Kishte takuar Isa, alejhis-selam, një bari delesh në shkretëtirë dhe i kishte thënë: – O njeri, e kalove jetën duke qenë bari në shkretëtirë. Sikur ta kishe kaluar jetën duke kërkuar dituri, do të ishte më mirë për ty!
Bariu i tha: – O Pejgamber i Allahut, nga dituria i kam mësuar gjashtë gjëra (mesele) dhe shumicën e tyre i praktikoj, e ato janë:
– Çështja e parë: derisa të ekzistojë hallalli, nuk do të ha haram!
– Çështja e dytë: derisa të ekzistojë drejtësia, nuk do të gënjej.
– Çështja e tretë: derisa ti shoh të metat e mia, nuk do të merrem me të metat e të tjerëve.
– Çështja e katërt: derisa shejtani nuk ka vdekur, nuk do të jem i sigurt prej tij.
– Çështja e pestë: derisa arkën e Allahut xh.sh. po e shoh se është plotë, nuk do t’i drejtohem arkave të krijesave.
– Çështja e gjashtë: derisa nuk i shoh këmbët e mia të më shpijnë drejt Xhennetit, nuk jam i sigurt se do t’i shpëtoj zjarrit të Xhehennemit.
Isai alejhis-selam i tha: -Kjo është dituria e të parëve dhe të mbramëve, paske lexuar dhe e paske ruajtur këtë dituri.