Pamja dhe tiparet e Pejgamberit (s.a.v.)

Full_Moon

Enes ibn Maliku thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kishte shtat mesatar, duke mos qenë as shumë i gjatë e as shumë i shkurtër. Fytyrën e kishte mjaftsimetrike, ndërsa flokët nuk i kishte shumë kaçurrela apo shumë të drejta; pamja e tij ishte burrërore.

Ibrahim ibn Muhammed ibn Ali ibn Ebu Talibi thotë:”… Zemra e tij ishte shumë më e lirë se sa ajo e të tjerëve; por nga natyra ishte shumë më i butë nga të tjerët, në jetën shoqërore ishte më bujar se të tjerët. Kushdo që e takonte, papritmas ndjente repsekt për të; kushdo që njoftohej me të, nuk mundej të mos e donte. Rrëfyesi thotë se kurrë më parë nuk ka parë dikë të ngjashëm me të.”

Hindi thotë se Pejgamberi (s.a.v.s) ishte i madh, në fakt ai ishte vetë madhështia. Fytyra e tij shndriste si hëna e plotë. Kishte peshë mesatare, printe nga gjatësia por ishte më i shkurtër se njerëzit e gjatë… Të ecurit e kishte të lehtë dhe të sigurt, sikur zbriste nga një shkallë më e lartë në një më të ulët. Sa herë që shikonte diçka, shikonte drejt në të; sytë e tij zakonisht ishin të ulur, më tepër të drejtuar nga toka sesa nga qielli. Gjërat e kësaj bote, Pejgamberi (s.a.v.) çdoherë i shikonte me bishtin e syrit. Ithtarët e tij i lejonte të ecin përpara ndërsa kur takohej me muslimanët e tjerë, i përshëndeste i pari.

Xhabir ibn Semureh thotë: “Pejgamberi i Allahut (s.a.v.) kishte gojë të gjerë.Sytë i kishte ngjyrë kafeje e të ndritshëm. Njëherë e pashë Pejgamberin (s.a.v.) në dritën e hënës. Ai kishte hedhur mbi trup një mantel të kuq dhe unë me qëllim e pashë kundruall hënës. Ai mu duk dukshëm më i bukur se hëna vetë.”

Ebu Hurejre thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kishte një pamje sikur të ishte bërë prej argjendi. Në flokët e tij kishte një balluke.

Se’id Xhurejri rrëfen që e kishte dëgjuar Ebu Tufejlin duke thënë se e kishte parë Pejgamberin e Allahut:”… Pastaj Se’idi kërkoi nga ai që ta përshkruajë Pejgamberin (s.a.v.). Ai u përgjigj se Pejgamberi (s.a.v.) kishte pamje të skuqur në të bardhë, ishte i bukur dhe kishte sjellje të matur.” Ebu Bekri i tha Pejgamberit (s.a.v.) se megjithëse ishte në gjendje të mirë fizike, ishte gjë e çuditshme që dukej i plakur. Ai iu përgjigj se ajetet e përmendura më poshtë e kanë plakur atë, sepse në këto ajete përshkruhen Dita e Ringjalljes dhe xhehennemi.(Fjala është për ajetet e sures Hud, el-Vakia, el-Murselat, en-Nebe dhe et-Tekvir). Atë e plakën ankthi dhe brenga për njerëzimin.

Ebu Se’id el Hudriu thotë se kur Pejgamberi i Allahut vishej me rroba të reja, atëherë thoshte se Allahut duhet t’i takojë çdo lëvdatë që i kishte dhënë rroba të reja, e pastaj do të fillonte të lutej për shenjtërinë e rrobave… Semureh ibn Xhundub rrëfen se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë:

“Vishuni me rroba të bardha; ato me të vërtetë janë të pastra dhe të dlira; edhe kur të vdisni, mbështilluni me to.”

Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë: “Kur dikush nga ju mbath këpucët, atëherë duhet të fillojë me këmbën e djathtë.Kur t’i zbathë këpucët, duhet të fillojë me këmbën e majtë, ashtu që e djathta të jetë e fundit.”

Aishja thotë se sa i përket shprehive personale, siç janë rregullimi i flokëve, mbathja e këpucëve dhe përgatitjet e tjera, Pejgamberi (s.a.v.) çdoherë fillonte nga e djathta.

Ebu Hurejre thotë se kurrë nuk kishte parë diçka më të bukur se Pejgamberi (s.a.v.), nga fytyra e të cilit dukej sikur shndriste dielli, si dhe nuk kishte parë askënd më të shpejtë në të ecur sesa Pejgamberi (s.a.v.), sepse kur ecte ai, dukej sikur vetë toka rrotullohej për të. Shokët e tij mundoheshin të mbajnë hapin me Pejgamberin (s.a.v.) madje edhe kur ai ecte me nge.

Ibrahim ibn Muhammedi, i cili ishte njëri nga pasardhësit e Ali ibn Ebu Talibit, thotë se, kur Aliu e përshkruante Pejgamberin (s.a.v.), e kishte zakon të thotë se Pejgamberi (s.a.v.) ecte fuqishëm sikur çdoherë të ishte duke zbritur diku poshtë shkallëve.

Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit, në bazë të tregimeve të të atit, tregon se Pejgamberin (s.a.v.) e kishin pyetur se a thua ishte në gjendje të tregonte se cilat ishin mëkatet më të mëdha … Pejgamberi (s.a.v.) u kishte thënë se ato ishin përpjekja për t’u matur me Zotin dhe mosbindja ndaj prindërve… Në vazhdim, Pejgamberi (s.a.v.) tha se edhe gënjeshtra mund të hyjë në mesin e mëkateve më të mëdha.

Ebu Ejub el-Ensari thotë se njëherë, duke qenë në shoqëri me Pejgamberin (s.a.v.), u kishin shtruar sofrën. Ushqimi që hëngrën në fillim ishte shumë më i bekuar se ai që hëngrën në fund. Ai pastaj kishte thënë: “0 Pejgamber (s.a.v.)! Si ndodhi kjo?” Pejgamberi (s.a.v.) ishte përgjigjur se, në fillim kur kishin filluar të hanë kishin përmendur emrin e Allahut, por më vonë duke ngrënë, atë nuk e kishin përsëritur më dhe se me ta kishte ngrënë edhe shejtani.

Aishja tregonte se Pejgamberi (s.a.v.) kishte thënë se, në qoftë se dikush harron të thotë “Bismil-lah” (Me emrin e Allahut), para se të fillojë të hajë, atëherë duhet që emrin e Allahut ta përkujtojë në këtë mënyrë: “Qoftë me emrin e Allahut fillimi dhe mbarimi i kësaj”.

Umer ibni Ebu Selemeh thotë se shkoi te Pejgamberi (s.a.v.). Pejgamberi (s.a.v.) i tha: “0 bir, afrohu! Kujtoje emrin e Allahut dhe ha me dorën e djathtë dhe atë nga ajo anë që ke më afër.” Ebu Se’id el-Hudrij thotë se kur Pejgamberi (s.a.v.) mbaronte së ngrëni, kishte zakon të thoshte: “Të gjitha lëvdatat i takojnë Allahut që na dha të hamë e të pimë e na bëri muslimanë. ”

Enes ibn Maliku thotë: “Allahu me të vërtetë kënaqet me ata që hanë një kafshatë e pinë një gllënkë e pastaj e lëvdojnë Atë.”

Tregohet se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë: “Nëse dikujt prej jush i jepet një lule aromatike, atëherë ai nuk duhet ta refuzojë, sepse lulet vijnë nga xhenneti”.

Aishja thotë se Pejgamberi (s.a.v.) nuk ka folur shpejt siç bënin të tjerët, por ka folur qartë dhe duke theksuar çdo fjalë, ashtu që ai, i cili i ulej praën, të ishte në gjendje që të mbajë mend çdo fjalë.

Hind bint Ebu Halah… thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kryesisht rrinte i heshtur. Ai nuk fliste pa nevojë. Bisedën e fillonte dhe e mbaronte qartë. E folura e tij nuk ishte e kotë, por fliste me elokuencë. Kurrë nuk ishte i padrejtë ndaj dikujt e as nuk lejoi që dikush të mos përfillet… Bota dhe sendet në të nuk e shqetësonin. Mirëpo, kur nuk përfillej e vërteta, atëherë asgjë nuk mund ta qetësonte zemërimin e tij derisa detyrohej të zbatonte urdhërat dhe obligimet fetare. Ai nuk mbrohej nga asnjë aspekt i natyrës së tij, e as nuk hakmerrej ndaj dikujt… Kur ishte i zemëruar shikonte mënjanë, kurse kur ishte i kënaqur shikonte poshtë. Gazi më i madh i tij ishte buzëqeshja.

Ebu Hurejre tregon se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë se fjalët më të mira, të cilat ndonjë poet arab i ka shkruar ndonjëherë, janë vargjet e Labidit, që fillojnë kështu: “Ruajuni! Çdo gjë prishet e vdes, përveç Allahut”.El-Bera ibn Azib-i rrëfen se kur Pejgamberi (s.a.v.) shtrihej në shtrat, e kishte zakon që pëllëmbën e djathtë ta verë mbi faqen e djathtë dhe të thotë: “0 Allah! Më ruaj nga dënimi në ditën kur vullneti Yt do t’i ngrejë krijesat e Tua.”

Kur Pejgamberi (s.a.v.) binte të flejë, thoshte: “0 Allah! Me emrin Tënd bie dhe me emrin Tënd ngrihem”; ndërkaq kur zgjohej thoshte; “Qoftë i lëvduar Allahu që na ngjalli, atëherë kur ishim bërë gati të vdesim; dhe ringjalljen do ta bëjë Ai”.

Aishja thotë se kur Pejgamberi (s.a.v.) binte të flejë, çdo mbrëmje i bashkonte dhe i hapte pëllëmbët e tij dhe lexonte këto sure të Kuranit: Kulhuvall-Uahu ehad, Kul eudhu bi Rabbi’l Feiek dhe Kul Eudhu bi Rabbin-Nas. Pastaj me duart e tij mbështillte trupin e vet aq sa kishte mundësi.Pastaj e fërkonte kokën dhe fytyrën, si dhe pjesën e përparme të trupit të tij.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *