Një djalosh i thotë babait të tij se e ka parë një vajzë me të cilën dëshiron të martohet, ngase e ka magjepsur bukuria e saj.
Babai u gëzua dhe i tha të birit që ta dërgoj te vajza që ta fejoj për të. Kur shkuan te vajza dhe kur e pa babai, e magjepsi bukuria e saj dhe i tha të birit: – Dëgjo biri im, kjo grua nuk është për ty, ti nuk je i nivelit të saj dhe kësaj i nevojitet dikush që ka përvojë jetësore, dikush sikurse unë!
Djali i hutuar nga fjalët e babait i tha: – Jo, jo! Unë do të martohem me të e jo ti.
Filloi zënka dhe vendosën të shkojnë deri në stacionin policor që ata të gjykojnë dhe gjejnë zgjidhje. Kur policit zyrtar ia treguan ngjarjen ai u tha që ta sjellin vajzën për ta pyetur atë se cilin nga këta të dy e dëshiron për bashkëshort. Vajza erdhi dhe kur polici e pa, e mahniti bukuria dhe sharmi i saj dhe u tha: – Kjo nuk u takon juve! Kjo i takon dikujt që është i famshëm në shoqëri, sikurse unë!
Kështu të tre filluan grindjen dhe vendosën të shkojnë te ministri që ai t’i gjykojë.
Kur ministri e pa vajzën, tha: – Këtë vajzë mund ta martojë vetëm ministri sikurse unë!
Përsëri filloi grindja dhe zgjidhja nuk shihej derisa për këtë rast nuk kuptoi kryetari i shtetit. Kur erdhën tek ai, ai tha: – Unë do t’ua zgjidh problemin, ma sillni vajzën! Kur kryetari e pa vajzën, tha: – Këtë vajzë mund ta martojë vetëm kryetari sikurse unë!
Kështu të gjithë filluan të polemizojnë …
Në këtë vajza u ngrit dhe tha: – Unë kam zgjidhje! Unë do të vrapoj dhe ju më ndiqni pas dhe kush i pari më arrin dhe më kap, jam e tij dhe ai do të martohet me mua!
Dhe vërtet vajza filloi të vrapojë, e pas saj djaloshi, babai, polici, ministri dhe kryetari. Dhe derisa vraponin pas saj, papritmas të pestët ranë në një gropë të thellë.
Vajza u afrua te gropa dhe duke i parë nga lartë i pyeti: – E dini kush jam unë?
Unë jam dynjaja!
Unë jam ajo pas së cilës vrapojnë dhe garojnë të gjithë njerëzit duke lënë anash fenë e tyre, derisa të shtrihen në varr dhe nuk arrijnë të më posedojnë!