El Murselat (mekase) 50 ajete
Me emrin e Allahut,
të Mëshirshmit, Mëshiruesit!
- Për ata që dërgohen njëri pas tjetrit me mirësi,
- ata që janë të shpejtë si furtunë!
- Për shpërndarësit, që shpërndajnë!
- Për ata që ndajnë saktë!
- Për ata që sjellin shpallje hyjnore,
- si dëshmi ose si paralajmërim!
- S’ka dyshim se ajo që u është premtuar ka për të ndodhur patjetër,
- atëherë kur yjet të shuhen,
- kur qielli të çahet,
- kur malet të shpërbëhen,
- e kur të dërguarve u është caktuar koha për të dëshmuar.
- E në ç’ditë u është caktuar atyre koha?
- Ditën e Gjykimit!
- E ku e di ti se ç’është Dita e Gjykimit?
- Ajo ditë është shkatërrim për ata që kanë mohuar.
- A nuk i shkatërruam Ne popujt më të hershëm,
- dhe pastaj të tjerët që i shoqëruan?
- Kështu bëjmë Ne me zullumqarët.
- Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit.
- A nuk ju krijojmë nga një lëng i dobët,
- që e vendosim në një vend të sigurt,
- deri në një afat të caktuar?!
- Ne e bëjmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi!
- Ajo ditë është shkatërrim për ata që nuk e njohin fuqinë Tonë!
- A nuk e bëmë Ne tokën që të mbajë në gjirin e vet
- të gjallë dhe të vdekur?!
- A nuk kemi vënë në të male të forta e të larta?! A nuk ju kemi dhënë ujin, që jua shuan etjen?!
- Ajo ditë është mjerim për ata që mohojnë!
- Shkoni tek ai vend, që ju e konsideruat të gënjeshtërt!
- Shkoni tek ajo hije, që ka tri degëzime,
- që nuk bën as fresk e as nuk mbron prej flakëve.
- Ai hedh shkëndija të mëdha, sa një kështjellë,
- që duken sikur të ishin deve të verdha!
- Ajo ditë është shkatërrim për mohuesit!
- Kjo është ditë kur ata nuk flasin,
- kur nuk u lejohet as që të justifikohen!
- Mjerë mohuesit atë ditë!
- Kjo është Dita e Gjykimit, që do ju mbledhë ju dhe ata të mëparshmit.
- Nëse keni ndonjë dredhi, atëherë ejani e bëjeni!
- Ajo ditë është shkatërrim për ata që nuk besojnë!
- Nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije, pranë burimeve,
- me larmi frutash, si t’i dëshirojnë.
- Hani e pini duke shijuar e me ëndje, për veprat që keni bërë!
- Kështu i shpërblejmë Ne mirëbërësit!
- Ajo ditë është mjerim për mohuesit.
- Hani e kënaquni për pak kohë, sepse ju jeni vërtet kundërshtues!
- Ajo ditë është mjerim për mohuesit e të mirave të Zotit,
- ata që, kur u thuhej: “Përkuluni në namaz!”, ata nuk përkuleshin.
- Ajo ditë është mjerim për mohuesit.
- Çfarë fjale besojnë ata, pas kësaj?!