El Nebe’ (mekase) 40 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithmëshirëshmit Mëshiruesit!
- Për çfarë i bëjnë pyetje ata njëri-tjetrit?
- Për Lajmin e madh e tronditës,
- për të cilin aq shumë kundërshtohen e polemizojnë!
- Jo, të mos pyesin, sepse ata do ta kuptojnë!
- Përsëri jo, se ata do ta kuptojnë.
- A nuk e bëmë Ne Tokën të përshtatshme për ju,
- ndërsa malet shtylla?
- Ne ju krijuam në çifte.
- Gjumin tuaj jua bëmë për pushim.
- Natën jua bëmë mbulesë,
- ndërsa ditën jua bëmë për aktivitet.
- Ne kemi ndërtuar mbi ju një shtatëshe të fortë,
- dhe kemi vënë Ndriçuesin, që ngroh.
- Prej reve të shtrydhura kemi lëshuar shi të bollshëm,
- që, nëpërmjet tij, të rrisim drithëra e bimë (foragjere)
- edhe kopshte të dendura, palë mbi palë.
- S’ka dyshim se Dita e Gjykimit është caktuar.
- Ajo është dita kur do t’i fryhet Surit, ndërsa ju do të vini grupe-grupe.
- Qielli do të hapet e do të bëhet dyer-dyer.
- Malet do të shkulen e do të bëhen pluhur.
- Me të vërtetë, Xhehenemi është në pritë.
- Ai është vendstrehim i arrogantëve,
- të cilët do të mbesin atje pafundësisht.
- Atje nuk do të shijojnë as freski, as ndonjë pije,
- përveçse ujë të valë e kalbësira,
- si ndëshkim i merituar.
- Ata nuk besojnë se do të japin llogari
- dhe argumentet Tona i mohojnë me këmbëngulje.
- Ne kemi shkruar çdo gjë me përpikmëri.
- Tani vuani, se Ne do t’ju shtojmë vetëm se vuajtje.
- S’ka dyshim se të devotshmit do të kenë shpërblime të mëdha,
- kopshte e vreshta rrushi,
- edhe vasha të një moshe,
- edhe gota të mbushura plot verë.
- Aty nuk do të dëgjojnë fjalë të kota e as gënjeshtra.
- Shumë shpërblime e dhurata të dhëna nga Zoti.
- Zoti i qiejve e i tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre, që është i Gjithëmëshirshmi, të Cilit askush nuk ka të drejtë t’i bëjë vërejtje.
- Atë ditë, Xhibrili dhe engjëjt do të qëndrojnë të rreshtuar; askush nuk mund të flasë, veç atij që e lejon i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë të vërtetën.
- Ajo është ditë e vërtetë, prandaj kush dëshiron, le t’i kthehet rrugës për te Zoti i vet.
- Ne i kemi paralajmëruar ata për një dënim të afërt, ditën kur njeriu do të shikojë se çfarë i kanë sjellë duart e veta, ndërsa jobesimtari do thotë: “Ah, sikur të isha dhé!”