Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u shtuan dhe formuan fise të shpërndara nëpër tërë Arabinë. Njëri nga këto fise ishte ai i Kurejshëve. Këta njerëz asnjëherë nuk u larguan nga Meka dhe çdo herë jetonin pranë Qabes.
Njëra nga detyrat e udhëheqësit të kurejshëve ishte që të kujdeset për ata që vijnë në Qabe për të bërë haxhin. Haxhilerët mund të vinin nga tërë Arabia, ndërsa sigurimi i tyre me ushqim dhe ujë paraqiste një nder të madh.Me kalimin e kohës arabët e ndërprenë adhurimin e drejtpërdrejtë të Allahut, dhe nga vendet e ndryshme nga të cilat vinin, prapë filluan t’i sjellin idhujt e tyre. Këta idhuj ishin të vendosur në Qabe, e cila nuk konsiderohej më si shenjtore, që kishte qenë edhe vetë qëllimi i Ibrahimit. Sidoqoftë, arabët akoma e respektonin atë. Gjatë kësaj kohe burimi i Zemzemit u zhduk nëpër rërë.
Në këtë kohë Kuseji, njëri nga udhëheqësit e kurejshëve u bë sundues i Mekës. Ai mbante çelësat e faltores dhe kishte të drejtën që t’u japë ujë haxhilerëve, t’i ushqejë ata, të kryesojë me mbledhjet dhe t’i shpërndajë flamujt e luftës para fillimit të betejës. Në shtëpinë e tyre vendosej edhe për çështjet e kurejshëve.
Pas vdekjes së Kusejit, udhëheqjen e kurejshëve e mori i biri Abdulmenafit, i cili ishte bërë i njohur gjatë jetës së të atit. Pas tij erdhi i biri, Hashimi.Thuhej se Hashimi ishte i pari i cili filloi dy udhëtimet e para me karvanë të
kurejshëve atë të verës drejt Sirisë dhe veriut dhe atë të dimrit drejt Jemenit dhe jugut. Si pasojë e kësaj, Meka u zgjerua, u pasurua dhe u shndërrua si qendër e madhe tregtare.
Një verë Hashimi shkoi në veri për të blerë mallra dhe për t’i shitur në Jemen. Gjate rruges ai u ndal në Jethrib që të bëjë tregti dhe në tregun e atjeshëm pa një grua shumë të bukur. Ajo ishte Selma e bija e Amr ibn Zejdit, i cili e kishte prejardhjen nga një familje shumë e ndershme. Hashimi i propozoi asaj që të martohen gjë që u bë sepse ai ishte një njeri i ndershëm dhe i shquar. Pas një kohe Selma lindi një djalë të bukur të cilit për flokët e bardha që kishte ia vunë emrin Shejbe që në arabishte do të thotë “flokëthinjur”.
Përderisa Hashimi u kthye në Mekë për shkak të klimës më të freskët dhe më të shëndetshme të Jethribit nëna dhe i biri mbetën aty. Mirëpo sa herë që karvani i tij udhëtonte për në veri ai kthehej tek ata që t’i vizitojë. Gjatë një udhëtimi të këtillë Hashimi u sëmur dhe vdiq. Shejbe një djalosh i pashëm dhe inteligjent u rrit në shtëpinë e xhaxhait të tij në Jethrib. Ai mburrej që ishte i biri i Hashim ibn Abdulmenafit kryetarit të kurejshëve ruajtësit të Qabes dhe mbrojtësit të haxhilerëve edhe pse asnjëherë nuk e kishte njohur të atin që kishte vdekur sepse Shejbe kishte qenë i ri.
Me vdekjen e Hashimit detyrat dhe përgjegjësitë e tij i mori i vëllai El- Muttalibi. Ai udhëtoi deri në Jethrib që ta shohë të nipin Shejben dhe vendosi që kur të vinte dita që ky djalë të trashëgonte të atin do të ishte pikërisht koha që ai duhej të vinte të jetonte në Mekë.
Për Selmën nënën e Shejbes ishte shumë e vështirë që ta lejonte të birin të shkojë me xhaxhanë e tij mirëpo më në fund u bind se kjo është më mirë për të. El-Muttalibi u kthye në Mekë duke hyrë në qytet në kohën e mesditës hipur mbi deve me Shejben pas tij.
Kur njerëzit e Mekës e panë djalin menduan se është rob dhe e quajtën Abdulmuttalib; fjala “Abd” në arabishte do të thotë “rob”. El-Muttalibi u tha atyre se Shejbe nuk është rob por është nipi i tij i cili ka ardhur që të jetojë me ta. Sidoqoftë nga kjo ditë me dashuri quhej Abdulmuttalib.
Pas vdekjes se El-Muttalibit i cili vdiq në Jemen ku kishte shkuar për tregti vendin e tij e zuri Abdulmuttalibi. Ai u bë anëtari më i nderuar i familjes i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Sido që të jetë, ai është njëri nga ata arabë që ishin dhënë pas mësimeve të Ibrahimit.