Nëse dikush pyet një pyetje: Përse ne duam diçka apo dikë ?
Secili le ta pyesë veten e vet nëse do dikë në këtë dynja: Përse e do atë? Cilat janë kriteret tuaja për të dashur dikë? Disa njerëz, të cilët dallohen për llogjikën, urtësinë dhe diturinë e tyre, shprehin dashuri për ata që janë cilësuar me cilësi të mira dhe që largohen nga cilësitë e këqija. Ky është kriteri për të dashur dicka tek disa njerëz. Një kriter tjetër tek disa të tjerë është se ata duan dhe i shprehin dashuri atij i cili u bën atyre mirësi. Kështu çdo kush që të bën mirësi ti ndjen për të dashuri. Një kriter tjetër për të dashur, tek disa të tjerë, është se ata duan të bukurën. Kështu pasuria dhe bukuria janë dy cilësi që të gjithë i synojnë dhe i duan. Madje janë të pakët ata që qëndrojnë përballë këtyre dy cilësive kaq të veçanta.
Atëherë nëse shohim këto kritere të cilat bëjnë që në zemrën e robit të lindë dashuria, le të mendojmë me kujdes dhe të shohim se kush meriton me të vërtetë dashurinë tonë! Allahu i lartësuar është Ai i cili të krijoi dhe të bëri të egzistosh kur ti nuk egzistoje. Është Ai i cili vazhdimisht të bën bamirësi ty. Ai të furnizon me çdo të mirë dhe është Ai që të ka formësuar dhe, me drejtësinë dhe bujarinë e Tij të ka dhuruar çdo begati. Nëse shohim në aspektin e të qënurit absolut, i plotë dhe i përshkruar me cilësitë dhe atributet më të mira dhe të shkëlqyera, pa dyshim që Allahu i lartësuar është më i ploti dhe absoluti në këto aspekte. Kështu Allahu i lartësuar është Krijuesi i gjithçkaje dhe gjithçka që ka krijuar e ka krijuar me urtësinë më të lartë. Madje dhe vetë iblisin, Allahu i lartësuar e ka krijuar për shkak dhe për një urtësi dhe një qëllim të lartë. Nëse shohim në aspektin e bukurisë, për shkak të një urtësie të lartë, Profeti (a.s) na ka njoftuar se: “Allahu i lartësuar është i bukur dhe e do të bukurën”. E pra duke menduar gjatë dhe qetësisht në këto që u thanë, ai që është i llogjikshëm, i urtë, i mënçur kurrë nuk mund të dojë diçka më shumë se sa Allahun e lartësuar, të plotin në të gjitha këto aspekte dhe kritere të të dashurit të diçkaje.
Prandaj dhe fatihaja në fillim ka nisur me ketë formulim pra me el hamdu e cila është paraprirë nga pjesëza el e ashtuquajtura el-li i (istigrakut) gjithpërfshirjes. Pjesëza El nënkupton se me këtë formulim përfshihen pa përjashtim të gjitha llojet të hamdit, të lavdërimit dhe shprehjes së dashurisë për Allahun e lartësuar. Ndërsa tek fjala lil-lah pjesëza li është ajo që bën posaçërimin, specifikimin e hamdeve vetëm për Allahun e lartrësuar. Pra el është ajo që përfshin të gjitha llojet dhe larmishmërinë e hamdeve pra të shprehjes së dashurisë për Allahun e lartësuar. Me fjalë të tjera “el hamdu” d.m.th. e gjithë dashuria dhe të gjitha lavdet janë për Allahun e lartësuar. Kurse në fjalën “lil-lah” pjesëza li tregon që të gjitha këto hamde pa përjashtim i takojnë vetëm Allahut të lartësuar dhe askujt tjetër. Pra pjesëza li tek fjala lil-lah është “lil istihkak” për posaçërimin dhe meritueshmërinë e hamdit veç për Allahun për askënd tjetër. Në këtë mënyrë, fjala jonë “El hamdu lil-lah” do të thotë se të gjitha llojet e hamdit janë të posaçme, të veçanta, të përkushtuara vetëm për Allahun e lartësuar.
Kjo do të thotë që çdo dashuri që lind në zemrën e robit, burimin e saj kryesor duhet ta ketë nga dashuria për Allahun e lartësuar. Pra nga dashuria për Zotin e lartësuar duhet të lindë çdo lloj dashurie tjetër. Dashuria për gjithcka tjetër duhet të jetë rrjedhojë dhe rezultat i asaj dashurie bazë, pra dashuria për Allahun e lartësuar. Kështu dashuria për Allahun e lartësuar është ajo që sundon, mbizotëron dhe mbulon çdo lloj dashurie tjetër.
Kjo është diçka që ndodhi dhe u realizua me sahabët e Profetit (a.s). Në luftën e Bedrit djali i Ebu Bekrit luftonte në rreshtat e mohuesve dhe përballë tij ndodhej i ati, pra Ebu Bekri (r.a). I biri i thotë Ebu Bekrit: “O baba, në luftën e Bedrit kur unë të pashë ty në ushtrinë islame, unë u shmanga prej teje nuk të dola përpara”. Ebu bekri i tha: “Uallahi nëse do të shihja do të kisha vrarë”. Kështu dashuria për Allahun kishte mbizotëruar në zemrat e tyre dhe ata ishin zhveshur dhe çliruar tërësisht nga çdo lloj dashurie tjetër veç dashurisë për Allahun e lartësuar. Pra ata e kuptuan lehtësisht se pjesëza li tek fjala lil-lah d.m.th. vetëm për Allahun. Ajo është posaçërim i dashurisë vetëm për Allahun e lartësuar dhe është tregues se dashuria e Allahut të lartësuar është mbizotëruese sunduese mbi të gjitha llojet e tjera të dashurisë. Kështu pra hamdi i cili është “med’h” përlëvdim plus dashuri, i takon me të gjitha llojet e tij vetëm Allahut të lartësuar dhe është i posaçëm vetëm për të.
Nëse mund të mendohet se edhe për diçka tjetër veç Allahut mund të thurret një hamd apo mund të shprehet dashuria kjo duhet të burojë fillimisht nga dashuria për Allahun e lartësuar dhe duhet të jetë urdhëruar nga Allahu i lartësuar e duhet të jetë pjesë e kësaj dashurie. Besimtari i cili realizon këtë lloj kuptimi të hamdit në zemrën e Tij, pra duke qenë se dashuria për Allahun e lartësuar është mbizotëruese mbi çdo lloj dashurie tjetër, ai ka për të gjetur dhe shijuar ëmbëlsinë e imanit. Profeti (a.s) ka thënë: “Janë tre ndjenja që nëse dikush i gjen në zemrën e tij ai vërtet e ka ndjerë ëmbëlsinë e imanit. E para që Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur në zemrën e tij se çdo lloj dashurie tjetër…”. Gjithashtu në një hadith tjetër Profeti (a.s) ka thënë se ndër hallkat më të rëndësishme të imanit janë dashuria për hir të Allahut të lartësuar dhe të urrejturit e diçkaje për hir të Zotit të lartësuar. Të japësh për hir të Allahut të madhëruar dhe të mos japësh dhe privosh për hir të Allahut të madhëruar…”.
Shkeputur nga mesimet e tefsirit te shejh Meshhur Hasen Al Selman, – Allahu e ruajt!