Enes ibn Malikun e kishin lutur që të vlerësojë agjërimin e Pejgamberit (s.a.v.). Ai u përgjigj se gjatë muajve të caktuar, Pejgamberi (s.a.v.) e zgjaste aq shumë agjërimin e tij, saqë njerëzit mendonin se nuk do ta ndërpresë kurrë, ndërkaq në muajt e tjerë, e ndërpriste aq shumë agjërimin, saqë të tjerët mendonin se nuk do të agjerojë më kurrë. “Po të deshit që ta shihnit Pejgamberin (s.a.v.) duke u lutur gjatë natës, atëherë çdo herë do ta shihnit të tillë, por edhe po deshit ta shihnit duke fjetur, edhe ashtu do ta shihnit.” Aisheja thotë se Pejgamberi (s.a.v.) agjëronte të hënave dhe të enjteve. Aisheja pastaj tregon se Pejgamberi (s.a.v.) më shumë agjëronte gjatë ditëve të muajit Sha’ban se sa gjatë ndonjë muaji tjetër.
Pejgamberi (s.a.v.) pëlqente vetëm ato veprime, të cilat personi përgjegjës i kryente rregullisht. Ebu Salihu thotë se kishte pyetur Aishen dhe Ummu Selemen, se cilat janë ato veprime që Pejgamberi (s.a.v.) i pëlqen më shumë. Që të dyja iu përgjigjën: “Veprimet që çdoherë mund të kryhen rregullisht, qofshin ato të vogla apo të mëdha.”