Arritja në Jethrib

ardhja

Kur njerëzit e Jethribit dëgjuan se Muhamedi (s.a.v.) e ka lëshuar Mekën dhe është drejtuar për në qytetin e tyre, ishin duke pritur me padurim arritjen e tij. Më në fund, të hënën, më 27 shtator të vitit 622 e.r. dikush e pa së largu dhe u bëri zë të gjithëve: “Ja ku është Muhamedi (s.a.v.)! Erdhi i Dërguari i Allahut!” Të gjithë muslimanët, të ngazëllyer shkuan ta takojnë duke bërtitur, “Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi! Arriti Muhamedi, i Dërguari i Allahut!” Gratë dhe fëmijët shprehnin me këngë kënaqësinë e tyre.

I Dërguari (s.a.v.) hyri në qytet bashkë me shokun e tij, Ebu Bekrin. Shumica e njerëzve që nuk e kishin parë, u mblodhën rreth tyre, pasi nuk e dinin se cili ishte i Dërguari (s.a.v.); derisa Ebu Bekri nuk u ngrit dhe me mantelin e tij e mbuloi që ta mbrojë nga dielli përcëllues. Prej tash e tutje, Jethribi do të quhej el-Medine, që do të thotë Qyteti.

I Dërguari i Allahut, tri ditët e para qëndroi në Kuba, që është një vend në hyrje të Medinës. Të premten e parë pas arritjes së tij, I Dërguari (s.a.v.) udhëhoqi namazin e xhumasë. Pas kësaj, shumica e pasanikëve e ftuan që të jetojë me ta dhe po me ta të ndajë pasurinë.Mirëpo ai e refuzoi këtë dhe, duke treguar nga deveja e tij Kasva, tha: ” Le të shkojë në rrugën e saj”, se e dinte se deveja e tij ishte nën komandën e Allahut xh.sh. dhe se do ta çonte atë në vendin ku duhej të ndalej. Ata e lanë devenë të shkonte ku të donte, derisa më në fund ajo u gjunjëzua afër shtëpisë se Benu Nexharëve, farefisit nënës së të Dërguarit. Kjo shtëpi përdorej si vend për tharjen e hurmave dhe i takonte dy jetimëve, Sehlit dhe Suhejiit. Ata ia ofruan shtëpinë të Dërguarit (s.a.v.), mirëpo ai nguli këmbë që ta paguajë, dhe kështu Asadi, i biri Zurares, i cili gjendej aty, bëri marrevëshjet e nevojshme. I Dërguari (s.a.v.) urdhëroi që në ate vend të ndërtohet një xhami dhe një vendbanim për të. Të gjithë muslimanët punuan së bashku që ta kryejnë sa më shpejt – madje atyre iu bashkëngjit edhe i Dërguari (s.a.v.). Këtu muslimanët do të mblidheshin për t’u falur dhe për të sjellë vendime dhe plane të rëndësishme. Ndërtimi ishte i thjeshtë dhe u krye shpejt. Dyshemeja ishte prej dheu të shtypur, ndërsa pullazi nga gjethet e palmave dhe degët e drujnve. Drejtimi i faljes u shënua me dy shkëmbinj. Në fillim besimtarët u kthyen drejt Jerusalemit, mirëpo shumë shpejt kahja e të falurit u kthye nga Qabeja në Mekë.

Pas ndërtimit të xhamisë, Muhamedi (s.a.v.) dëshironte të forconte marrëdhëniet ndërmjet njerëzve të quajtur Muhaxhirë apo emigrantë, të cilët së bashku me të erdhën nga Meka, dhe njerëzve të Medinës, që njiheshin me emrin Ensarë apo ndihmëtarë. Çdo njeri i Medinës mori si vëlla të vetin nga një njeri të ardhur prej Meke, duke ndarë çdo gjë me të dhe duke e konsideruar si anëtar të familjes së tij. Ky ishte fillimi i vëllazërisë Islame. Në ditët e para të Islamit, koha e faljes nuk ishte e caktuar prandaj muslimanët vinin në xhami dhe prisnin aty deri sa të vinte koha e lutjes. I Dërguari (s.a.v.) pyeti se në ç’mënyrë t’u tregojë njerëzve se kishte ardhur koha e faljes. Ai bisedoi me shokët e tij rreth kësaj dhe erdhën deri në dy përfundime: t’i frynin bririt ashtu siç bënin hebrejtë, apo të përdornin këmbana të drunjta siç bënin të krishterët.

Pastaj njeriu i quajtur Abdullah ibn Zejd erdhi tek i Dërguari (s.a.v.) dhe i tha se kishte parë një ëndërr, në të cilën një njeri i veshur në të gjelbra mbante në duart e tij një këmbane të drunjtë. Ai i kishte thënë njeriut: “A do të ma shesësh këmbanën tënde që t’i ftoj njerëzit për t’u falur?” Njeriu ishte përgjigjur: “Mënyra më e mirë për t’i ftuar njerëzit që të falen është:
“Allahu Ekber”, Allahu është më i madhi! katër herë, kurse pastaj
“Pohoj se nuk ka Zot tjetër, perveç Allahut.” – dy herë.
“Pohoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” – dy herë.
“Ejani të faleni, ejani të faleni.”
Ejani të shpëtoni, ejani të shpëtoni.”
“Allahu Ekber, Allahu Ekber.”
“Nuk ka Zot tjetër, përveç Allahut!”

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.) e dëgjoi këtë, tha se kjo është një ëndërr e vërtetë që vjen nga Allahu. Ai thirri Bilalin, i cili kishte një zë të bukur e të fortë, dhe e urdhëroi që vetëm në këtë mënyrë ta ftojë popullin për t’u falur. Bilali veproi kështu dhe ndërkohë edhe Umeri, që doli nga shtëpia, i tha të Dërguarit (s.a.v.) se edhe ai kishte parë të njëjtën ëndërr. I Dërguari iu përgjigj: “Qoftë i lavdëruar Allahu për këtë!” .

Thirrja për t’u falur, apo ezani, e cila iu paraqit në ëndërr Abdullah ibn Zejdit dhe të cilën, sipas këshillave të të Dërguarit e bëri Bilali, është e njëjtë që edhe sot dëgjohet nga minaret e xhamive në tërë botën.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *