El Hak-kah (mekase) 52 ajete
Me emrin e Allahut,
Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!
- El Hãkkah!
- Çfarë është El Hãkkah?!
- E ku mund ta dish ti se ç’është El Hãkkah?!
- Themudi dhe Adi mohuan Ditën e Tmerrit.
- Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me një ushtimë të tmerrshme.
- Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme,
- që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht. T’i shihje njerëzit të shembur përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara.
- A e gjen ndonjë që ka mbetur prej tyre?
- Faraoni, ata që ishin para tij dhe të përmbysurit kryen vepra të padrejta.
- Ata kundërshtuan të Dërguarin e Zotit të tyre, prandaj Ai i ndëshkoi me një dënim edhe më të ashpër.
- Pasi vërshoi uji, Ne ju hipëm në anije,
- që të shërbente si përkujtim për ju dhe për ta kuptuar çdo vesh (zemër) përkujtues.”.
- E kur t’i fryhet Surit vetëm një herë,
- dhe të ngrihen toka e malet dhe, me një të goditur të vetme, të përplasen me njëri-tjetrin,
- në këtë ditë ndodh e Vërteta!
- E çahet qielli, që atë ditë është i rraskapitur,
- ndërsa engjëjt qëndrojnë në skajet e tij. Atë ditë, Arshin e Zotit tënd e bartin mbi vete tetë prej tyre.
- Atë ditë, ju do të dilni zbuluar, duke mos mbetur i fshehtë asnjë sekret i juaji.
- Ai të cilit do t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, do të thotë: “Ej, ju të gjithë! Ja, lexojeni librin tim!”
- Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time!”
- Ai do të jetë në një jetë të kënaqshme,
- në një Xhenet të lartë,
- ku pemët e veta do t’i ketë shumë pranë.
- Hani e pini shijshëm, se ju e keni përgatitur këtë në ditët e kaluara.
- Ndërkaq, kujt i jepet libri nga e majta e vet, ai thotë: “Oh, i mjeri unë! Ah, sikur të mos më jepej fare ky libri im,
- e kështu të mos e dija se si është llogaria ime!
- Ah, sikur të kishte qenë ai fund i përhershëm për mua!
- Pasuria nuk më bëri aspak dobi!
- M’u hoq edhe pushteti!”
- Kapeni atë dhe vendosjani prangat!
- Pastaj hidheni në Xhehenem!
- Mandej lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë.
- Se ai nuk besonte Allahun e Madhëruar.
- Ai nuk nxiste për të ushqyer të varfërit.
- Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik,
- as ushqim tjetër, përveç gislin-it,
- që nuk e ha kush, përveç të gabuarve!
- Unë betohem në atë që e shihni!
- Edhe në atë që nuk e shihni!
- Se me të vërtetë ai është Fjalë që e lexon i Dërguari i ndershëm.
- Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, por ju nuk besoni.
- Nuk është as fjalë e ndonjë falltori, por ju nuk përkujtoni.
- Ai është shpallje prej Zotit të botëve!
- Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë,
- Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë,
- e pastaj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës.
- E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij.
- Ai është këshillë për të devotshmit.
- S’ka dyshim se Ne dimë që prej jush ka edhe mohues.
- Ai pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët.
- Ai është e vërteta e sigurt!
- Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar!