El kalem (mekase) 52 ajete
Me emrin e Allahut,
Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!
- Nun! Betohem në lapsin dhe në atë çka shkruajnë!
- Ti, me dhuratën e Zotit tënd, nuk je i çmendur!
- Ti, pa dyshim, do të kesh një shpërblim të pandërprerë!
- Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!
- Më vonë ti do të shohësh, por edhe ata do të shohin,
- se cili prej jush është i çmendur.
- S’ka dyshim se Zoti yt është më i ditur se cili është ai që ka humbur rrugën e Tij dhe Ai është më i ditur për të udhëzuarit.
- Prandaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët!
- Ata do të dëshironin që ti të bësh lajka, që edhe ata të bëjnë lajka.
- Mos e respekto asnjë që betohet shumë dhe është i poshtër,
- që është përgojues e përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz,
- që është shumë koprrac ndaj rrugës së mbarë, armiqësor, gjynahqar i madh,
- shumë i vrazhdë dhe, përveç këtyre, është edhe kopil!
- Vetëm pse ka pasuri e djem!
- Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “Legjenda të të parëve!”
- Ne do ta damkosim atë në hundë!
- Ne i sprovuam ata, siç sprovuam pronarët e kopshtit, kur u betuan se do ta vilnin atë herët në agim,
- por pa thënë: “Në dashtë Allahu!”
- Atëherë, atë (kopshtin) e goditi një ndëshkim nga Zoti yt, ndërkohë që ata ishin në gjumë,
- dhe u gdhi i nxirosur si nata e errët.
- Ata thirrën njëri-tjetrin në mëngjes:
- “Ngrihuni e shkoni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni!”
- Ata u nisën, duke pëshpëritur mes njëri-tjetrit:
- “Sot, nuk do të lejojmë asnjë fukara të afrohet atje!”
- U nisën herët dhe plot entuziazëm për planet e tyre, të sigurt për prodhimin e madh që i priste.
- Por kur vajtën dhe panë vendin, thanë: “Oh, paskemi gabuar drejtim!”
- “Jo, kemi humbur atë që kishim!”
- Më i urti prej tyre tha: “A nuk ju thashë përse nuk e përmendni Zotin?”
- Atëherë, ata thanë: “I pastër nga çdo e metë është Zoti ynë! Pa dyshim, ne u treguam të padrejtë”.
- Dhe më pas iu kthyen njëri-tjetrit me qortime,
- duke thënë: “Të mjerët ne, që tejkaluam kufijtë!
- Shpresojmë që Zoti ynë të na e zëvendësojë këtë fatkeqësi me diçka më të mirë se ajo që na humbi! Ne e mbajmë shpresën vetëm te Zoti ynë!”
- Ja, i tillë do të jetë dënimi. Ndërsa në botën tjetër, dënimi do të jetë shumë më i ashpër, sikur ta kuptonin!
- Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë kopshte të begatshme te Zoti i tyre.
- A do t’i konsiderojmë kriminelët të barabartë me muslimanët?!
- Ç’është me ju? Si gjykoni ashtu?!
- A mos keni ndonjë libër, nga i cili mësoni
- se ju do të keni atje çka të dëshironi?!
- A mos keni ndonjë zotim të fortë prej Nesh, që vazhdon deri në Kijamet, se do ta arrini atë që gjykoni dhe dëshironi?!
- Pyeti: “Cili prej tyre jua garanton atë?”
- Apo kanë ortakë, që u japin garanci?! Le t’i sjellin “ortakët” e vet, nëse thonë të vërtetën!
- Ditën kur të zbulohet Kërciri dhe ata do të ftohen për të bërë sexhde, por nuk do të munden.
- Të përulura e të tmerruara janë shikimet e tyre, ndërsa ata i kaplon poshtërimi, pasi dihet se ata u ftuan të bënin sexhde kur ishin tepër të aftë.
- Pra, më lër Mua me ata që e mohojnë këtë Kuran! Ne do t’i afrojmë ata gradualisht, prej nga nuk e presin.
- Unë u jap afat atyre, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë.
- A mos po u kërkon atyre shpërblim e ata të rëndohen nga shpenzimet?!
- A mos ndoshta dinë të fshehtën, e kështu të trumbetojnë?!
- Po ti bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd dhe mos u bëj si ai i peshkut në kohën kur u lut, në atë gjendje të ngarkuar ankthi e trishtimi.
- Sikur të mos i vinte mëshira nga Zoti i tij, ai do të hidhej në shkretëtirë i braktisur dhe i fajësuar.
- Por Zoti i tij e bëri atë të zgjedhur dhe prej të mirëve.
- Ata që nuk besojnë gati sa nuk të hanë me shikimet e tyre dhe thonë: “Ai është i marrë!”
- Po ai nuk është gjë tjetër, por veçse këshillë për botët.