Koha me Halimenë

desert09

Si shumica e grave të Mekës, edhe Amineja, gjithashtu, vendosi që i biri, vitet e hershme t’i kalojë jashtë qytetit, në shkretëtirë, atje ku do të ishte më i shëndoshë. Gratë e Mekës e kishin bërë shprehi që t’i marrin foshnjet e porsalindura dhe të kujdesen për to, derisa ato të rriteshin e të bëheshin djem të fortë e të shëndoshë për të cilën gjë paguheshin mirë nga prindërit e tyre. Në mesin e grave, të cilat udhëtonin në Mekë për të marrë fëmijë, në kohën kur ishte lindur i biri i Aminesë, qe edhe një grua beduine e njohur me emrin Halime. Me të gjendeshin i shoqi dhe foshnja e saj. Ata gjithmone kishin qenë të varfër, mirëpo këtë vit skamja kishte qenë më e rëndë se kurdoherë. Gomari, që gjatë udhëtimit barte Halimenë, ishte dobësuar aq shumë nga uria, saqë shpesh pengohej.

Fëmija e Halimesë gjatë tërë kohës qante, sepse e ëma nuk mund ta ushqente me rregull. Madje edhe deveja që kishin nuk u jepte asnjë pikë qumështi. Halimeja nuk dinte se ç’të bënte. Ajo mendoi me vete:”Si do ta ushqej edhe një fëmijë tjetër, kur unë nuk kam qumësht të mjaftueshëm as për birin tim?”

Më në fund arritën në Mekë. Të gjitha gratë e fisit të Beni Sa’dëve, të cilat edhe Halimeja i takonte, gjetën nga një fëmijë që ta marrin prapë, kurse Halimeja jo. Fëmija i vetem që kishte mbetur ishte Muhamedi (s.a.v.). Rëndom këto mëndesha i pagonte babai, mirëpo i ati i Muhamedit kishte vdekur. Kështu, edhe pse i takonte familjes bujare të kurejshëve atë askush nuk donte ta merrte. As Halimeja nuk dëshironte ta merrte mirëpo nuk desh të ishte e vetmja nga gratë e fisit të vet, e cila do të kthehej pa fëmijë. Ajo e pyeti burrin e vet se a mund ta merrte Muhamedin (s.a.v.) apo jo. Ai e këshilloi që ta bëje këtë, dhe shtoi: “Ndoshta për këtë Allahu do të na bekojë.” Ata u nisën të kthehen prapë, dhe kur Halimeja filloi ta ushqejë Muhamedin (s.a.v.) asaj papritmas iu shtua qumështi saqë tani mjaftonte si për të atë edhe për foshnjën e saj. Kur u kthyen në shtëpi çdo gjë filloi të ndërrohet.

Toka u gjelbërua kurse hurmat që ishin ndër burimet kryesore të ushqimit dhanë shumë fryte. Madje edhe delet e deveja e tyre plakë filluan të japin gjithnjë e më shumë qumësht. Halimeja dhe i shoqi i saj e dinin se ky fat i mire erdhi ngaqë ata e kishin fëmijën e vogël, Muhamedin (s.a.v.) të cilin e donin sikur ta kishin birin e tyre.

Kur Muhamedi (s.a.v.) ishte dy vjeçar, Halimeja e ktheu prapë tek e ëma e tij. Ajo iu drejtua Aminesë që ta lejojë ta mbajë edhe më gjatë dhe për habi të madhe të saj e ëma ra dakord.

Gjatë kohës të cilën e kaloi në shkretëtirë me familjen e Halimesë, Muhamedi (s.a.v.) luante me fëmijët e saj dhe së bashku i kullosnin delet. Ndërkaq kishte edhe raste kur Halimeja shpesh e gjente atë kur rrinte ulur dhe i vetmuar.

Thuhet se me një rast, te Muhamedi (s.a.v.) erdhën dy melekë dhe ia shpëlanë zemrën me borë. Në këtë mënyrë Allahu ia bëri zemrën të pastër sepse Ai kishte për qëllim që Muhamedi (s.a.v.) të ishte më i madhi nga të gjithë njerëzit dhe të behej më i Larti i të Dërguarve.

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit!

“A nuk ta hapëm Ne krahërorin tënd? Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde, e cila shtypte shpinën tënde. Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde? E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi. E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurimin (Allahut). Dhe vetëm te Zoti yt përqëndro synimin!”

(El-Inshirah: 1-8)

Kur më në fund Halimeja ia ktheu prapë Aminesë Muhamedin (s.a.v.), ai ishte bërë një djalë i shëndoshë e i fuqishëm. Ai me një kënaqësi të madhe do ta kujtonte kohën e kaluar me Halimenë dhe çdo herë do ta konsideronte veten si njërin prej Beni Sa’dëve.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *