El Muzzemil (mekase) 20 ajete
Me emrin e Allahut,
Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!
- O ti i mbështjellë!
- Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj:
- gjysmën e saj, ose diçka më pak se gjysmën,
- ose shto pak më tepër, dhe lexoje Kuranin me vëmendje.
- Ne do të shpallim ty fjalë me peshë.
- E s’ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë.
- Vërtet, ti, gjatë ditës, ke angazhim të gjatë.
- Por, megjithatë, ti përmende Zotin tënd dhe përkushtoju plotësisht Atij!
- Ai është Zoti i lindjes dhe i perëndimit! Nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij, prandaj vetëm Atë zgjidh për mbështetje!
- Bëj durim ndaj asaj që të thonë dhe largohu prej tyre me maturi!
- M’i lër Mua ata gënjeshtarë pasanikë dhe jepu atyre një afat të shkurtër.
- Se, me të vërtetë, tek Ne ka ndëshkim dhe zjarr!
- Ka ushqim që nuk gëlltitet dhe dënim të dhembshëm!
- Atë ditë, kur toka e malet të dridhen dhe kur malet bëhen rërë e paqëndrueshme!
- Ne sollëm tek ju një të Dërguar, që do dëshmojë kundër jush, ashtu siç çuam edhe te Faraoni një të Dërguar.
- Por Faraoni e kundërshtoi të Dërguarin, prandaj Ne e ndëshkuam atë me një dënim të rëndë.
- Nëse ju mohoni, atëherë si do të mbroheni prej dënimit të asaj dite, që fëmijët do t’i bëjë pleq?
- Atë ditë, qielli do të çahet dhe premtimi i Tij do të realizohet.
- Këto janë një përkujtim qortues. Kush do, ai e zgjedh rrugën për tek Zoti i vet.
- Zoti yt e di se, ti dhe një grup i atyre që janë me ty kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës, ose gjysmën e saj, ose një të tretën e saj. Allahu e di gjatësinë e natës dhe të ditës dhe Ai e dinte që ju nuk do të mund t’i përmbaheshit asaj, prandaj ju bëri lehtësime. Atëherë, duke lexuar Kuran, faluni aq sa t’ju bëhet më lehtë! Ai e dinte se nga ju do të kishte të sëmurë, do të kishte nga ata që lëvizin nëpër tokë për të kërkuar begatitë e Allahut, ashtu si edhe të tjerë që luftojnë në rrugën e Allahut. Kësisoj, faluni dhe lexoni, aq sa t’ju bëhet më lehtë! Faleni me rregull namazin, jepni zekatin dhe jepni për hir të Allahut hua të mirë! Çfarëdo të mire të përgatisni për veten tuaj, atë do ta gjeni tek Allahu më të mirë dhe më të shpërblyer! Kërkoni falje prej Allahut, se, pa dyshim, Allahu është Mëkatfalës e Mëshirues!