Njëherë, një i urtë i gjeti nxënësit e tij duke polemizuar ashpër dhe duke bërtitur njëri ndaj tjetrit.
Me paraqitjen e tij diskutimi u ndal, ndërsa ai shfrytëzoi rastin që t’u mësojë një leksion të rëndësishëm jetësor.
I pyeti: – Përse njerëzit bërtasin kur janë të zemëruar?
Nxënësit menduan një kohë, përderisa njëri nuk u përgjigj: – Për arsye se e humbasin durimin, ky është shkas.
– Por, përse bërtet kur personi është afër teje? A nuk është e mundur të flasësh qartë dhe ngadalë?
Nxënësit edhe për një kohë dhanë përgjigje, por asnjëra nuk e kënaqi mësuesin.
Më në fund u shpjegoi: – Kur dy persona janë duke u grindur, zemrat e tyre largohen shumë. Për këtë, duhet të bërtasin njëri ndaj tjetrit në mënyrë që bërtima e tyre ta kalojë largësinë për t’u dëgjuar. Sa më të zemëruar që janë njerëzit, më zëshëm duhet të bërtasin, ngase largësia në mes tyre është gjithnjë e më e madhe.
Pastaj, mësuesi pyeti: – Çfarë ndodh kur dy persona janë të dashuruar?
Nuk bërtasin, por flasin me zë të ulët dhe ngadalë. Përse? Zemrat e tyre janë shumë afër. Largësia në mes tyre është tejet e vogël.
E çfarë ndodh kur dashurohen edhe më shumë? Nuk flasin, vetëm pëshpëritin dhe afrohen edhe më tepër në dashurinë e tyre. Në fund nuk nevojitet as pëshpëritja.
Vetëm shikohen dhe kjo është e gjitha. Kështu janë dy persona që duhen.
Pastaj tha: – Kur grindeni, mos lejoni që zemrat tua të largohen, mos flisni fjalë që mund t’u largojnë edhe më tepër, ngase do të vie dita kur largësia do të jetë aq e madhe dhe asnjëherë nuk do të ketë rrugë prapa.