076. EL INSAN

El Insan (medinase) 31 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Vërtet, ka kaluar një periudhë kohore, që njeriu nuk ekzistonte as si i përmendur.
  2. Ne e krijuam njeriun prej një lëngu të përzier, për ta sprovuar atë, dhe e bëmë që të dëgjojë e të shohë.
  3. Ne i treguam atij rrugën e drejtë, e kështu ai do të jetë mirënjohës ose përbuzës.
  4. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr.
  5. S’ka dyshim se të devotshmit do të pinë në kupa, që kanë koktej me kafur,
  6. i cili është një burim, prej të cilit do pinë adhuruesit e Allahut dhe të cilin do ta gjejnë atje ku do të dëshirojnë e me bollëk.
  7. Janë ata që zbatojnë premtimet e tyre dhe i frikësohen një dite, tmerri i së cilës është gjithëpërfshirës.
  8. Janë ata që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të kapurve robër.
  9. “Ne (thonë këta të devotshëm) po ju ushqejmë veçse për hir të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim.
  10. Ne i frikësohemi Zotit tonë për një ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe që është shumë e vështirë”.
  11. Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite dhe u ka dhuruar shkëlqim në fytyra e lumturi.
  12. Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi.
  13. Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk do ndiejnë nxehtë e as të ftohtë.
  14. Hijet do t’u bien sipër dhe kalaveshët e pemëve do t’u afrohen shumë.
  15. Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta,
  16. gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan.
  17. Do t’u jepen gota të pinë koktej me xhenxhefil,
  18. prej një burimi aty, që quhet Selsebil.
  19. Mes tyre lëvizin duke shërbyer djem të rinj, që do jenë përherë të tillë e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë.
  20. Kur hedh shikimin atje, sheh begati e pasuri të mëdha,
  21. Ata janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë, të stolisur me bylyzykë të argjendtë. Ndërkohë, Zoti i tyre u jep të pinë pije të kulluar.
  22. Ky është shpërblimi për ju, sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.
  23. Ne ta shpallëm Kuranin pjesë-pjesë.
  24. Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj gjykimit të Zotit tënd, e mos dëgjo asnjë gjynahqar ose jobesimtar prej tyre.
  25. Adhuroje Zotin tënd mëngjes e mbrëmje!
  26. Bëj sexhde për Të në një pjesë të natës! Madhëroje Atë natën e gjatë!
  27. Vërtet, ata e duan shumë këtë jetë dhe e shpërfillin Ditën e Rëndë, që i pret.
  28. Ne i krijuam ata dhe Ne e përsosëm krijimin e tyre. Kur të dëshirojmë, Ne do t’i rikthejmë ata me një krijim të ri.
  29. Vërtet, këto janë këshilla, prandaj kush dëshiron, e gjen rrugën që e çon te Zoti i vet.
  30. Po ju mund të doni diçka, veç nëse do Allahu. Pa dyshim, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
  31. Atë që Ai e do, Ai e përfshin në mëshirën e Vet. Kurse për zullumqarët, Ai ka përgatitur dënim të dhembshëm.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *