HADITH 9

A është bismilahi ajet i Fatihas ?

Shejh Muhamed bin Abduluehab (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Pastaj personi thotë “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” pa zë, sepse ajo (Bismil-lahi) nuk është pjesë (ajet) e sures El-Fatiha dhe as i sureve të tjera. Ajo është ajet prej Kuranit që vendoset mes dy sureve. Përveç (mes) sures Berau (Et-Teube) dhe El-Enfal.”

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajttë!):

  1. Argumenti që tregon se “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” nuk thuhet me zë është hadithi i Enesit radijAllahu anhu ku thotë: “Jam falur me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin dhe nga asnjëri prej tyre nuk dëgjova të lexonte “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” (me zë).” Hadithin e transmeton Muslimi (890).
  1. Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” është ajet nga Kurani. Por, a është ajet i çdo sureje? Apo është ajet më vete për të ndarë mes sureve? A është ajet nga surja El-Fatiha apo nuk është prej saj? Në lidhje me këtë çështje ka shumë fjalë nga dijetarët. Ajo që tregon se “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” është prej Kuranit është se sahabët e kanë vendosur atë në mus’haf. E ata nuk kanë futur (vendosur) në të (Kuran) veçse atë që është pjesë e Kuranit.

Transmetohet në “Sunenu Ebi Daud” (788) me zinxhir autentik nga Ibën Abasi radijAllahu anhuma i cili ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e dinte përfundimin e sures dhe fillimin e sures tjetër, derisa atij iu zbrit “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”.

Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” është ajet që përmendet në brendësi të sures En-Neml.

Surja El-Fatiha ka shtatë ajete. Dijetarët që thonë se “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” është ajet i sures El-Fatiha e llogarisin atë në mesin e shtatë ajeteve. Ndërsa dijetarët që thonë se “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” nuk është ajet i sures El-Fatiha, si ajet të shtatë llogarisin “gajril-magdubi alejhim ue lad-dalin.”

Dijetarët që thonë se “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” nuk është ajet i sures El-Fatiha janë argumentuar me fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin Kudsij: “Allahu Lartësuar thotë: E kam ndarë namazin mes Meje dhe robit Tim në dy pjesë, ndërsa robit Tim i takon ajo për të cilën është lutur. Kur robi thotë: “El-hamdu lil-lahi rabbil-alemin” Allahu Lartësuar thotë: Më lavdëroi robi im…” hadithi. E transmeton Muslimi (878) nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu. Pra, nuk e ka përmendur Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”.

“Sherh kitab el-adab el-meshij ila es-salah”

Përktheu: Unejs Sheme

Postimi i radhës

HADITH 10

A duhet ti bëj të 7 dhe të 40 për të vdekurin ? Pyetja: Nje …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *