079. EL NAZIAT

En Naziat (mekase) 46 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Për ata që marrin shpirtra me ashpërsi!
  2. Dhe për ata që marrin shpirtra me shkathtësi!
  3. Për ata që notojnë me shpejtësi!
  4. Dhe për ata që nxitojnë, të cilët me shpejtësi në vendin e vet dërgojnë!
  5. Për ata që çdo çështje rregullojnë!
  6. Për Ditën kur befas do të bëhet dridhja,
  7. pas së cilës një tjetër do të vijë!
  8. Atë ditë zemrat do të jenë të tronditura,
  9. ndërsa shikimet do të jenë të ulura
  10. Ata thonë: “A thua, do të bëhemi përsëri kështu si jemi,
  11. edhe pasi të jemi bërë eshtra të kalbura?!”
  12. Ata thonë: “Atëherë, ai kthim do të jetë dëshpërues për ne!”
  13. Ajo do të jetë veç një britmë e vetme,
  14. kur ata t’ia behin mbi sipërfaqen e tokës.
  15. A të kanë rrëfyer historinë e Musait,
  16. kur Zoti i tij e thirri në luginën e bekuar Tuva?
  17. Shko te Faraoni, se vërtet ai e ka tepruar!
  18. E thuaji atij: “A ke ndër mend të pastrohesh?”
  19. Unë të udhëzoj te Zoti yt, që ti t’ia kesh frikën!”
  20. Ai i tregoi mrekullinë e madhe,
  21. por ai e mohoi dhe e kundërshtoi.
  22. Pastaj u kthye prapa dhe iku me të shpejtë.
  23. Bëri një tubim dhe mbajti fjalim,
  24. dhe tha: “Unë jam Zoti juaj më i lartë!”
  25. Atëherë, Allahu e ndëshkoi atë rëndë, për këtë të fundit dhe për atë të parën.
  26. Ky ndëshkim është mësim për ata që frikësohen.
  27. A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit, të cilin Ai e ngriti!
  28. Ngriti kupën e tij dhe e përsosi atë.
  29. Natën ia errësoi e ditën ia ndriçoi.
  30. E pastaj tokën e sheshoi,
  31. prej së cilës nxori ujin dhe kullotat e saj,
  32. kurse malet ia përforcoi,
  33. si furnizim për ju dhe për kafshët tuaja.
  34. E kur të vijë vala e madhe,
  35. atë ditë njeriu do të kujtojë se çfarë ka bërë.
  36. Xhehenemi do shfaqet sheshazi për atë që e sheh.
  37. Për sa i përket atij që i ka kaluar kufijtë
  38. dhe i ka dhënë përparësi jetës së kësaj bote,
  39. Xhehenemi do të jetë vendi i tij.
  40. E për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet dhe e ka ndaluar veten prej epsheve,
  41. Xheneti do të jetë vendi i tij.
  42. Ty të pyesin për Kijametin: “Kur do të ndodhë ai?!
  43. Po, ku je në gjendje ti, që t’ua tregosh atë?
  44. Vetëm Zoti yt e ka dijeninë për të.
  45. Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i druhen Atij.
  46. Ditën kur ta përjetojnë atë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë jetuar më tepër se një mbrëmje ose një mëngjes të saj.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *