El Xhinn (mekase) 28 ajete
Me emrin e Allahut,
Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!
- Thuaj: “Mua më është shpallur se një grup xhindësh mbajtën vesh dhe thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kuran të çuditshëm.
- Ai udhëzon tek e vërteta, prandaj i besuam atij dhe kurrë nuk do të adhurojmë gjë tjetër, veç Zotit tonë..
- Pa dyshim, lartësia dhe madhështia e Zotit tonë nuk lejon që Ai të ketë grua apo fëmijë.
- S’ka dyshim se ai mendjelehti ynë thoshte gënjeshtra të mëdha ndaj Allahut.
- Ndërsa ne mendonim se as njerëzit, as xhindët nuk mund të thonin gënjeshtra për Allahun.
- Ka pasur burra prej njerëzve, që u kërkonin ndihmë disa burrave prej xhindëve, duke ua shtuar kështu edhe më tepër arrogancën.
- Dhe ata mendonin, siç mendoni edhe ju, se Allahu nuk ka për të ringjallur asnjë.
- Vërtet, ne kemi hulumtuar që të arrijmë në qiell, por e kemi gjetur atë plot me roje të fuqishëm dhe me shkëndija.
- Ne, më parë, arrinim të dëgjonim diçka, por kush përpiqet tashmë të dëgjojë atje, has në pusinë e shkëndijës së zjarrtë.
- Ne nuk e dimë a është për qëllim ndonjë e keqe për ata që janë në tokë, apo Zoti i tyre dëshiron që t’i udhëzojë.
- Është e vërtetë se prej nesh ka të mirë, por ka edhe që nuk janë aq të mirë. Ne kemi qenë në drejtime të ndryshme.
- Ne jemi të bindur se Allahut nuk mund t’i shmangemi në tokë, e as nuk mund t’i shpëtojmë Atij duke ikur.
- Dhe ne, sapo e dëgjuam udhëzimin, i besuam atij. E kush i beson Zotit të vet, nuk i druhet ndonjë dëmtimi e as ndonjë padrejtësie!
- Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë, ashtu si ka që janë jashtë rrugës. Kush pranoi Islamin, ai gjeti rrugën e shpëtimit.
- Ndërsa ata që e braktisën rrugën, ata u bënë lëndë e Xhehenemit!
- Sikur ata t’i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t’u lëshonim atyre ujë me bollëk,
- për t’i sprovuar me të. Atë që ia kthen shpinën Përkujtimit të Zotit të vet, Ai e shpie në vuajtje të padurueshme.
- Me të vërtetë, xhamitë janë vetëm që t’i lutesh Allahut, prandaj mos ju lutni në to askujt tjetër veç Allahut!
- Dhe, vërtet, kur robi i Allahut u ngrit ta adhurojë Atë, ata gati sa hipën njëri mbi tjetrin, për ta dëgjuar.
- Thuaj: “Unë adhuroj veçse Zotin tim dhe nuk konsideroj si të barabartë me Të asgjë!”
- Thuaj: “Unë nuk kam në dorë që t’ju dëmtoj dhe as t’ju udhëzoj në rrugë të drejtë!”
- Thuaj: “Është e vërtetë se mua nuk më mbron askush prej Allahut dhe, përveç se tek Ai, unë nuk mund të gjej mbështetje askund tjetër.
- Unë jam veçse përcjellës i Allahut dhe i shpalljeve të Tij. Atyre që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij u takon zjarri i Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë, pa mbarim.
- Kur të shohin atë që u është premtuar, atëherë do të kuptojnë se cili është vërtet ndihmësi më i dobët dhe më i vogël në numër.
- huaj: “Unë nuk e di a do të jetë afër ajo që u premtohet, apo Zoti im do ta vonojë atë shumë?”
- Ai është Njohësi i të fshehtës dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt,
- me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai dëshiron. Atëherë, Ai vë roje para edhe prapa tij,
- për t’u bërë e qartë se ata i kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre dhe se Ai ka përfshirë gjithçka të tyre. Ai e di sasinë e çdo gjëje që ekziston.