El Mearixh (mekase) 44 ajete
Me emrin e Allahut,
Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!
- Dikush kërkoi dënimin e pashmang-shëm.
- Askush nuk mund ta ndalë atë për jobesimtarët.
- Ai dënim vjen nga Allahu, Pronari i rrugëve të larta.
- Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti në një ditë, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet.
- Ti bëj durim, një durim të hijshëm.
- Ata e shohin atë larg,
- kurse Ne e shohim atë afër.
- Ditën kur qielli të bëhet si plumb i shkrirë,
- malet të bëhen si lesh i shprishur,
- dhe asnjë mik të mos pyesë për mikun,
- kur ata të shihen ndërmjet tyre. Krimineli do të dëshironte ta shpaguante dënimin e asaj dite me bijtë e vet,
- me gruan dhe me vëllain e vet,
- me të afërmit e tij, tek të cilët mbështetej;
- madje, me gjithë ç’ka në tokë, vetëm për të shpëtuar!
- Jo, kurrsesi! Ajo është Ledhá,
- që ta shkul lëkurën e kokës.
- Ai zjarr thërret atë që është sprapsur e larguar,
- atë që vetëm grumbullonte dhe fshihte.
- Pa dyshim, njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm.
- Kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi.
- Ndërsa, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac.
- Përveç atyre që falen,
- të cilët janë të vazhdueshëm në faljen e namazit të tyre.
- Edhe përveç atyre që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar
- për lypësin dhe për nevojtarin.
- Edhe përveç atyre që e besojnë me siguri të plotë Ditën e Gjykimit,
- dhe atyre që prej dënimit të Zotit të tyre frikësohen.
- Nuk ka dyshim se prej dënimit të Zotit të tyre nuk ka shpëtim.
- Përjashtohen edhe ata që e ruajnë ndershmërinë e vet,
- dhe shkojnë veç me gratë e veta ose me robëreshat që kanë në zotërim, për të cilat nuk fajësohen.
- Ndërsa ata që kërkojnë më tepër, ata janë të shfrenuarit.
- Edhe ata të cilët janë besnikë ndaj amanetit që u është besuar dhe ndaj premtimit të dhënë.
- Edhe ata që dëshminë e vet nuk e fshehin.
- Edhe ata që ndaj namazit të tyre janë të kujdesshëm.
- Të gjithë këta janë në Xhenete, të nderuar.
- Ç’është me ata që nuk besojnë, të cilët pandërprerë zgjasin shikimet drejt teje
- e që sorollaten në grupe, djathtas e majtas teje?
- A mos duan që të hyjnë në Xhenetin e begatshëm?!
- Kurrsesi! Ne i krijuam ata prej asaj që ata e dinë.
- Betohem në Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve, se Ne jemi të plotfuqishëm,
- që t’i zëvendësojmë ata me të tjerë më të mirë se ata, dhe askush nuk mund të na dalë para Ne.
- Por ti lëri ata të zhyten edhe më thellë dhe le të dëfrehen, derisa të përjetojnë Ditën e tyre, që iu është paralajmëruar;
- ditën kur, duke u ngutur, do të dalin prej varreve, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve të tyre.
- Të përulura do jenë shikimet e tyre. Ata do t’i ketë kapluar poshtërimi. Kjo është dita që iu është premtuar!