Shumë nga dijetarët e ndryshëm, mjekët dhe filozofët e kanë lodhur mendjen e tyre për qëllimet kryesore dhe vlerat e agjërimit.
Mirëpo rezultatet e tyre nuk ishin vetëm se disa nga vlerat e mëdha të agjërimit, që tashmë s’janë larg atyre që ndjekin me kujdes arritjet e fundit të mjekësisë dhe shkencës.
Por le të hedhim dritë mbi disa nga vlerat e këtij adhurimi duke lexuar disa nga rreshtat e librit të famshëm, të dijetarit të njohur Sejid Kutub, në tefsirin e tij: “Nën hijen e Kur’anit”, vëllimi i parë, faqe 167, ku thotë: “Agjërimi është një mundësi e re për të ripërtërirë forcën dhe vendosmërinë e mundësive njerëzore. Ai është mundësi e njeriut për t’u lidhur me Krijuesin e tij, lidhje adhurimi e zbatim urdhrash. Siç është edhe mundësi, për të treguar se njeriu është më i fortë se epshet e tij dhe më i fortë se ushqimi, me të cilin mbahet gjallë! Këto janë pjesë përbërëse të domosdoshme për përgatitjen e një njeriu që do të përballojë vështirësitë e jetës…”.
Pas këtyre mendimeve kuptuam disa nga rëndësitë e agjërimit. Por vetëm kaq? Pa dyshim se jo!
Atëherë le të kthehemi në disa nga argumentet e qarta, në shprehjet pejgamberike, për të arritur në disa nga sekretet e agjërimit dhe të mbërrijmë në përgjigjen e pyetjes:
Pse u bë detyrim për myslimanët agjërimi i Ramazanit?
Agjërimi dallohet nga shumë prej adhurimeve të tjera që zbaton një mysliman, për sekretin e tij që lidhet me nijetin- qëllimin e agjëruesit, që s’e di veçse Krijuesi i Madhëruar.
Transmetohet në një hadith kudsij, nga Ebu Hurejra (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë: Thotë All- llahu (xh.sh): “Çdo punë që bën njeriu është e tija, përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë e jap shpërblimin për të…”.[1]
Vlerat dhe mirësitë e agjërimit
Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “I janë dhënë ymmetit tim, në muajin e Ramazanit, pesë gjëra që s’i janë dhënë asnjë Pejgamberi para meje:
1. Natën e parë të këtij muaji All- llahu shikon me mëshirë robët e Tij dhe atë që e shikon All- llahu me mëshirë, nuk e dënon kurrë.
2. Melekët i kërkojnë All- llahut falje për agjëruesit çdo ditë e çdo natë.
3. All- llahu e urdhëron xhennetin duke i thënë: Zbukurohu për robët e mi, agjëruesit, pasi mund të ndodhë që të pushojnë nga mundimet e botës së tyre, në vendin e mirësisë Time.
4. Era e gojës së agjëruesve, në darkë është më e mirë se era e miskut.
5. Kur vjen nata e fundit e agjërimit, All- llahu i falë të gjithë robët e Tij, agjërues.
Punëtorët punojnë dhe në fund të saj marrin shpërblimin e tyre”.[2]
Transmeton Ubade ibni Samit (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Ju erdhi Ramazani, muaji i begatisë. Ju mëshiron All-llahu në të duke ju fshirë me mëshirën e Tij gabimet tuaja dhe duke iu përgjigjur lutjeve tuaja. All- llahu shikon në adhurimin tuaj dhe mburret me ju përpara melekëve. Tregojini pra, All-llahut nga vetet tuaja, vetëm të mira. I shkretë është vetëm ai, që s’e meriton mëshirën e All- llahut në këtë muaj”.[3]
Këto, pra janë disa nga vlerat dhe mirësitë e këtij adhurimi të madh!
Agjërimi është ringjallje e forcave të brendshme, armik i epsheve trupore, shenjë e njeriut të lartë e të përsosur, ushtrim i vështirë në shpërnguljen nga bota e ushqimeve dhe e qejfeve pa kufi, si dhe stërvitje në përballimin e urisë, etjes dhe ndalimin nga qejfet e ndryshme.
Ai është mësim i mirë në politikën e brendshme të njeriut me veten e tij. S’duhet harruar të përmendim se mjekësia ka vërtetuar se agjërimi në përgjithësi është një ilaç i shkëlqyer për shumë sëmundje të rënda që bien mbi njeriun.
Agjërimi në vështrimin e jomyslimanëve
Mjeku amerikan Mek Fadon, në një dialog të tijin me një revistë të njohur shkencore amerikane thotë: “Kam shëruar shumë sëmundje me anën e agjërimit…[4]
Çdo njeri ka nevojë për agjërim, edhe në qoftë se s’është i sëmurë, pasi helmet e ushqimeve dhe ilaçeve të ndryshme, mblidhen në trupin e njeriut duke e bërë atë të vuajë si i sëmuri duke i pakësuar zellin dhe duke e plogështuar.
Por nëse njeriu agjëron, ai bie në peshë dhe i largon këto helme nga trupi i tij , duke u pastruar si jo më mirë! Pas kësaj ai mund të kthehet përsëri në peshën e tij, në një periudhë kohore jo më shumë se 20 ditë. Dhe më e rëndësishmja është, se njeriu pas këtij agjërimi e ndjen veten të fortë dhe aktiv…Shumica e të sëmurëve që e ndjejnë më shumë agjërimin, janë ata që vuajnë nga stomaku, sëmundjet e gjakut, venave dhe ato reumatizmale. Agjërimi për ta është si një shkop magjik, që shpejton në shërimin e tyre përfundimisht…”
Ndërsa udhëheqësi Indian Gandi, në lidhje me agjërimin, ka thënë: “Agjërimi për shpirtin është si syri për trupin. Atë që e bëjnë të dy sytë në botën e jashtme, e bën agjërimi në botën e brendshme”.
Ndërsa i famshmi Mikelanxhelo, kur u pyet për sekretin e shëndetit të mirë që kishte, pasi kishte mbushur të 60- at, u përgjigj: “E ruaj shëndetin tim dhe forcoj dëshirën time për punë, duke agjëruar nga një periudhë në tjetrën. Për çdo ditë agjëroj nga një muaj, për çdo muaj agjëroj një javë, për çdo javë agjëroj një ditë dhe për çdo ditë ha dy, nga tri herë”.
Atëherë edhe pas shprehjeve të sipërpërmendura, themi se agjërimi është i mbushur me mirësi, begati dhe vlera të jashtëzakonshme për njeriun.
Këtu shihet qartas urtësia e Krijuesit në vendosjen e agjërimit në vendin e merituar, atë të qënies së tij një ndër pesë shtyllat e fesë islame.
Krijuesi me këtë adhurim na vërteton se Ai i dëshiron botës mirësinë, begatinë, jo urrejtjen dhe inatin!
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip – Muhamed Sytari
nga revista “El Arabi”, nr. 470, Kuvajt, janar, 1998
[1] Transmetuar nga Muslimi. [2] Transmetuar nga Ahmedi dhe Ebu Davudi. [3] Transmetuar nga Tabaraniu. [4] Shënim: Ky është agjërimi mjekësor i zbuluar nga dijetarët myslimanë, që u rekomandohet shumë të sëmurëve, me këshillën e mjekut. Edhe boksieri i njohur Muhamed Ali Klej, e ka zbatuar këtë lloj agjërimi për një periudhë rreth njëmujore në Damask të Sirisë dhe përmirësimi i tij ka qenë befasues edhe për mjekët e tij amerikanë pas kthimit atje. Për këtë shih librin: “Shejkh Ahmed Keftaro jetehaddeth”, fq. 240- 243. (M.S.).