembëdhjetë burra, nga tetëmijë që ishte ushtria në fillim. Në një hadith të transmetuar nga Buhariu, nga Bera ibnu Azib i cili thotë:”Ne shokët e Muhamedit a.s shpesh herë bisedonim se numri i luftëtarëve në Bedr, ishte i barabartë me numrin e luftëtarëve të Talutit, të cilët e kaluan lumin.”
Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit”. (Bekare, 249)
Fitorja nuk arrihet vetëm me numër të madh luftëtarësh, por arrihet me forcën e besimit dhe vullnetin e çeliktë. Vetë Taluti a.s i nxiti dhe u dha zemër për të luftuar me gjithë shpirt në këtë betejë. Me t’u vendosur dy ushtritë para njëra-tjetrës, ushtarët e Talutit filluan të luten dhe t’i përgjërohen Zotit për ndihmë.
“Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë:“Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!” (Bekare, 250)
Beteja filloi me një dyluftim mes Xhalutit, përfaqësues i ushtrisë armike, dhe Daudit, përfaqësues i ushtrisë së Talutit. Xhaluti ishte luftëtari më i fuqishëm dhe më i madhi. Ishte ai që doli i pari dhe kërkoi një luftëtar nga ushtria e Talutit. I gjendur në këtë situatë, Taluti u bëri thirrje ushtarëve të tij për dyluftim, por askush nuk doli. Duke dashur që t’i nxisë, Taluti u tha:”Kushdo që del, do e martoj me vajzën time dhe do të trashëgojë fronin mbretëror pas meje.” Në këtë moment, del para një djalë i ri nga ushtria e Talutit, që quhej Daut a.s. Asokohe ai ishte i ri dhe sipas rrëfenjave ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Mjeti me të cilin luftonte Dauti a.s ishin llastiqet.
Kur e pa Dautin e njomë, Xhaluti i tha:”Kush je ti? Kthehu o djalosh se nuk kam qejf të vras djem të njomë si puna jote.” Kurse Dauti a.s ia ktheu:”Por unë kam qejf të të vras ty.”
Atëherë Xhaluti u nis i tërbuar drejt Dautit a.s për ta vrarë. Menjëherë, Dauti i tund llastiqet e tij të cilat i kishte mbushur me tre gurë dhe i lëshon drejt Xhalutit. Të tre gurët i bien Xhalutit mu në mes të ballit, duke e shembur përtokë të vdekur.
“Me ndihmën e Allahut, ata i thyen armiqtë dhe Dauti e vrau Xhalutin.” (Bekare, 251)
Kështu, Benu Israilët e fituan këtë betejë dhe Dauti a.s u martua me vajzën e Talutit, si dhe u bë prijës kurore.
“Allahu i dha atij pushtetin dhe Profecinë dhe i mësoi dituritë që deshi.” (Bekare, 251)
Ishte hera e parë që nga koha e Joshuas, kur Zoti e bashkonte pushtetin fetar me atë politik tek një person. Kishte mbi katërqind vite që pushteti politik ishte i ndarë nga ai fetar tek Benu Israilët. Ishte Dauti a.s ai që e ktheu sërish këtë traditë.